Intervistë: Dr. Vilma Ampova Sokolov – gruaja e vetme intervente kardiologe në vend

Dr. Vilma Ampova Sokolov, kardiologjia intervenuese është një sfidë e madhe, një nga nënspecialitetet më intriguese dhe emocionuese të kardiologjisë. Fillimisht, si vendosët të subspecializonit në kardiologji?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Në Klinikën Zhan Mitrev punoj që nga viti 2002 (kam filluar punën më 1 prill), në atë kohë Filip Vtori/ Filipi i Dytë, në një repart me 6 shtretër intensive, 6 gjysëm intensivë, një sallë dhe 6-9 operacione në ditë, për një mjek të ri që sapo ka dalë nga bankat e shkollës është tronditëse por edhe një sfidë e madhe. Fillova të punoja në kujdesin intensiv dhe vazhdova me edukimin si mjeke e re në të gjitha departamentet. Kur doktor Mitrev më pyeti se për çfarë do të specializohesha, i thashë anestezi ose kardiokirurgji, ndërkohë që shpesh hyja në angiosallën ku kishim më pak pacientë, por interesimi im ishte shumë i madh.

Ka shumë të ngjarë që doktor Mitrev ta ketë vërejtur momentin e interesimit tim për kardiologjinë intervenuese dhe më pas më këshilloi “merr si specializim mjekësinë interne, pastaj mund të subspecializohesh në atë që të intereson më shumë”. Ashtu bëra dhe nuk gabova. U regjistrova për specializim në mjekësinë interne, më pas u subspecializova në fushën e kardiologjisë.
Në atë kohë 22 vjet më parë por edhe sot, bota po punon intensivisht, madje mund të them me agresivitet për trajtimin e sëmundjeve të rënda të zemrës dhe enëve të gjakut me procedura minimale invazive (pa kirurgji). Kardiokirurgjia dhe kardiologjia intervenuese plotësojnë njëra-tjetrën në trajtimin e sëmundjeve të rënda të zemrës dhe enëve të gjakut.

Kështu fillova karrierën time si kardiologe intervenuese. Kushtet në të cilat kam filluar të punoj dhe në të cilat punoj më kanë mundësuar vërtetë të eci përpara, e veçanërisht përkrahja e madhe që doktor Mitrev i jep secilit punonjës për arsimim të mëtejshëm dhe arritje të nivelit maksimal në realizimin profesional.

Si është të jesh grua në kardiologjinë intervenuese, një fushë në të cilën dominojnë meshkujt? Pse ka kaq pak kardiologe intervenuese femra dhe a jeni përballur ndoshta me ndonjë paragjykim në punën tuaj, si nga kolegët, ashtu edhe nga pacientët?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Nuk shoh absolutisht asnjë ndryshim midis burrave dhe grave, sikurse në shumë profesione të tjera. Nuk jam përballur me asnjë paragjykim, as në klinikën tonë, as jashtë saj dhe nuk e mendoj fare, është thjesht profesioni im me të cilin më njohin kolegët dhe pacientët e mi. Kam bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë kolegët që punojnë në kardiologjinë intervenuese në vendin tonë, si dhe shumë kolegë jashtë vendit.

Ndoshta ka më pak femra kardiologe intervenuese për shkak të kushteve në të cilat ne punojmë (ekspozimi ndaj rrezeve X gjatë procedurave), si dhe për shkak të mëmësisë (shtatzënisë), që personalisht nuk e shoh si pengesë në punë, pasi edhe për raste të tilla ekzistojnë rregulla dhe protokolle. Prej 22 vitesh jam marrë shumë seriozisht në fushën e kardiologjisë, është një periudhë e gjatë angazhimi serioz në çdo gjë që bëj. Gjatë gjithë kësaj kohe kam ndihmuar shumë pacientë dhe të afërm e miq të tyre, ndaj nuk mund të bëhet fjalë për paragjykim, të paktën nuk e kam ndjerë kurrë.
Në karrierën time kam bërë shumë ndërhyrje, punoj gjithçka që është kardiologji joinvazive dhe invazive si dhe kardio imazhe dhe jam krenare për gjithçka kam arritur deri tani.

Një nga arsyet pse femrat kardiologe nuk duan të merren me fushën e ndërhyrjes/intervenimit është frika nga ekspozimi ndaj rrezatimit dhe frika për shtatzënitë e ardhshme. A është e justifikuar kjo frikë?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Siç e përmenda, mund të ketë më pak kardiologe intervenuese femra për shkak të kushteve në të cilat punojmë (ekspozimi ndaj rrezeve X gjatë procedurave), si dhe mëmësia (shtatzania). Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, kjo frikë është e pajustifikuar.
Disponojmë pajisjet më moderne për diagnostikim, trajtim dhe mbrojtje, si për stafin ashtu edhe për pacientët. I gjithë departamenti i angiografisë është i ndërtuar për të respektuar të gjitha standardet e mundshme për punën dhe mbrojtjen e punonjësve dhe pacientëve. Prandaj punoj pa frikën më të vogël dhe pa asnjë dyshim, si unë, ashtu edhe kolegët e mi.
Unë jam kardiologia e parë intervenuese femër në vend dhe jam krenare për këtë. Më vjen mirë kur dëgjoj se numri i kardiologëve intervenues femra është në rritje.

I inkurajoj dhe i mbështes të gjitha gratë në fushën e mjekësisë që të mos kenë frikë dhe nëse kanë dëshirë të punojnë në profesionin tim ta pranojnë sfidën. Thjesht duhet ta duash atë që bën.
Sot jam realizuar si grua, në aspektin profesional, si nënë dhe si bashkëshorte.

A është e nevojshme një përgatitje e mirë fizike dhe mbajtja e formës, duke pasur parasysh që në punë mbani çdo ditë përparëse plumbi, të cilat janë të rënda dhe mund të shfaqin probleme me shtyllën kurrizore?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: E gjithë kjo është shndërruar në një zakon me vite punë dhe një lloj stërvitjeje/trajnimi i trupit dhe psikës. Ndonjëherë kryhen ndërhyrje që në kuptimin e plotë të fjalës shpëtojnë jetë, dhe si procedura zgjasin shumë, sigurisht që jam e përgatitur fizikisht dhe mendërisht për këtë. Me kalimin e viteve kam mësuar të mbaj qëndrimin dhe pozicionin e duhur të trupit pavarësisht veshjes mbrojtëse prej plumbi, që është vërtet e rëndë, dhe këtu mund të them se që prej 20 vitesh pesha e përparëses prej plumbi ka ardhur duke u zvogëluar (dhe ka pasur një evolucion në atë aspekt) për punë më komode në sallën e angiografisë dhe sigurisht mbrojtje më të mirë.

Puna është kërkuese dhe e lodhshme, me telefonata dhe disponueshmëri 24/7, si arrini ta balanconi atë me angazhimet tuaja personale? A vuan shpesh familja për shkak të profesionit?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Në jetë ju ofrohen shumë shanse për sukses, gjëja më e rëndësishme është t’i njihni/dalloni ato. Kur vendosa të ushtroja profesionin e mjekësisë, dhe më vonë kur fillova të punoja në klinikën Zhan Mitrev, e dija se do të duhej investim dhe përkushtim maksimal, kështu që unë e kam zgjidhur këtë dilemë. Natyrisht që familja deri diku vuan, por unë deri tani kam balancuar mirë dhe i’a dalë. Edhe pse im bir është 14 vjeç, ai është i informuar në mënyrë perfekte për seriozitetin e profesionit tim, si dhe bashkëshorti im, i cili më mbështet 100% në punën që bëj.

Cilat janë procedurat invazive më të zakonshme që kryeni?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Çdo gjë që kryhet në sallën e angiografisë quhet procedurë invazive, qofshin ato diagnostike (koronarografia, karotidografia – imazheria e artereve të qafës dhe të trurit, angiografia periferike – imazheria e arterieve të ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme, aortografia – imazheria e të gjithë aortë, flebografia – imazhi i venave, kateterizimi i zemrës djathtas dhe majtas dhe shumë të tjera) ose procedura invazive të trajtimit (stentimi i arteries së zemrës, stentimi i arterieve të tjera të trupit si arteriet e ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme, arteriet e qafës dhe trurit. , stentimi i aortës dhe së fundmi trajtimi i sëmundjes së aortës (stenozës) me procedurë invazive ose siç e quajmë zëvendësim të valvulës aortale transkateterike (procedura TAVI – trajtimi i valvulës së zemrës pa kirurgji).

Çfarë është procedura TAVI, tek cilët pacientë kryhet dhe cilat janë avantazhet e saj?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Procedura TAVI (Trans catheter Aortic Valve Implantation) është një operacion kompleks i zëvendësimit (implantimit) të valvulës aortale pa kirurgji të hapur në zemër. Ndërhyrje të tilla kryhen te pacientët me shkallë të rëndë të stenozës së aortës, e cila është sëmundje e fituar e zemrës. Zakonisht, pacientët sëmuren në fëmijëri, dhe shkak për këtë janë ethet reumatizmale. Sëmundja zhvillohet më pas gjatë disa viteve dhe përparimi është individual dhe mund të zgjasë deri në 15-20 vjet. Zakonisht, identifikohet si një zhurmë e zemrës që vazhdon të jetë e pranishme gjatë gjithë rrjedhës së sëmundjes.

Me aplikimin e ekokardiografisë përcaktohet shkalla e sëmundjes dhe jepen rekomandime për monitorim apo trajtim të mëtejshëm. Ecuria e sëmundjes së aortës (stenozës) manifestohet te pacientët me simptoma si: lodhje, gulçim, dhimbje gjoksi, marramendje që bëhet më e theksuar gjatë sforcimit dhe ndonjëherë edhe me humbje të vetëdijes.

Gjatë një gjendje të tillë, që është një shkallë e rëndë e sëmundjes dhe janë të pranishme simptomat e lartpërmendura, rekomandohet trajtimi i valvulës së aortës. Megjithatë, për shumicën e pacientëve, zgjedhja e parë për trajtim është procedura kardiokirurgjike. Procedura TAVI rekomandohet te pacientët me rrezik të lartë, të cilët nuk mund ta përballojnë operacionin kirurgjikal, pacientët që janë shumë të moshuar me shumë sëmundje shoqëruese ose operacione të mëparshme në zemër të hapur.

Procedurat TAVI janë gjithmonë të planifikuara mirë paraprakisht. Fillimisht bëhet ekokardiografia, kompjuter në aortë sipas një protokolli kardio për matjen e saktë të dimensioneve të valvulës që do të implantohet, si dhe strategjia për vetë ndërhyrjen. Valvula është individuale, porositet posaçërisht për çdo pacient.

Në spitalin tonë janë kryer gjithsej 49 procedura TAVI.

Vazhdon bashkëpunimi me shkollën e mesme profesionale të mjekësisë në Stumicë

Klinikën tonë e vizituan 32 gjimnazistë të profesionit të infermierisë nga shkolla e mesme Dimitar Vlahov, në Strumicë. Nën drejtimin e mësuesve Alberta Shiriq dhe Elena Shtërkeva, nxënësit e vitit të 3-të bënë një vizitë të plotë nëpër hapësirat dhe departamentet e spitalit tonë për të mësuar rreth proceseve të punës në një objekt spitalor.
Atyre iu demostruan dhe ofruan gjithashtu materiale vizuale spitalore që do të mund t’i përdorin për punë praktike.

Kur, si dhe përse duhet të zgjidhni histeroskopinë?

Histeroskopia – ndërhyrje gjinekologjike – është një procedurë mikroinvazive për zgjidhjen e një numri të madh sëmundjesh gjinekologjike. Duke vizualizuar drejtpërdrejt zonën e mitrës me ndihmën e një kamere, mund të zgjidhim shumë probleme që prekin gratë, të cilat më parë për zgjidhjen e tyre kërkohej kryerja e operacionit klasik.

Gjakderdhja jonormale nga mitra është një simptomë që ekziston tek 40% e grave që paraqiten në ordinancat gjinekologjike. Disa prej tyre trajtohen me terapi hormonale, por tek një pjesë e madhe e tyre është e nevojshme procedura histeroskopike diagnostike dhe terapeutike. Ajo kryhet në mënyrë mikroinvazive me një operacion njëditor dhe një periudhë minimale rikuperimi.
Sot, shumë gra, angazhimet profesionale të të cilave kërkojnë një kthim të shpejtë në punë, janë në kërkim të modaliteteve alternative për të zëvendësuar kirurgjinë klasike dhe kjo e bën histeroskopinë një zgjedhje gjithnjë e më të zakonshme për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Histeroskopia operative është standardi i artë për: heqjen e polipeve në zonën e mitrës, fibroidet që janë të dukshme brenda mitrës, djegien e mukozës së mitrës, të cilën e përdorim tek gratë që kanë mbaruar riprodhimin dhe që kanë perioda të rënda që çojnë në anemi dhe dobësi e përgjithshme, si një alternativë e heqjes së mitrës.

Përveç kësaj, histeroskopia sot aplikohet vrullshëm edhe në trajtimin e pacientëve me infertilitet. Me aplikimin e histeroskopisë zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me anomalitë e mitrës, septumin e mitrës duke përfshirë këtu edhe rezeksionin e tij.
Sot, kirurgjia histeroskopike zë një vend të rëndësishëm në praktikën e përditshme gjinekologjike, duke sjellë me vete një përparim të madh në trajtimin e problemeve gjiekologjike tek gratë.

Në klinikën tonë disponojmë teknikat më moderne gjinekologjike të cilat kryen nga mjekët tanë gjinekologë me përvojë shumëvjeçare në punën e tyre. Për rezervimin e terminit telefononi qendrën tonë të kontakteve në 02/3091-484

Diagnostikimi i sindromës “Floppy infant”

Sindroma floppy infant, e njohur edhe si sindroma e kukullës prej lecke, karakterizohet me hipotoni, simptomat e së cilës në fakt manifestojnë sëmundje ose gjendje me origjinë qendrore ose periferike. Në varësi të shkakut të hipotonisë tek foshnjat, shfaqen simptoma dhe shenja të ndryshme. Kështu, çdo dëmtim i rrugës së neuronit motorik do të çojë në ndërprerje të transmetimit të impulsit nervor që rezulton me dobësi të gjymtyrëve dhe humbje të reflekseve të tendinit. Pikërisht nga këtu vjen emri Floppy Infant.

Shqyrtimet klinike janë vendimtare për diagnozën e kësaj sindrome. Është e domosdoshme që këto shqyrtime të bëhen në periudhën menjëherë pas lindjes, sepse në këtë mënyrë do të zbulohen shkaqet e hipotonisë. Pavarësisht nga origjina e shkaqeve, gjendja klinike e foshnjës me këtë sindromë do të manifestohet nga karakteristikat e mëposhtme:

  • “qëndrimi në pozicionin e bretkosës”, d.m.th. pozicionimi i këmbëve si bretkosë,
  • lakueshmëria e qafës gjatë kthimit të kokës, kryesisht mbetja e kokës pas kur e merrni foshnjën në krah (duke e tërhequr drejt vetes);
  • Keni ndjesinë se fëmija ju rrëshqet nga krahët, për shkak se ka qëndrueshmeri të dobët (lëkundje) të trupit.

Kur mund të dyshojnë prindërit se foshnja e tyre mund të ketë këtë sindromë? Dhe kur duhet të kërkojë konsultë neuro-pediatrike?

Prindërit mund të vërejnë anomali madje edhe gjatë shtatzënisë. Një simptomë shumë e zakonshme mund të jetë reduktimi ose mungesa e plotë e lëvizjeve të fetusit. Kjo është shenja parashikuese më e zakonshme tek foshnja e porsalindur me hipotoni ekstreme. Një shenjë e kësaj gjendje është gjithashtu polihidramnios – ose sasia е rritur e lëngut amniotik.

Gjithashtu, nëse ndodh që prindërit të vënë re gjatë ushqyerjes me gji – thithje dhe gëlltitje të vështirë tek i porsalinduri, këto janë gjithmonë shenja shoqëruese të miopative kongjenitale ose atrofisë muskulare kurrizore, por është edhe shenjë e natyrshme e distrofive muskulare kongjenitale. Ndaj edhe në këtë rast duhet të kërkojnë mendim neuro-pediatrik.

Shkaktarët e mundshëm të sindromës “floppy infant” mund të jenë: botulizmi infantil, miastenia gravis neonatale kalimtare, hipermagnesemia ose efekti toksik i aminoglikozideve. Hipotonia është simptoma më e zakonshme shoqëruese e dëmtimit dhe keqformimeve të trurit. Gjatë shqyrtimeve klinike, duhet pasur parasysh edhe mundësia e ekzistencës së sëmundjeve shoqëruese, domethënë një kombinim të më shumë se një shkaku të hipotonisë. Dhe në të gjitha këto raste prindërit duhet të kërkojnë mendim/konsultim.

Trajtimi dhe shërimi i këtyre gjendjeve është individual dhe me variacione të mëdha, sigurisht që varet nga shkaqet e dobësimit të fëmijës. Është e rëndësishme të theksohet se është e domosdoshme të diagnostikohet shkaku themelor, për tu fokusuar më pas ndaj kujdesit dhe terapisë së synuar, pra, për të ofruar trajtim që do të ndihmojë në ruajtjen dhe rritjen e tonit ekzistues të muskujve. Ushqimi adekuat, regjimi i duhur nutritiv janë një segment shumë i rëndësishëm në trajtimin e këtyre gjendjeve.

Dr. Katerina Vasileva-Dimovska – mjeke pediatre me përvojë është në dispozicionin tuaj për konsulta, këshilla dhe diagnozë të saktë. Rezervoni terminin në 02/3091-484.

20 tetori – Dita Botërore e Osteoporozës

Osteoporoza është një sëmundje progresive e kockave e karakterizuar nga një ulje e masës dhe densitetit të kockave që çon në një rrezik të shtuar të frakturës. Në rastin e shfaqjes së osteoporozës, densiteti mineral kockor (BMD) zvogëlohet, mikroarkitektura e kockave përkeqësohet dhe sasia dhe shumëllojshmëria e proteinave në kockë ndryshon.

Me qëllim të ndërgjegjësimit për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, që nga viti 1996, 20 tetori është promovuar si Dita Botërore e Osteoporozës, në këtë ditë nisën aktivitetet kushtuar ndërgjegjësimit global për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e osteoporozës dhe sëmundjeve metabolike të kockave.

Organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar i Osteoporozës, Dita Botërore e Osteoporozës bashkon fushata me aktivitetet të 90 shoqatave kombëtare të pacientëve me osteoporozë nga e gjithë bota. Fillimisht është promovuar nga Shoqata Kombëtare e Osteoporozës në Mbretërinë e Bashkuar dhe është mbështetur nga Komisioni Evropian. Në klinikën tonë kemi në dispozicion apratin më modern për matjen e densitetit të kockave (DexaScan) me anë të të cilit bëhet përcaktimi i gjendjes së kockave tuaja.

Për rezervimin ekontrollit tuaj me çmim special prej 1500 den telefononi në 02/3091-484.

Të jemi gjithmonë të përgatitur por gjithashtu të shpresojmë që të mos ndodhin kurrë katastrofa natyrore

Jemi krenarë që ekipi ynë mjekësor ishte pjesë e stërvitjes së ndihmës së parë në një situatë emergjente – tërmet, stërvitje e cila u zhvilluar më 18 tetor në disa zona të qytetit të Shkupit. Organizuar nga Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, titulluar “Reagimi humanitar 2023”, gjatë kësaj stervitje është ofruar ndihmë mjekësore për disa orë, koordinuar sipas skenarit të paracaktuar.
Gatishmëria dhe motivimi i të gjithë pjesëmarrësve ishte në nivelin më të lartë për t’iu ofruar ndihmën adekuate dhe mbështetjen e nevojshme qytetarëve tanë në vështirësi.

Infermieret tona në Kongresin e 2-të Ndërkombëtar

Javën e kaluar në periudhën nga13 deri më 15 tetor, në Strugë në organizimin e “Za Nas” – Unioni i Infermierëve, Teknikëve mjekësor, Mamive dhe Infermierëve Stomatologë, u mbajt kongresi i dytë me titull “Disiplina shëndetësore-shkencore”. Në këtë manifestim edukativ me ligjërata me tema që kanë të bëjnë me profesionin e infermierisë, morën pjesë infermieret tona: Zhaneta Bogoevska-Miteva, Sanja Davidov, Elizabeta Dimovska, Susana Dimishkovska, Astrit Ejupi, Despina Zafirovska, Irena Koteska, Marina Lazevska, Ivan Naunov, Svetlana Onçeva, Sonja Rusevska, Andreja Srbinovski dhe Vesna Stojanovska.

Këtë vit, për herë të parë si anëtarë të barabartë të Shoqatës Ballkanike të Infermierëve, morën pjesë mbi 400 pjesëmarrës ligjërues dhe bashkëpunëtorë. Gjithashtu, për herë të parë u ndanë dekorata në emër të infermieres së parë maqedonase – Slavjanka Vlahçeva.

Escherichia coli në urinë: simptomat, shkaqet dhe trajtimi

Infeksionet urinare janë një nga infeksionet më të shpeshta që ndodhin në të gjitha grupmoshat, duke filluar që nga foshnjat e deri tek të moshuarit, por janë më të shpeshta tek femrat për shkak të strukturës anatomike.

Në këtë artikull do të ndalemi te infeksionet urinare të shkaktuara veçanërisht nga bakteria Escherichia coli, pasi besohet se 75-95% e të gjitha infeksioneve urinare shkaktohen nga kjo baktere. Ne do t’ju shpjegojmë shkaqet e mundshme të këtij infeksioni, si dhe simptomat të cilat do të jenë shkak i vizitës tuaj tek mjeku nefrolog/urolog ose gjinekolog, si dhe mënyrën e parandalimit dhe trajtimit të tyre.

Shkaqet e infeksionit nga Escherichia coli në urinë

Mjedisi natyror i kësaj bakterie janë zorrët dhe është pjesë e mikroflorës normale të traktit gastrointestinal. Ekzistojnë disa lloje të baktereve të grupit Escherichia, por vetëm një specie është e rëndësishme për patologjinë e njeriut dhe ajo është bakteria Escherichia coli. Ka disa serotipe, vetëm disa prej tyre shkaktojnë sëmundje tek njeriu, të cilat mund të jenë: infeksione të zorrëve, mushkërive apo infeksione urinare.

Escherichia zakonisht merret përmes ushqimit dhe ujit të kontaminuar dhe më pas shkakton sëmundje të zorrëve. Prania e kësaj baktere në traktin urinar ndikohet nga afërsia e zonës anale dhe urinare, lagështia e lëkurës dhe nxehtësia e saj, si dhe zakonet higjienike dhe tualeti jo i duhur në këtë zonë.

Nëse marrim parasysh distancën e vogël ndërmjet zonës anale, vaginale dhe urinare, si dhe kanalin e shkurtër urinar te femrat (3-5 cm), atëherë bëhet e qartë pse ato janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve urinare, ndryshe nga meshkujt të cilët janë të mbrojtur nga një trakt urinar relativisht i gjatë dhe steril. Nëse meshkujt zhvillojnë një infeksion urinar me Escherichia coli, atëherë kjo shoqërohet me moshë më të madhe, zbrazje të vështirë të fshikëzës për shkak të sëmundjeve të kanalit urinar dhe prostatës. Kjo kërkon fillimisht kontrollin dhe trajtimin e sëmundjeve që janë shkak i shfaqjes së infeksionit dhe më pas shërimin e përhershëm të infeksionit urinar.

Transmetimi i infeksionit Escherichia coli mund të ndodhë me përhapje të drejtpërdrejtë nga organet përreth: vagina, mitra, vezoret. Supozohet se bakteriа mund të përhapet nga fshikëza e urinës me ane të enëve limfatike të zorrës së trashë, të infektojë veshkat ose infeksioni të fillojë pikërisht nga këtu. Veçanërisht të ndjeshëm ndaj infeksionit janë personat që kanë faktorë predispozues për zhvillimin e infeksioneve me këtë lloj baktere, dhe këta janë të gjithë ata që përballen me mbajtje urinare për arsye të ndryshme (fshikëz nervoze, ngushtim të kanaleve urinare, gurë në veshka apo rrugët urinare, trupa të huaj). Në këtë kategori përfshihen edhe gratë shtatzëna, si dhe të gjitha ato që kanë imunitet të reduktuar për shkak të një gjendjeje të caktuar shëndetësore kronike (diabeti mellitus, pacientët që marrin terapi imunosupresive, që kanë nevojë për radioterapi etj.).

Simptomat e infeksionit me Escherichia coli në urinë

Në varësi të faktit nëse bakteria ka shkaktuar një infeksion në traktin gastrointestinal, mushkëri apo traktin urinar, simptomat mund të jenë gjithashtu të ndryshme. Këtu do të përmendim simptomat më të shpeshta gjatë zhvillimit të një infeksioni urinar:

  • Nxitje e shpeshtë për të urinuar
  • Urgjencë gjatë urinimit
  • Djegie gjatë urinimit
  • Rrjedhje e një sasie të vogël e urinës
  • Erë e pakëndshme dhe urine e turbullt
  • Prani të gjakut në urinë ose në fund të urinimit
  • Dobësi e përgjithshme dhe lodhje
  • Nauze dhe të vjella
  • Rritja e temperaturës së trupit
  • Ethe
  • Humbje oreksi
  • Dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, e cila përhapet në fshikëz
  • Dhimbje në organet gjenitale të jashtme
  • Dhimbja te meshkujt mund të përhapet edhe në testikuj.

Nëse keni një ose më shumë nga këto simptoma, mos hezitoni të vizitoni mjekun specialist nefrolog/urolog ose gjinekolog. Duhet pasur parasysh se infeksionet e veshkave janë një gjendje veçanërisht e rëndë, e cila, nëse nuk trajtohet menjëherë nga mjeku nefrolog, mund të çojë në dëmtime të përhershme dhe reduktim të funksionit të veshkave.

Parandalimi i infeksionit të Escherichia coli-t në urinë

Për të zvogëluar mundësinë e zhvillimit dhe përhapjes së infeksionit Escherichia coli, është thelbësore që të:

  • Mbani një dietë të shëndetshme
  • Konsumoni të paktën 2 litra lëngje në ditë
  • Merreni me aktivitet fizik në përputhje me moshën dhe gjendjen shëndetësore
  • Mirëmbani higjienën e duarve dhe atë personale
  • Veshni një gardërobë të përshtatshme dhe të brendshme pambuku
  • Ndërroni në kohë rrobat e banjës të lagura
  • Bëni tualet të përshtatshëm në zonës gjenitale (fshirja nga përpara në mbrapa)
  • Kryeni vizitë në kohë te mjeku në rast të shfaqjes së ndonjë prej simptomave që mund të jenë si rezultat i këtij infeksioni.

Trajtimi i infeksionit urinar Escherichia coli

Për të trajtuar siç duhet infeksionин urinar Escherichia coli, mjeku juaj do të marrë një mostër të gjakut dhe urinës suaj për analiza laboratorike dhe mikrobiologjike. Do t’ju referojë për ekzaminime shtesë tek mjeku nefrolog/urolog ose gjinekolog në varësi të simptomave që keni.

Trajtimi medikamentoz do të përcaktohet nga specialisti që do të trajtojë infeksionin Escherichia coli, në varësi të vendndodhjes së infeksionit, pamjes klinike dhe ashpërsisë së simptomave. Mjeku do t’ju rekomandojë një regjim higjieno-dietik që do t’ju duhet t’i përmbaheni dhe do të përcaktojë shpeshtësinë e kryerjes së kontrolleve të rradhës.

Duke pasur parasysh se kјо bakterе mund të shkaktojë infeksione urinare në disa raste, d.m.th. të rikthehet dhe të shndërrohet në një infeksion urinar kronik, madje të bëhet rezistente ndaj terapisë së përshkruar, dhe duke pasur parasysh seriozitetin nëse infekton veshkat, si dhe pasojat, trajtimi i tij i duhur dhe në kohë është tepër i rëndësishëm.

Dr. Katerina Ristoska
Specialiste në mjekësinë interne
Subspecialiste nefrologe