Kardiomiopatia është një sëmundje e muskulit të zemrës që e bën më të vështirë punën e zemrës ose pompimin e gjakut nëpër trup. Kardiomiopatia mund të çojë në dështim të zemrës.
Ekzistojnë disa lloje themelore të kardiomiopatisë: e zgjeruar, hipertrofike dhe kufizuese. Lloji i trajtimit që merrni varet nga lloji i kardiomiopatisë që keni dhe sa e rëndë është ajo dhe mund të përfshijë: mjekim, implante kirurgjikale, operacion në zemër ose, në raste të rënda, transplantim të zemrës.
Simptomat
Në fazat e hershme të kardiomiopatisë mund të mos ketë shenja apo simptoma. Megjithatë, me përparimin e gjendjes, zakonisht shfaqen simptomat e mëposhtme:
- Humbje e frymëmarrjes gjatë aktivitetit fizik apo edhe kur pushoni
- Ënjtje e këmbëve, kyçeve të këmbëve
- Ënjtje/fryerje e barkut për shkak të akumulimit të lëngjeve
- Kollitje gjatë shtrirjes
- Vështirësi për të fjetur në pozicion horizontal
- Lodhje
- Rrahje zemre që ndjehet si një rrahje ose dridhje e shpejtë
- Parehati ose presion në kraharor
- Marramendje, dobësi dhe të fikët
Shenjat dhe simptomat priren të përkeqësohen nëse nuk trajtohen siç duhet. Tek disa persona, gjendja përkeqësohet shpejt; tek disa të tjerë, mund të kalojë një kohë e gjatë më pas të përkeqësohet.
Faktorët e rrezikut
Ka një sërë faktorësh që mund të rrisin rrezikun e kardiomiopatisë, këtu përfshihet:
- Histori familjare e kardiomiopatisë, dështimit të zemrës ose sulmit të papritur në zemër
- Presioni i lartë i gjakut apër një kohë të gjatë
- Sëmundjet që prekin zemrën, si sulmet e mëparshme në zemër, sëmundjet e arterieve koronare ose infeksionet e zemrës (kardiomiopatia ishemike)
- Obeziteti, i cili e bën zemrën të punojë në mënyrë të sforcuar
- Konsumimi i tepërt i alkoolit për një kohë të gjatë
- Drogat e paligjshme si kokaina, amfetaminat dhe steroidet anabolike
- Ilaçe të caktuara përtrajtimin e kancerit me kimioterapi dhe rrezatim.
Ekzistojnë edhe disa sëmundje të cilat gjithashtu rrisin rrezikun e kardiomiopatisë, si p.sh.
- Diabeti
- Sëmundjet e gjëndrës tiroide
- Akumulimi i tepërt i hekurit në trup (hemokromatoza)
- Amiloidoza
- Sarkoidoza
- Çrregullime të indit lidhës
Komplikimet
Kardiomiopatia mund të çojë në komplikime serioze, të tilla si:
- Dështimi i zemrës – kur zemra nuk mund të pompojë mjaftueshëm gjak për të plotësuar nevojat e trupit. Nëse nuk trajtohet, dështimi i zemrës mund të jetë kërcënues për jetën.
- Mpiksja e gjakut. Nëse zemra nuk mund të pompojë në mënyrë efikase, ka më shumë gjasa të formohen mpiksje të të gjakut në zemër. Nëse mpiksjet hyjnë në qarkullimin e gjakut, ato mund të bllokojnë rrjedhjen e gjakut në organe të tjera, duke përfshirë zemrën dhe trurin.
- Probleme me valvulat e zemrës. Për shkak se kardiomiopatia shkakton zmadhim të zemrës, valvulat mund të mos mbyllen siç duhet. Kjo mund të shkaktojë rrjedhje retrograde të gjakut në valvul.
- Sulmi në zemër dhe vdekja e papritur. Kardiomiopatia mund të shkaktojë një ritëm jonormal të zemrës që shkakton humbje të vetëdijes ose ndonjëherë vdekje të papritur nëse zemra ndalon së rrahuri në mënyrë efektive.
Parandalimi
Në shumë raste, kardiomiopatia nuk mund të parandalohet. Informoni mjekun tuaj nëse keni një histori familjare të kësaj gjendje.
Për të zvogëluar rrezikun e kardiomiopatisë ose sëmundjeve të tjera të zemrës, është mirë të mbani një mënyrë jetese të shëndetshme dhe të krijoni zakone të tilla si:
- Të shmangni konsumin e alkoolit ose kokainës
- Të kryeni kontrolle të rregullta të presionit të lartë të gjakut, kolesterolit të lartë dhe diabetit
- Të konsumoni një dietë të shëndetshme
- Të kryeni ushtrime rregullisht
- Të flini mjaftueshëm (të bëni gjumë të mirë)
- Të kontrolloni apo shmnagni stresin.
Ekipi multidisiplinar që kujdeset dhe trajton në mënyrë profesionale të gjitha sëmundjet e zemrës në Spitalin klinik Zhan Mitrev përbëhet nga kardiologë, kardiologë pediatër, kardiologë intervenues, kardiokirurgë, si dhe anesteziologë dhe specialistë të kujdesit intensiv të cilët janë të specializuar për trajtimin e pacientëve me sëmundje të zemrës dhe sëbashku bisedojnë dhe vendosin për zgjidhjen më të mirë për shëndetin e çdo pacienti.