Këshilla se si të mbroheni nga vala e të nxehtit

Çdo vit temperaturat e larta dëmtojnë shëndetin e shumë njerëzve, sidomos të të moshuarve. Vala e të nxehtit mund të shkaktojë rraskapitje, sulm në zemër ose konfuzion dhe mund të përkeqësojë gjendjet ekzistuese si sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes.

Temperaturat jashtëzakonisht të larta kanë ndikime të përhapura në shëndetin e njeriut, bujqësinë, ekosistemet dhe infrastrukturën. Ato shkaktojnë edhe zjarre shkatërruese në pyje, siç ishte zjarri që shpërtheu në vendin tonë në Berovë si dhe në Greqi vetëm pak ditë më parë.

Përfaqësuesit e Organizatës Botërore Meteorologjike thanë se ka një rritje e pazakontë të temperaturave të cilat kanë arritur mbi 30 gradë në Norvegji dhe pjesët të tjera të Evropës veriore, duke shkaktuar tharje dhe zjarre në pyje. Sipas tyre, pritet rritje e valëve të nxehta. Megjithatë, duhet ditur se ndikimi i tyre në shëndet mund të parandalohet ose zbutet në masë të konsiderueshme.

Këshilla të përgjithshme për t’u zbatuar gjatë valëve të nxehta të motit
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, këto janë këshillat e rekomanduara:

  • Ndiqni rekomandimet e autoriteteve tuaja shëndetësore lokale.
  • Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët duke kontrolluar rregullisht temperaturën. Temperatura ideale duhet të jetë nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës.
  • Mbyllni dritaret gjatë ditës dhe mbyllni grilat. Hapni dritaret vetëm në mbrëmje dhe herët në mëngjes.
  • Qëndroni në dhomën apo ambientin më të freskët në shtëpinë tuaj, veçanërisht gjatë natës. Shmangni daljet gjatë periudhës më të nxehtë të ditës.
  • Nëse mundeni, shmangni aktivitetin e rëndë fizik.
  • Qëndroni në hije.
  • Mos lini fëmijë apo kafshët shtëpiake në automjete të parkuara.
  • Mbani trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar. Bëni dush të ftohtë ose banjë. Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme (të gjëra) të përpunuara nga materiale pambuku natyral. Vishni kapelë me strehë të gjerë dhe syze dielli. Përdorni çarçafë të lehtë, pa jastëk, për të shmangur akumulimin e nxehtësisë. Pini lëngje rregullisht, por shmangni alkoolin dhe konsumin e tepërt të kafeinës dhe sheqerit. Mos e teproni me ushqimin, konsumoni vakte më të vogla dhe më të shpeshta. Shmangni ushqimet që janë të pasura me proteina.
  • Nëse jeni duke marrë medikamente, konsultohuni me mjekun tuaj se si ato medikamente mund të ndikojnë në termorregullimin dhe ekuilibrin e lëngjeve.
  • Ruani medikamentet në temperaturë nën 25°C ose në frigorifer (lexoni udhëzimet për ruajtjen e paketimit).
  • Jini gjithmonë në kontakt me mjekun tuaj nëse keni ndonjë gjendje shëndetësore kronike ose jeni duke marrë terapi të kombinuar barnash.
  • Nëse ju (ose persona të tjerë përreth jush) nuk ndiheni mirë, keni marramendje, dobësi, ankth, etje, të fortë ose dhimbje koke, kërkoni ndihmë. Zgjidhni vende më të freskëta sa më shpejt të jetë e mundur dhe matni temperaturën e trupit tuaj. Pini më tepër ujë ose lëng frutash për të qëndruar të hidratuar. Qëndroni në vend të freskët nëse keni spazma/kontraktime të dhimbshme të muskujve; pini lëngje hidratuese që përmbajnë elektrolite; dhe kërkoni ndihmë nëse kontraktimet e shkkaktuara nga valet e të nxehtit zgjasin më shumë se një orë.
  • Kontaktoni mjekun tuaj nëse keni simptoma të pazakonta ose nëse simptomat vazhdojnë.
  • Nëse dikush ka lëkurë të thatë të nxehtë, delirium/të fikët, kriza dhe/ose është pa ndjenja, kontaktoni menjëherë mjekun ose ambulancën për dhënien e ndihmës së shpejtë.

Gjithçka që duhet të dini për vezoret policistike

Sindroma e vezores policistike (PCOS polycystic ovarian syndrome) është një sëmundje hormonale gjinekologjike që shfaqet te gratë në moshën riprodhuese. Gratë me këtë sindromë shpesh kanë cikle menstruale të rralla ose të zgjatura, kanë nivele të larta të hormoneve mashkullore (androgjene) dhe shpesh kanë vezore me një numër të madh kistesh të vogla deri në 10 mm (folikula) që nuk arrijnë të lëshojnë qeliza vezore në mes të ciklit menstrual.

Shkaku i saktë i PCOS është i panjohur. Diagnoza dhe trajtimi i hershëm së bashku me rregullimin (kontrollin) e peshës trupore mund të zvogëlojnë rrezikun e komplikimeve afatgjata si diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.

Simptomat e PCOS shpesh shfaqen në adoleshencë, por ndonjëherë PCOS zhvillohet më vonë, për shembull, si rezultat i shtimit të konsiderueshëm i peshës trupore.

Simptomat e PCOS mund të ndryshojnë, por më të zakonshmet janë:

  • Menstruacionet e parregullta – Ciklet menstruale të rralla, të parregullta ose të zgjatura janë ndër shenjat më të zakonshme të PCOS.
  • Niveli i lartë i androgjenit – Qime në fytyrë dhe trup (hirsutizëm) dhe nganjëherë akne dhe humbje (rënie) e flokëve e tipit mashkullor.
  • Vezoret policistike – Vezoret mund të jenë të zmadhuara, me një numër të madh të folikulave të paruptura, pra vezoret nuk funksionojnë normalisht. Shenjat dhe simptomat e PCOS janë zakonisht më të rënda nëse jeni mbipeshë.

Shkaqet

Shkaku i saktë i PCOS është i panjohur. Faktorët që janë identifikuar si të aftë për të ndikuar janë:

  • Nivel i lartë i insulinës. Insulina është një hormon që prodhohet në pankreas që lejon qelizat të përdorin sheqer. Nëse qelizat tuaja bëhen rezistente ndaj veprimit të insulinës, atëherë nivelet e sheqerit në gjak rriten dhe trupi juaj prodhon më shumë insulinë. Insulina e tepërt mund të rrisë prodhimin e androgjenit, duke shkaktuar vështirësi me ovulimin.
  • Niveli kronik i ulët i inflamacionit. Ky term përdoret për të përshkruar prodhimin e shënuesve inflamatorë që stimulojnë vezoret policistike për të prodhuar androgjene, të cilat mund të çojnë në probleme të zemrës dhe enëve të gjakut.
  • Trashëgimia. Hulumtimet sugjerojnë se disa gjene mund të lidhen me PCOS.
  • Niveli i lartë i androgjenit. Vezoret prodhojnë nivele të larta të androgjeneve, duke rezultuar në hirsutizëm dhe akne.

Komplikimet

  • Steriliteti
  • Diabeti gestacional ose presioni i lartë i gjakut
  • Aborti ose lindja e parakohshme
  • Sindroma metabolike – një grup kushtesh duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, sheqerin e lartë në gjak dhe nivele jonormale të kolesterolit ose triglicerideve që rrisin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare
  • Diabeti i tipit 2 ose prediabeti
  • Depresioni, ankthi dhe çrregullimet e të ushqyerit
  • Gjakderdhje anormale e mitrës
  • Kanceri i mukozës së mitrës (kanceri endometrial).

Terapia

Terapia fokusohet në problemet dhe nevojat individuale, si infertiliteti, hirsutizmi, aknet ose obeziteti.
Ndryshimet e stilit të jetesës
Humbja e peshës përmes një diete me kalori të ulët të kombinuar me stërvitje/ ushtrime të moderuara. Humbja e peshës gjithashtu mund të rrisë efektivitetin e ilaçeve për PCOS dhe mund të ndihmojë me infertilitetin.

Medikamentet

Rregullimi i ciklit menstrual:

  • Pilula kontraceptive të kombinuara. Pilulat që përmbajnë estrogjen dhe progestinë reduktojnë prodhimin e androgjeneve dhe rregullojnë estrogjenin.
  • Terapia me progestin. Marrja e progestinit për 10 deri në 14 ditë çdo një deri në dy muaj mund të rregullojë ciklin menstrual dhe të mbrojë kundër kancerit endometrial. Trajtimi i infertilitetit, stimuluesit e ovulacionit si Klomifeni, Letrozoli (Femara), Gonadotropina
  • Metformina. Ilaç për diabetin e tipit 2 përmirëson rezistencën ndaj insulinës dhe ul nivelet e insulinës.
  • Anti-androgjenet si Spironolactone (Aldactone). Ky ilaç bllokon efektet e androgjenëve në lëkurë. Spironolactone mund të shkaktojë defekte të lindjes, kështu që kërkohet kontracepsion efektiv gjatë marrjes së këtij ilaçi.

Për të zvogëluar efektet e PCOS, mundohuni të:

  • Mbani nën kontroll peshën trupore. Humbja e peshës mund të ulë nivelet e insulinës dhe androgjenit dhe mund të rivendosë ovulacionin.
  • Kufizoni marrjen e karbohidrateve.
  • Merreni me aktivitet fizik. Ushtrimet ndihmojnë në uljen e niveleve të sheqerit në gjak. Nëse keni PCOS, rritja e aktivitetit tuaj ditor mund të trajtojë dhe madje të parandalojë rezistencën ndaj insulinës.

Dr. Irena Andonova
Specialiste në gjinekologji dhe obstetrikë

Njoftim

Lidhur me sulmet dhe akuzat e mëparshme me të cilat po përballemi këto ditë, dëshirojmë të theksojmë si mëposhtë:
Në Spitalin klinik Zhan Mitrev Shkup nuk është kryer asnjë provë klinike dhe botimi i publikuar nuk është dhe nuk mund të përfaqësojë provë klinike. Në fakt, është një punim shkencor me rezultate të sublimuara laboratorike dhe përvoja të përdorimit të kësaj metode trajtimi.

Prova klinike e pajisjeve mjekësore nënkupton zbulim, domethënë konfirmim të sigurisë së pajisjeve mjekësore, dobisë së tyre dhe përputhshmërisë me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta në përputhje me qëllimin e përcaktuar nga ana e prodhuesit, ndërsa sponsori i provës klinike ose personi përfaqësues i autorizuar i tij është i detyruar të raportojë ekzaminimin klinik në Malmed. Në këtë kontekst, Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup as nuk ka bërë kontroll të sigurisë së pajisjes mjekësore për hemofiltrim (pasi që ky është obligim i prodhuesit të pajisjes mjekësore), as nuk është sponsor apo përfaqësues i autorizuar që të mund të raportojë, të kërkojë ose të marrë leje për kryerjen e provave klinike.

Përdorimi i pajisjejes mjekësore për hemofiltrim është një metodë trajtimi dhe çdo përdorim i pajisjejes mjekësore nuk është dhe nuk mund të përbëjë një provë klinike.

Para së gjithash, ne kemi trajtuar pacientë nga pasojat e shkaktuara nga virusi COVID-19 sipas të gjitha burimeve të lejuara, duke përfshirë edhe hemofiltrimin – metodë e çertifikuar ndërkombëtarisht.
Për përdorimin e kësaj pajisjeje mjekësore (filtrave), Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup ka leje dhe aprovime përkatëse nga organet kompetente, të cilat i ka marrë si blerës në pajtim me marrëveshjen e lidhur për shitje dhe i ka përdorur si blerës – për mjekim, jo si sponsor.

Sipas kontratës për blerjen dhe shitjen e pajisjes mjekësore, Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup nuk është caktuar si qendër kërkimore, për të cilën është e nevojshme që të ketë marrëveshje të veçantë me shitësin për provë klinike në përputhje me kërkesat përkatëse të Rregullores nga Ministria e Shëndetësisë dhe as nuk është parashtruese e autorizuar e kërkesës për ekzaminim klinik sipas rregulloreve ligjore.
Shitësi i pajisjes (aparatit) mjekësore i ka dorëzuar Spitalit klinik Zhan Mitrev Shkup Vendim me të cilin lejohet shitja dhe përdorimi i asaj pajisjeje, që nënkupton se shitësi/prodhuesi ka ofruar dokumentin e duhur për pajtueshmëri.

Prandaj, Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup, si dhe institucionet e tjera shëndetësore që kanë blerë dhe përdorin një pajisje të tillë, nuk janë kompetente për të kryer asnjë ekzaminim të kësaj pajisjeje, përdorimi i së cilës tashmë është miratuar nga organi kompetent shtetëror.

Theksojmë se të dhënat e nxjerra nga faqet e internetit në shtete të tjera dhe sisteme të tjera shëndetësore nuk synohen si dëshmi se është kryer provë klinike sipas rregulloreve të provës klinike të RMV. Pavarësisht se si dikush dëshiron të interpretojë punimet tona profesionale të publikuara dhe përvojat e përbashkëta të trajtimit, përsëri theksojmë se nuk përbën një provë klinike sistematike.

Në lidhje me infeksionet intraspitalore, sqarojmë se Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup i përmbush të gjitha obligimet e parashikuara për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive në lidhje me infeksionet intraspitalore d.m.th.: ka marrë Vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Infeksione Intraspitalore. , ka miratuar programin e kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve intraspitalore për vitet 2021 deri në 2023, kriteret për fillimin e hetimit të infeksioneve intraspitalore, kontrollin e higjienës, planin e kontrollit të infeksioneve intraspitalore, metodologjitë e monitorimit të infeksioneve intraspitalore, sistemin e mbikëqyrjes së infeksioneve intraspitalore, si dhe posedon të gjitha aktet e tjera individuale të përcaktuara sipas rregulloreve për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive.

Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup ka 22 vite që funksionon në përputhje me ligjet dhe rregulloret e këtij vendi dhe pokështu do të vazhdojë të funksionojë.

Prandaj jemi të tmerruar nga ky sulm publik i inskenuar, i cili shfrytëzon tragjedinë e disa familjeve, duke krijuar një pamje krejtësisht të deformuar për trajtimin e pacientëve me COVID-19, qasjen mjekësore dhe institucionet që u kujdesën për pacientët e sëmurë rëndë gjatë pandemisë.

Theksojmë se në ambientet tona shëndetësore janë trajtuar një numër i madh pacientësh nga COVID-19 dhe vetëm në disa prej tyre është përdorur hemofiltrim, sipas vlerësimit të mjekëve përgjegjës për çdo rast përkatësisht. Pacientëve të cilët nuk i janë nënshtruar hemofiltrimit u janë kthyer paratë e parashikuara për hemofiltrim, për të cilat ka dokumentacion të rregullt kontabiliteti. Vërtet nuk e kuptojmë pse nuk shkruhet për të gjithë ata pacientë të shëruar me sukses nga COVID-19 që u pranuan në spital me gjendje klinike të rëndë dhe pikërisht për shkak të trajtimit me hemofiltrim i’u është mundësuar shpëtimi i jetës.

Ne vazhdojmë të kryejmë aktivitetin shëndetësor në interes të pacientëve tanë në mënyrë jashtëzakonisht profesionale dhe të përgjegjshme. Inkurajojmë të gjitha autoritetet inspektuese, si shumë herë më parë, të kryejnë të gjitha kontrollet dhe mbikëqyrjet e nevojshme, të cilave do t’u dorëzohet i gjithë dokumentacioni që kemi në dispozicion, në mënyrë që autoritetet kompetente profesionale të hedhin poshtë të gjitha falsitetet dhe paqartësitë e publikuara.

Me respekt,
Spitali klinik Zhan Mitrev Shkup

Njoftim

Ju njoftojmë se gjatë ditëve të fundit personat përgjegjës nga Spitali klinik Zhan Mitrev kanë qenë në kontakt me shërbimet inspektuese nga MALMED, DSZI, si dhe me Prokurorinë Themelore Publike (OJO) dhe Ministrinë e Brendshme, me qëllim dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar.
Sikurse edhe më parë, në interes të konstatimit të gjendjes faktike, mbetemi në dispozicion për bashkëpunim me të gjitha autoritetet zyrtare shtetërore.

U bëjmë thirrje mediave dhe të gjithë të interesuarve që të përmbahen nga konkluzione të parakohshme dhe spekulime të ndryshme.

Njoftim

Duke pasur parasysh se këto ditë në media janë publikuar informacione të rreme dhe fyese lidhur me punën e Spitalit klinik Zhan Mitrev dhe Akademik Dr. Zhan Mitrev, dëshirojmë të informojmë publikun, mediumet dhe të gjithë pacientët tanë si mëposhtë:
Spitali klinik Zhan Mitrev prej 22 vitesh punon me sukses në dobi të qytetarëve, duke u ofruar atyre shërbime të certifikuara sipas standardeve botërore, kujdes profesional që synon përmirësimin e shëndetit, gjë që është dëshmuar në raste të panumërta të suksesshme. Kjo qasje vazhdoi të zbatohej edhe gjatë pandemisë botërore të shkaktuar nga virusi COVID-19, gjatë së cilës klinika, me shumë mund dhe vullnet të pamasë nga punonjësit e saj, kontribuoi në shpëtimin e një numri të madh jetësh.

Jemi vërtet të tmerruar nga gjuha e urrejtjes tendencioze e përdorur kundër institucionit tonë, si dhe nga akuzat e pasakta, nga informacionet e fabrikuara që synojnë vetëm krijimin e një imazhi të rremë në publikun e gjerë për punën e Spitalit klinik Zhan Mitrev. Është e qartë se ky informacion i rremë është krijuar me qëllim për të deformuar faktet në lidhje me punën e suksesshme afatgjatë të Spitalit klinik Zhan Mitrev, ku punojnë më shumë se 400 ekspertë dhe profesionistë nën drejtimin e doktor Zhan Mitrev.

Kualifikimet e pavërteta të publikuara në media këto ditë kanë si synim dëmtimin e qëllimshëm të nderit dhe reputacionit të Spitalit klinik dhe nuk përputhen aspak me të vërtetën. Ato janë gjithashtu shqetësuese për pacientët tanë dhe të afërmit e tyre, të gjithë ekipin tonë që kanë punuar me përkushtim dhe ndershmëri gjatë gjithë këtyre viteve. Si institucion, ne praktikojmë ekskluzivisht mjekësinë e bazuar në dëshmi. Që nga fillimi, por edhe në të ardhmen, kemi qenë dhe do të mbetemi profesionistë në kryerjen e aktivitetit tonë dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë me kujdes dhe me profesionalizëm pacientët tanë që të përmirësojnë plotësisht shëndetin e tyre.

Hapat tanë të ardhshëm do të jenë në drejtim të përdorimit të të gjitha mundësive ligjore në përputhje me ligjet, me qëllim parandalimin e këtyre dhe të gjitha sulmeve të tilla e të ngjashme të pabaza ndaj institucionit tonë.

Kurs dyditor për dhënien e ndihmës së parë në bashkëpunim me Ambasadën Hollandeze

Në periudhën nga 11 deri më 12 korrik në ambientet e klinikës sonë në bashkëpunim me punonjësit e Ambasadës Holandeze në Shkup është mbajtur kursi dyditor për dhënien e ndihmës së parë.
Gjatë kursit, pjesëmarrësit u njohën me parimet bazë të ndihmës së parë. Në të njëjtën kohë, ata morën njohje teorike dhe praktike në lidhje me procedurat e ofrimit të ndihmës së parë.

Gjatë ditës së parë u demostruan situata të tilla si: reanimim kardiopulmonar, përdorim i defibrilatorit automatik, mbytje, infarkt, shoku anafilaktik, sulm astmatik, atak epileptik, koma hipo dhe hiperglicemike. Gjatë ditës së dytë, përmes edukimit teorik dhe praktik, pjesëmarrësit fituan aftësitë e ndihmës së parë për fraktura, lëndime të indeve të buta, lëndime të shtyllës kurrizore, lëndime në kokë, goditja nga të nxehtit, goditja nga dielli, djegie, goditje elektrike, ngrirje, si dhe lëndime të syve.

Trajnerët tanë ishin Dr. Tanja Angjusheva dhe fizioterapisti Nikodin Veljanovski. Falenderojmë Ambasadën Holandeze në Shkup për besimin ndaj klinikës dhe stafit të klinikës tonë.

Mbajtja e kursit të parë të çertifikuar për MRI të zemrës

Më 7 dhe 8 korrik 2022, në ambientet e Spitalit klinik Zhan Mitrev u mbajt kursi i parë dyditor i rezonancës magnetike të zemrës i organizuar nga Shoqata e Kardiologjisë Maqedonase me mbështetjen e Shoqatës Evropiane për Imazhe Kardiovaskulare (EACVI).

Në këtë kurs more pjesë mjekë kardiologë dhe radiologë nga vendi ynë, dhe përmes një sërë leksionesh teorike dhe një sesioni praktik “hands-on” ata morën njohuri bazë për këtë mjet të fuqishëm diagnostikues dhe prognostik modern, joinvaziv, që po merr një vrull gjithnjë më të madh në përdorimin e tij në nivel botëror dhe dhe evropianë përsa i përket indikacioneve dhe rekomandimeve për praktikën e kardiologjisë moderne të bazuar në fakte.

Imazhi i rezonancës magnetike të zemrës është standardi i artë për vlerësimin joinvaziv të strukturës, funksionit dhe karakteristikave të indeve të strukturave kardiake. Një nga indikacionet bazë është miokarditi, kardiomiopatitë, insuficienca kardiake me etiologji të panjohur, defekte kongjenitale, sëmundje ishemike të zemrës, tumore të zemrës, sëmundje perikardiale.

Ligjëratat u mbajtën nga ekspertë të lartë botërorë në fushën e rezonancës magnetike kardiake si Robin Nijveldt (zëvendës president i EACVI-CMR section), Chiara Bucciarelli-Ducci (CEO of Society of cardiac magnetic resonance), Tomaz Podlesnikar, Bostijan Berlot, Saloua El Messaouidi dhe Jadranka Stojanovska.
Ligjërata të kombinuara në fushën e ekokardiografisë si metodë krahasuese u mbajtën nga ligjërues me përvojë në vendin tonë si Dr. Tanja Angjusheva, Prof. Dr. Ljubica Georgievska – Ismail, Prof. Dr. Elizabeta Srbinovska, Prof. Dr. Maria Vavloukis dhe ligjërata në fushën e rezonancës magnetike të zemrës mbajtur nga Dr. Pllaninka Zafirovska.

Pjesëmarrësit morën certifikatë për rezonancë magnetike të zemrës për përfunindimin e nivelit të parë (CMR Niveli I) mbështetur nga EACVI dhe akredituar nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë.

Tendiniti: simptomat, shkaqet dhe trajtimi

Tendiniti është inflamacion ose acarim i tendinave, ligamenteve të hollë që lidhin muskujt me kockat. Zakonisht ndodh pas lëndimeve të përsëritura të kyçeve, veçanërisht kyçeve të duarve ose kyçeve të këmbës.

Edhe pse tendiniti mund të shkaktohet nga lëndime të papritura, më së shpeshti ndodh për shkak të përsëritjes së të njëjtës lëvizje me kalimin e kohës. Prandaj, zakonisht ndodh edhe në gjunjë, thembra, bërryla ose shpatulla.

Cilat janë simptomat?

  • Ndjeshmëria
  • Ënjtje
  • Dhimbje, veçanërisht gjatë lëvizjes së kyçit të prekur
  • Ngurtësia

Cilët janë faktorët e rrezikut për tendinitin?

  • Mosha – me kalimin e moshës tendinat humbasin fleksibilitetin, duke i bërë ato më të prirura ndaj lëndimeve.
  • Profesioni – tendiniti zakonisht shfaqet në profesionet që kërkojnë lëvizje të përsëritura, tendosje të lartë fizike ose qëndrime të vështira.
  • Sportet – sportet si basketbolli, tenisi, noti, atletika ose golfi shpesh shoqërohen me tendinit. Në fakt, ka lloje të ndryshme të tendinitit në varësi të sportit që mund ta ketë shkaktuar, si p.sh. “bërryli i tenisit” apo “shpatulla e notarit”. Në këto raste është shumë e rëndësishme të ndiqni teknikat e duhura për të shmangur tendinitin.
  • Sëmundje të tilla si diabeti ose artriti reumatoid.

Cili është trajtimi?

Tendiniti duhet të trajtohet sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të tendinit dhe për të shkaktuar këputjen e tij.

Shumica e rasteve të tendinitit mund të trajtohen me pushim, terapi fizikale dhe medikamente anti-inflamatore për të reduktuar dhimbjen dhe ënjtjen. Megjithatë, në raste më të rënda, mund të nevojiten trajtime të tjera si kirurgjia ose injeksione steroide.

Nëse simptomat janë të pranishme për disa ditë dhe ndikojnë në aktivitetet tuaja të përditshme, rekomandohet të shkoni te mjeku, për të vendosur një diagnozë të saktë përmes historisë suaj mjekësore, ekzaminimit fizik dhe imazherisë radiologjike.

Shërbimi i Kirurgjisë Ortopedike dhe Traumatologjisë në Spitalin klinik Zhan Mitrev përbëhet nga disa ekipe mjekësore që kanë përvojë në aplikimin e trajtimeve më të avancuara. Pacientët marrin një qasje të personalizuar gjatë procesit të diagnostikimit, trajtimit dhe rehabilitimit.

Rezervoni terminin tuaj në 00389 2 3091 484