00389 2 3091 484
Mars 03,2022
Tek pacientët me sëmundje të rëndë të valvulës së aortës, stenozë (ngushtim) të aortës zgjidhja e vetme është zëvendësimi i saj. Zëvendësimi mund të kryhet me ndihmën e kardiokirurgjisë ose procedurës TAVI.
Kirurgjia klasike si një zgjidhje për zëvendësimin e valvulës së aortës përfshin një sërë rreziqesh si dhe shërim më të ngadaltë. Ndërkohë metoda TAVI përjashton operacionin, pra hapjen e gjoksit të pacientit.
TAVI, ose implantimi transkateterik i valvulës së aortës, është një procedurë për trajtimin e stenozës së rëndë të aortës pa kirurgji. Kjo nënkupton një qasje më pak invazive, duke implantuar një valvul artificiale pa prerje në sternum, duke përdorur një sistem të sofistikuar kateterizimi përmes arterieve të ijeve.
Megjithëse TAVI konsiderohet ende një procedurë relativisht e re, ajo përdoret dhe miratohet gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për trajtimin e disa pacientëve me rrezik të lartë me stenozë të rëndë të aortës.
Gjetjet më të fundit mjekësore tregojnë se pacientët me rrezik të lartë me stenozë të rëndë të aortës trajtohen më së miri me procedurën TAVI e cila është një ndërhyrje më e sigurt në krahasim me operacionin konvencional të sëmundjes së valvulës së aortës. Procedura TAVI rekomandohet te këta pacientë për disa arsye:
Pas vlerësimit të saktë ekografik dhe ekzaminimit angiografik të zemrës dhe aortës së bashku me enët periferike të gjakut si dhe koronarografisë selektive, fillon procedura TAVI, pra vendoset valvula e aortës transkateterike përmes një prerjeje të vogël në zonën e ijeve.
Vendosja e valvulës së aortës përmes kateterit (TAVI) kryhet në sallën e angiografisë. Pacienti është nën anestezi të përgjithshme. Vendoset një stimulues kardiak i përkohshëm në venën e qafës për të kontrolluar ritmin e pulsit gjatë aplikimit të valvulës biologjike të aortës. Nëpërmjet arteries së ijës (majtas ose djathtas) e cila hapet me një prerje të vogël kirurgjike vendosen tuba plastikë përmes të cilëve futet valvula biologjike e aortës në zemër dhe vendoset në vend të valvulës së vjetër. Pasi vendoset valvula biologjike, ajo hyn menjëherë në punë. Vendosja kryhet gjatë mbikëqyrjes së vazhdueshme me rreze X dhe aortografive të shpeshta (para, gjatë dhe pas implantimit) dhe aktivizimit të një stimuluesi kardiak (pacemaker) në 180/min. Vendosja e valvulës së re pasohet nga mbyllja kirurgjikale e arteries në zonën e ijeve dhe transferimi i pacientit në departamentin e kujdesit intensiv.
Pas ndërhyrjes, pacientët zakonisht qëndrojnë në spital për monitorim vetëm 24 orë, deri të nesërmen, dhe më pas shkojnë në shtëpi me terapinë e përshkruar nga mjeku.
Me një vlerësim të mirë paraprak dhe një ekip të përgatitur dhe me përvojë, shanset për suksesin e ndërhyrjes janë të larta dhe arrijnë në rreth 98%.
Megjithatë, tek disa pacientë mund të shfaqen edhe komplikime. Ato mund të jenë të llojit të zhvendosjes së protezës, ose komplikime nga organe dhe sisteme të tjera si veshkat, mushkëritë, truri ose ndoshta dëmtimi i aortës.
Në raste të tilla të cilat janë të rralla, mund të merret parasyshë trajtimi shtesë qoftë ai intervenues, kirurgjik apo me medikamente.
Por në përgjithësi, përqindja e rezultateve të këqija ose vdekjeve është shumë e vogël, pothuajse e papërfillshme.
Në Spitalin klinik Zhan Mitrev ekipi i mjekëve të departamentit të angiografisë është me përvojë shumëvjeçare dhe përbëhet nga: Dr. Vilma Ampova-Sokolov, Dr. Ivan Milev, Dr. Shpend Idrizi, Dr. Nikolla Hristov, së bashku me infermieret Sonja Rusevska, Vesna Milev dhe Suzana Kostovska i kryejnë vazhdimisht dhe me sukses procedurat TAVI.