Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

08.08.2023

Çfarë është gjinekomastia?

Gjinekomastia është një çrregullim i sistemit endokrin ku ndodh zmadhimi jo-kancerogjen i gjirit tek meshkujt. Gjinjtë e të dy gjinive janë të ndjeshëm ndaj ndikimeve hormonale. Sigurisht që këto ndikime reflektohen në masë më të vogël tek meshkujt, që do të thotë se edhe meshkujt mund të preken nga të njejtat sëmundje të gjirit si tek femrat, por shumë më rrallë. Gjinjtë tek meshkujt janë një organ rudimentar. Ato përbëhen nga indi dhjamor, një sasi e vogël indi lidhor dhe kanale të pazhvilluara në thithka.

Problemi më i shpeshtë që shfaqet në gjinjtë e meshkujve është pikërisht gjinekomastia, e cila është një rritje e njërit apo e të dy gjinjve tek meshkujve si pasojë e indit epitelial dhe stromal. Si fenomen fiziologjik paraqitet në periudhën neonatale nën ndikimin e hormoneve të nënës, në pubertet për shkak të shfaqjes së ndryshimeve hormonale fiziologjike, por mund të ndodhë edhe në pleqëri. Nëse shfaqet në një periudhë tjetër, duhet të bëhen teste shtesë. Statistikat tregojnë se një në tre burra nën moshën 40 vjeç kanë problem me një farë mase gjinekomastie.

Shkaku i gjinekomastisë mund të jetë hipertrofia ose zmadhimi i parenkimës së gjëndrave të gjirit dhe grumbullimi i depozitave në indin dhjamor nënlëkuror. Në moshën pesëdhjetë vjeçare, pothuajse gjysma e popullsisë mashkullore ka zmadhim të gjoksit.

Dallimi ndërmjet gjinekomastisë dhe lipomastisë

Trupi i njeriut ruan yndyrën në një mënyrë të përcaktuar tashmë nga gjenetika. Kjo do të thotë se si pasojë e gjenetikës, tek disa meshkuj depozitohet një sasi e caktuar e yndyrës së tepërt trupore në gjinj, duke shkaktuar kështu zmadhimin e tyre. Pavarësisht nga gjenetika, nëse konsumoni shumë yndyrë, trupi juaj nuk do të ketë hapësirë për ta përpunuar atë të gjithën, për këtë arsye, një pjesë përfundon në formën e dhjamit në gjinj/gjoks. Kjo quhet lipomastia.

Gjinekomastia nuk shoqërohet me yndyrë të tepërt të gjoksit. Ndodh për shkak të hipertrofisë së indit të gjëndrave si pasojë e çekuilibrit të nivelit të hormoneve të testosteronit dhe estrogjenit. Për këtë arsye, zakonisht shfaqet gjatë pubertetit ose në moshën e mesme, pas moshës pesëdhjetë vjeçare. Mund të ndodhë edhe si një efekt anësor i përdorimit të steroideve, të cilat ndikojnë në nivelin e hormoneve. Mund të shfaqet në një formë të lehtë ose ekstreme. Mund të ndodhë gjithashtu një kombinim i të dyja formave.

Gjinekomastia patologjike

Gjinekomastia patologjike ndodh për shkak të një rënie të testosteronit gjatë inflamacionit ose traumës së testikujve, kastrimit/sterilizimit, dështimit të veshkave ose një defekti metabolik në prodhimin e testosteronit. Gjithashtu shfaqet edhe në rastin e rritjes/zmadhimit të hormoneve të estrogjenit, që shfaqet si pasojë e pranisë së tumorit në testikuj, kancerit të mushkërive, sëmundjeve të gjëndrës mbiveshkore, mëlçisë, gjëndrës tiroide (tirotoksikoza). Mund të ndodhë edhe me përdorimin e shpeshtë të disa barnave, duke përfshirë të gjithë citostatikët, si dhe narkotikët.

Vlerësimi diagnostik

Bëhet një ekzaminim klinik i gjirit për të përcaktuar problemin e saktë.

  • Nëse bëhet fjalë për gjinekomasti apo pseudogjinekomastia (rritje të yndyrës supraareolare, por jo të indit të gjëndrave).
  • Për kryerjen e diagnozës diferenciale ndërmjet gjinekomastisë dhe kancerit të gjirit (indi i gjinekomastisë është i butë dhe elastik dhe ndodhet pak nën areolën, në mënyrë të dyanshme (bilaterale) tek 50% të rasteve; indi kanceroz është i ngurtë ose i fortë, jo poshtë areolës, shpesh i njëanshëm (unilateral).

Kushtojini vëmendje shenjave të mëposhtme:

  • Funksionit seksual (impotencë, ulje/rënje e dëshirës seksuale).
  • Madhësisë së testiseve (testikujt e vegjël tregojnë hipogonadizëm, asimetria sugjeron praninë e tumorit).
  • Qimeve (lloji mashkull ose femër)
  • Nëse keni prani të qumështit ose sekrecione të tjera gjatë shtypjes së gjoksit/gjinjve.
  • Nëse keni shenja të sëmundjes së mëlçisë.
  • Nëse keni histori të marrjes së disa barnave (spironolakton, trajtimi i kancerit të prostatës, ilaçe natyrale).

Shqyrtime laboratorike

Zbatimi i testeve laboratorike është prioriteti i parë. Zakonisht fillon me:

  • Testosteroni i serumit dhe globulina që lidhet me hormonet seksuale (sex-hormone binding globulin SHBG ) (+ testosteroni i lirë).
  • Estradiol në serum.
  • Hormoni luteinizues (LH) në serum.
  • TSH serum.
  • Beta-hCG serum.

Para se të merret një vendim, fillimisht duhet bërë ECO e gjinjve dhe më pas, së bashku me analizat e plota hormonale kërkohet ekzaminim nga mjeku specialist endokrinolog. Nëse endokrinologu arrin në përfundimin se gjinekomastia është e operueshme, në të ardhmen kryhet trajtimi kirurgjik.

Trajtimi kirurgjik i gjinekomastisë

Trajtimi kirurgjik për gjinekomastinë i referohet heqjes së indeve në zonën e gjirit. Në varësi të llojit të gjinekomastisë, pra nëse bëhet fjalë për lipomasti apo gjinekomasti, janë të mundshme dy procedura operative:

  • Liposuksion
  • Ekstirpimi periareolar i gjëndrës së gjirit

Liposuksioni është një procedurë operative në të cilën pas kryerjes së infiltrimit, me ndihmën e një kanile dhe nën vakum nxirret komponenti yndyror në zonën e gjirit.
Ekstirpimi i gjëndrës është një procedurë kirurgjikale ku, pasi bëhet një prerje gjysmërrethore në zonën e thithkës, përgatitet indi i gjëndrave të gjirit dhe më pas hiqet. Pas ekstirpimit të indit të gjëndrave të gjirit, është e nevojshme të bëhet një analizë patohistologjike e indit për të vendosur një diagnozë përfundimtare.

Rehabilitimi postoperativ

Pas operacionit, është e nevojshme të pushoni dhe të shmangni aktivitetet fizike. Qëndrimi në spital pas operacionit, në varësi të gjendjes së përgjithshme të pacientit, zgjat nga 1 deri në 2 ditë. Në periudhën pasuese, vijon trajtimi i mëtejshëm ambulator.
Në periudhën pas operacionit, është e nevojshme të vihet një fashë elastike ose një korse elastike për të kompresuar lëkurën në zonën e gjoksit/gjirit. Materiali i fashës kompresuese duhet të mbahet për një muaj.
Nëse pacienti që i është nënshtruar trajtimit kirurgjik për gjinekomasti është i angazhuar profesionalisht në një punë që nuk kërkon aktivitet fizik, kthimi në punë mund të bëhet dy javë pas operacionit. Nëse pacienti është i angazhuar profesionalisht në punë që kërkojnë aktivitet fizik, veçanërisht të gjymtyrëve të sipërme, kthimi në punë mund të bëhet një muaji pas operacionit. Me aktivitete sportive ose palestër, mund të vazhdoni një muaj pas vetë operacionit.

Pyetjet e bëra më shpesh:

  1. Sa kohë zgjat operacioni i gjinekomastisë?
    Kohëzgjatja e operacionit është 60-90 minuta.
  2. Në cilën moshë është më mirë të kryhet operacioni i gjinekomastisë?
    Gjinekomastia rekomandohet të kryhet më mirë pas pubertetit, pra gjatë adoleshencës.
  3. A kanë pacientët me gjinekomasti një rrezik më të lartë për të zhvilluar kancer të gjirit?
    Gjinekomastia nuk është prekanceroze, domethënë nuk ka një lidhje të vërtetuar shkencërisht ndërmjet gjinekomastisë dhe rrezikut të zhvillimit të kancerit të gjirit.
  4. Çfarë anestezie përdoret për kryerjen e operacionit të gjinekomastisë?
    Në varësi të gjendjes klinike të pacientit, gjinekomastia mund të kryhet edhe me anestezi lokale nëse gjinjtë nuk janë voluminoz.
  5. A është i dhimbshëm operacioni?
    Në periudhën pas operacionit kryhet terapi analgjezike, e cila redukton ndjesinë e dhimbjes.