Klinika Zhan Mitrev ndau 80 kupona për ekzaminime pediatrike falas për të porsalindurit nga Komuna Qendër

Klinika Zhan Mitrev ka ndarë 80 kupona për ekzaminime pediatrike falas për të porsalindurit nga Komuna e Qendrës. Kjo është hera e tretë për këtë vit që familjet e kësaj komune, të cilat janë shtuar me një anëtar të ri në shtëpitë e tyre, kanë marrë kupon për ekzaminim falas të foshnjave dhe deri më tani janë shpërndarë gjithsej 300 kupona.

Dhënia e kuponave është në përputhje me memorandumin e bashkëpunimit që klinika ka nënshkruar me Komunën e Qendrës dhe është një aktivitet tradicional që po zhvillohet për pesë vite me radhë. Me këtë lloj kujdesi, Klinika Zhan Mitrev kontribuon në zhvillimin e shëndetit pa shqetësime tek të porsalindurit dhe këshillon prindërit për zhvillimin e duhur të mëtejshëm të tyre.

Kuponi mund të përdoret brenda 3 muajve të ardhshëm nga data e dhënies. Mjekët pediatër të Klinikës Zhan Mitrev janë në pritje të prindërve për rezervimin e terminit për foshnjat e tyre në numrin e telefonit 02 3091 484.

Ajri i ndotur dhe pasojat

Ndotja e ajrit është ndotja e mjedisit të brendshëm ose të jashtëm të shkaktuar nga ndonjë agjent kimik, fizik ose biologjik që ndryshon karakteristikat natyrore të atmosferës.

Pajisjet e ngrohjes me lëndë djegëse të ngurta në amvisëri, automjete motorike, objekte industriale dhe zjarret në pyje janë burime të zakonshme të ndotjes së ajrit. Ndotësit që shqetësojnë shëndetin publik përfshijnë: grimcat, monoksidi i karbonit, ozoni, dioksidi i azotit dhe dioksidi i squfurit. Ndotja e ajrit të jashtëm dhe të brendshëm shkakton sëmundje të frymëmarrjes dhe sëmundje të tjera që janë burime të rëndësishme për shfaqjen e sëmundjeve dhe vdekshmërisë.

Të dhënat e OBSH-së tregojnë se globalisht pothuajse e gjithë popullata (99%) thith ajër që tejkalon kufijtë e udhëzimeve të OBSH-së dhe përmban nivele të larta ndotësish, veçanerisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që vuajnë ekspozimin më të madh.

Cilësia e ajrit është e lidhur ngushtë me klimën dhe ekosistemet e planetit tokë në shkallë globale. Shumë nga nxitësit e ndotjes së ajrit (dmth djegia e lëndëve djegëse fosile) janë gjithashtu burime të emetimeve të gazeve serrë. Prandaj, politikat për reduktimin e ndotjes së ajrit ofrojnë strategji të suksesshme klimatike dhe shëndetësore për të reduktuar ngarkesën e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit. Sigurisht, këto strategji kontribuojnë në zbutjen e menjëhershme dhe afatgjatë të ndryshimeve klimatike.
Nga smogu mbi qytete e deri te tymi në shtëpi, ndotja e ajrit përbën një kërcënim të madh për shëndetin dhe klimën.

Ndotja e ajrit si në qytete ashtu edhe në zonat rurale, rezulton në grimca të imëta që shkaktojnë goditje në tru, sëmundje të zemrës, kancer të mushkërive, sëmundje akute dhe kronike të frymëmarrjes.

Rreth 2.4 miliardë individë janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes së ajrit në ambiente të mbyllura, sepse përdorin zjarre të hapura ndotëse ose soba për ngrohje/gatim që djegin biomasë (dru, mbetje të tjera) dhe qymyr.
Efektet e kombinuara të ndotjes së ajrit në ambient të hapur dhe ndotjes së ajrit në ambiente të mbyllura shoqërohen me 7 milionë vdekje të parakohshme në vit.

Aktivitetet e OBSH-së kundër ndotjes së ajrit

OBSH promovon ndërhyrjet dhe iniciativat e politikave të sektorit të shëndetshëm (përfshirë energjinë, transportin, strehimin, zhvillimin urban dhe elektrifikimin e objekteve shëndetësore). Gjithashtu po punon për të adresuar rreziqet kryesore shëndetësore nga ndotja e ajrit të brendshëm dhe të jashtëm. E gjithë kjo me synimin për të dhënë një kontribut më të madh në arritjen e përfitimeve të përbashkëta shëndetësore nga kushtet klimatike dhe ndryshimin e politikave për zbutjen apo lehtësimin e gjendjes.

OBSH ofron mbështetje teknike për shtetet anëtare të OBSH-së në zhvillimin e udhëzimeve normative, mjeteve dhe ofrimin e këshillave autoritative për çështjet shëndetësore që lidhen me ndotjen e ajrit dhe burimet e tij.

OBSH monitoron dhe raporton mbi tendencat globale dhe ndryshimet në rezultatet shëndetësore në lidhje me veprimet e ndërmarra për të adresuar ndotjen e ajrit në nivel kombëtar, rajonal dhe global.

OBSH ka zhvilluar dhe zbatuar gjithashtu një strategji për të rritur ndërgjegjësimin për rrezikun e ndotjes së ajrit, si dhe zgjidhjet e disponueshme që mund të zbatohen për të zbutur rreziqet e ekspozimit ndaj ndotjes së ajrit. Përmes qasjejes dixhitale dhe partneriteteve, OBSH ka ndihmuar në rritjen e vlerave dhe propozimeve për trajtimin e ndotjes së ajrit për ministritë e shëndetësisë dhe mjedisit, qeveritë e qytetit dhe palët e tjera të interesuara nga sektorë me emetime të konsiderueshme.

Skizofrenia

Skizofrenia është një sëmundje që prek rreth 1% të popullsisë së botës dhe është një nga 10 shkaktarët kryesorë të aftësisë së kufizuar (invaliditetit) në botë. Para se të sqarojmë se si manifestohet, do të bëjmë një sqarim të thjeshtë të termit “skizofreni”. Është një prerje e dy fjalëve – Shizos (i ndarë në shumë pjesë) dhe Phrenos (shpirt/mendje) që në gjuhën popullore do të thotë ndarje e shpirtit.

Prandaj, nga ana mjekësore themi se skizofrenia është një çrregullim serioz mendor në të cilin personi nuk mund të dallojë gjithmonë mendimet dhe idetë e tij nga realiteti dhe sillet ndryshe në varësi të mjedisit. Prandaj, kjo gjendje mund të jetë shqetësuese si për individët që vuajnë nga ky çrregullim, ashtu edhe për familjet dhe miqtë e tyre.

Mjekët shpesh e përshkruajnë skizofreninë si një lloj psikoze. Kjo do të thotë se ata përballen me ndryshime në funksionet mendore, përkatësisht: të menduarit, sjelljen, emocionet, përvojat, domethënë kanë:
Mendim jorealist – ku këta individë kanë besime / bindje të forta të cilat në fakt janë të pavërteta dhe në kundërshtim me realitetin. Shembuj të tillë janë:

  • Përjetime të tyre se marrin mesazhe/sinjale të veçanta nëpërmjet televizionit apo internetit se kërkohet angazhim serioz nga ana e tyre,
  • Ndjenja të kërcënimit personal, dyshime dhe ndjenja se dikush po përpiqet t’i dëmtojë;
  • Besojnë/mendojnë se gjestet ose komentet e individëve të tjerë u referohen atyre,
  • Besojnë/mendojnë se ata janë në gjendje të parashikojnë ngjarjet,
  • Besojnë dhe mendojnë se janë një person i rëndësishëm ose domethënës, etj.

Komunikim pa lidhje:

  • Kalojnë nga një temë në një temë tjetër
  • Nisin ose shprehin një mendim të cilin nuk janë në gjendje ta vazhdojnë
  • Përdorin fjalë të cilat në vetvete nuk kanë asnjë kuptim.

Halucinacione, pra marrja e ndjesive të caktuara dëgjimore, vizuale ose prekëse që nuk ekzistojnë në realitet. Halucinacionet janë kryesisht të tipit dëgjimor, shkaktojnë shqetësim të fortë tek personi dhe mund të kontrollojnë sjelljen e tij.

  • Halucinacionet dëgjimore – janë zhurma, zëra të caktuar, të cilët mund të kenë përmbajtje të këndshme ose të pakëndshme, në të vërtetë jo të pranishme;
  • Halucinacione vizuale – shikimi i personave, ngjarjeve ose kafshëve që nuk janë vërtet aty;
  • Halucinacionet prekëse – përjetohen si pjesë të trupit/organeve që lëvizin, zhvendosen, por që në realitet nuk ndodh.

Simptoma negative – kur ka mungesë ose humbje të aftësive për të funksionuar normalisht, si për shembull:

  • probleme me planifikimin dhe përmbushjen e aktiviteteve të planifikuara,
  • mungesa e kënaqësisë në jetën e përditshme,
  • shprehje e dobët e emocioneve në fytyrë,
  • mbyllje në vetvete ose tërheqje nga ndërveprimi social, etj.

Probleme me përqëndrimin, vëmendjen dhe kujtesën. Këto simptoma mund ta bëjnë të vështirë ndjekjen e një bisede, mësimin e gjërave të reja ose kujtimin e gjërave, detyrave apo përgjegjësive. Perceptimi i nivelit të aftësisë kognitive/njohëse të një personi është treguesi më i mirë i cilësisë së funksionimit të tyre të përditshëm.

Sipas simptomave të shumta të përmendura, mund të konkludohet se ato e vështirësojnë pjesëmarrjen e këtyre individëve në aktivitete normale, të përditshme, duke filluar nga ato të lehta deri në të rënda. Prandaj, kjo gjendje kërkon ekzaminim në kohë, marrjen e rregullt dhe të përhershme të barnave antipsikotike. Trajtimi i hershëm mund të ndihmojë në vënien nën kontroll të simptomave përpara se të zhvillohen komplikime serioze dhe mund të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve afatgjata.

Pavarësisht nga ashpërsia e pamjes klinike, një numër i madh i personave që kanë trajtim të rregullt mjekësor dhe kontroll psikiatrik të gjendjes arrijnë të përfundojnë arsimin e lartë, kanë marrëdhënie të rregullta pune dhe krijojnë gjithashtu një jetesë martesore.

Dr. Marija Kostadinovska – psikiatre në Klinikën Zhan Mitrev është në dispozicionin tuaj për çdo konsultim apo ekzaminim të gjendjes tuaj mendore. Rezervoni terminin tuaj në 02 3 091 484.

Dr. Marija Kostadinovska
Specialiste psikiatre

Çfarë është sëmundja pulmonare obstruktive kronike SPOK?

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike është një grup sëmundjesh të mushkërive që vështirësojnë frymëmarrjen dhe me kalimin e kohës bëhen me të rënda.
Normalisht, rrugët e frymëmarrjes dhe alveolat e mushkërive janë elastike dhe të zgjerueshme. Ndërkohë që mbusheni me frymë, ajri kalon në rrugët e frymëmarrjes për të furnizuar trupin me oksigjen. Nëse keni SPOK / COPD (Chronic obstructive pulmonary disease), sasia e ajrit që hyn dhe del nga rrugët tuaja të frymëmarrjes është e kufizuar dhe kjo mund të shkaktojë probleme:

  • Rrugët e frymëmarrjes dhe alveolat e mushkërive bëhen më pak elastike,
  • Muret e rrugëve të frymëmarrjes trashen dhe mund të kenë ënjtje,
  • Rrugët e frymëmarrjes prodhojnë më shumë mukus se normalisht dhe mund të bllokohen.

Cilat janë llojet e SPOK?

Ekzistojnë 2 dy lloje kryesore:

  • Emfizema: Prek alveolat pulmonare, si dhe muret ndërmjet tyre. Në këtë rast, ato janë të dëmtuara dhe më pak elastike
  • Bronkiti kronik: Në këtë lloj, membrana mukoze e rrugëve të frymëmarrjes është vazhdimisht e irrituar dhe si pasoje shfaqet ënjtje dhe mukus.

Shumica e personave me COPD kanë emfizemë dhe bronkit kronik, por ashpërsia e secilit lloj mund të ndryshojë nga personi në person.

Cili është shkaku i SPOK?

SOPK zakonisht shkaktohet nga ekspozimi afatgjatë ndaj irrituesve që dëmtojnë mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Tymi i cigares është identifikuar si shkaktari kryesor i kësaj sëmundjeje (sipas hulumtimeve në SHBA), purot dhe lloje të tjera të tymit të duhanit gjithashtu mund të shkaktojnë SPOK, veçanërisht nëse thithen vazhdimisht.

Ekspozimi ndaj irrituesve të tjerë nëpërmjet thithjes mund të kontribuojë gjithashtu në zhvillimin e SPOK. Këto përfshijnë konsumin pasiv te duhanit, ndotjen e ajrit dhe tymrat kimikë ose pluhurin nga mjedisi ose vendi i punës. Mosha dhe astma janë gjithashtu pjesë e shkaqeve të mundshme të kësaj sëmundjeje.
Gjendja gjenetike e quajtur mungesa e antitripsinës alfa-1, në raste të rralla, mund të ndikojë në shkaktimin e SPOK.

Cilat janë simptomat e SPOK?

Simptomat mund të mos jenë të ndjeshme në fillim ose mund të jenë vetëm të lehta. Ndërkohë që sëmundja përparon, simptomat zakonisht bëhen më të rënda:

  • Kollë e shpeshtë ose kollë që prodhon shumë mucus (sekrecion)
  • Frymëmarrje e shkurtër
  • Zhurmë ose fishkëllimë kur merrni frymë
  • Presion ose shtrëngim në kraharor

Tek disa individë me SPOK shfaqen infeksione të shpeshta të frymëmarrjes, si ftohja dhe gripi. Në raste të rënda, SPOK mund të shkaktojë humbje peshe, dobësi të muskujve, aktivitet të kufizuar të muskujve dhe ënjtje të kyçeve, këmbëve ose shputave.

Si diagnostikohet SPOK?

Për të vendosur diagnozën, mjeku juaj mund të përdorë:

  • Historinë tuaj mjekësore, duke përfshirë pyetjet në lidhje me simptomat tuaja
  • Historinë tuaj familjare
  • Teste të ndryshme laboratorike, teste për funksionin e mushkërive, radiografi (rreze X) ose CT të kraharorit, dhe analizë gjaku.

Si trajtohet SPOK?

Ekzistojnë trajtime që mund të lehtësojnë simptomat, të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes dhe të përmirësojnë aftësinë tuaj për të qëndruar aktiv. Ekzistojnë gjithashtu trajtime për të parandaluar ose trajtuar komplikimet e sëmundjes. Trajtimet përfshijnë:

Ndryshimet në stilin e jetesës

  • Nëse jeni duhanpirës, lënia e duhanit është gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për të lehtësuar simtomat e SPOK
  • Shmangni duhanin pasiv dhe vendet ku mund të thithni irritues të tjerë të mushkërive
  • Pyetni mjekun tuaj për një plan adekuat te ushqimit që plotëson nevojat tuaja ushqyese. Gjithashtu pyesni për një plan të aktiviteteve fizike që mund të kryeni. Aktiviteti fizik mund të forcojë muskujt dhe tju ndihmojnë të merrni frymë dhe të përmirësoni mirëqenien tuaj të përgjithshme.

Barna

  • Bronkodilatorët: Këta përdoren për të relaksuar muskujt rreth rrugëve të frymëmarrjes. Kjo i ndihmon ata të hapen dhe lehtëson frymëmarrjen. Shumica e bronkodilatorëve merren me frymëmarrje. Në raste më të rënda, inhalatori mund të përmbajë edhe kortikosteroide për të reduktuar inflamacionin.
  • Vaksinat kundër gripit dhe pneumonisë pneumokokale (Streptococcus pneumoniae): Individët me SPOK janë në rrezik më të madh të problemeve serioze nga këto sëmundje
  • Antibiotikët nëse keni një infeksion bakterial ose viral të mushkërive.

Terapia me oksigjen

Përdoret në rast se keni SPOK të rëndë dhe nivele të ulëta të oksigjenit në gjak. Terapia me oksigjen mund t’ju ndihmojë në përmirësimin e frymëmarrjes tuaj. Mund të keni nevojë për oksigjen shtesë gjatë gjithë kohës ose vetëm në periudha të caktuara.

Trajtimi i pacientëve me SPOK është kompleks dhe në trajtimin e tyre duhet të përfshihen specialistë (pulmonolog, fizioterapist dhe nutricionist), të cilët duhet të bashkëpunojnë drejtpërdrejt në trajtimin individual të pacientit. Vetëm kombinimi i duhur i trajtimeve dhe këshillave nga specialistë të ndryshëm mund të ndikojë në suksesin e trajtimit të pacientëve me SPOK.

Çertifikata për infermieret tona instrumentiste Natka Kuzevska dhe Hristina Bozhinovska

Muajin e kaluar, në Zagreb u mbajt kurs për menaxhimin e frakturave. Instrumentistet tona Natka Kuzevska dhe Hristina Bozhinovska morën çertifikata për pjesëmarrjen e tyre.
Kursi u organizua nga AO Trauma – një organizatë e udhëhequr nga kirurgë me famë botërore që synon të trajnojë personelin mjekësor në trajtimin kirurgjik të frakturave dhe çrregullimeve muskuloskeletore. Përmirësimi i njohurive në të gjitha nivelet ka një rëndësi vendimtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për aplikimin e teknikave dhe qasjeve inovative ndaj llojeve të ndryshme të frakturave, stabilitetit absolut dhe relativ dhe mobilizimit të hershëm. Sigurisht, ata do të kenë mundësinë që të gjitha këto t’i zbatojnë menjëherë në punën e tyre të përditshme së bashku me mjekët tanë ortopedë dhe traumatologë.

Çfarë është kardiologjia intervenuese dhe kur përdoret?

Kardiologjia intervenuese është një specialitet mjekësor që fokusohet në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare duke përdorur teknika minimale invazive. Kardiologët intervenues janë mjekë të specializuar në këtë fushë dhe janë të përkushtuar në kryerjen e procedurave perkutane (nëpërmjet arterieve dhe venave) me qëllim trajtimin e sëmundjeve të ndryshme të zemrës.

Këto procedura zakonisht bëhen në një ambient të veçantë kateterizimi kardiak që njihet ndryshe si sallë angio, ku rrezet X në kohë reale dhe imazhe të tjera përdoren për të drejtuar kardiologun gjatë procedurës.

Sëmundjet që mund të trajtohen me kardiologji intervenuese dhe elektrofiziologji

Disa nga sëmundjet dhe kushtet kardiovaskulare që mund të trajtohen përmes kardiologjisë intervenuese janë:

  • Angioplastika koronare – i referohet zgjerimit të arterieve koronare të bllokuara nga depozitat yndyrore duke futur një kateter me një protezë të quajtur stent – që rikthen rrjedhjen e gjakut duke zhbllokuar apo zgjeruar pjesën e ngushtuar.
  • Ndërhyrjet e valvulave të zemrës. Problemet e valvulave të zemrës mund të korrigjohen përmes procedurave perkutane, si implantimi i valvulës së aortës nëpërmjet kateterëve, duke shmangur nevojën për kirurgji në zemër të hapur.
  • Mbyllja e defekteve kongjenitale. Disa defekte të lindura të zemrës mund të korrigjohen duke përdorur teknikat intervenuese të kardiologjisë, si mbyllja e defekteve të septumit atrial.
  • Trajtimi i aneurizmave të aortës. Disa aneurizma të aortës mund të trajtohen duke vendosur stenta në aortë për të parandaluar këputjen/rupturën.
  • Trajtimi i aritmive kardiake. Ablacioni me katetër është një teknikë e kryer nga mjeku elektrofiziolog – kardiolog specialist, me qëllim eliminimin e zonave të zemrës që shkaktojnë aritmi ose fibrilacion atrial.

Në Spitalin Klinik Zhan Mitrev plotësohen të gjitha kushtet për kryerjen e procedurave komplekse në fushën e kardiologjisë intervenuese. Ne disponojmë një sallë operacioni hibride të teknologjisë moderne me teknika të integruara imazherike që sigurojnë kryerjen e qetë të të gjitha llojeve të procedurave, nga minimalisht invazive deri tek ato me kompleksitet maksimal kardiovaskular.

Është e rëndësishme të mbani mend se, megjithëse kardiologjia intervenuese është shumë efektive në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, diagnoza dhe plani i trajtimit duhet të rekomandohet dhe kryhet gjithmonë nga një ekip mjekësor i specializuar në kardiologji, i cili vlerëson situatën specifike të çdo pacienti dhe përcakton opsionin më të mirë për trajtim.

Në Spitalin Klinik Zhan Mitrev në shërbimin tuaj për të gjitha problemet të zemrës është një ekip kardiologësh i nivelit të lartë, të cilët disponojnë teknologjinë më të avancuar për të diagnostikuar dhe trajtuar çdo pacient me cilësinë më të lartë dhe në mënyrë të personalizuar.

Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, është mbajtur seminar edukativ për personat e sapodiagnostikuar me diabet

Diabeti është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore globale të shekullit të 21-të. Diabeti i kontrolluar dobët shoqërohet me komplikime të shumta potencialisht kërcënuese për jetën.
Dita Botërore e Diabetit shënohet çdo vit më 14 nëntor. Është një fushatë globale ndërgjegjësimi që fokusohet në diabetin mellitus, një sëmundje kronike që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose kur trupi nuk mund të përdorë në mënyrë efektive insulinën që prodhon.

(Kjo ditë u krijua në 1991 nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (IDF) në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në përgjigje të rritjes së shqetësimit për diabetin në mbarë botën. Rrethi blu është simboli universal për diabetin dhe nënkupton unitetin në mbarë botën kundër luftës së diabetit.)

Qëllimi i Ditës Botërore të Diabetit është të rrisë ndërgjegjësimin për diabetin, shkaqet, simptomat, komplikimet e tij dhe si mund të menaxhohet dhe parandalohet. Fushata synon gjithashtu të promovojë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe aksesit në trajtimin e duhur.

Ekipi profesional nga spitali klinik “Zhan Mitrev” i udhëhequr nga Dr. Xhuliana Mihajllovska, mjeke specialiste endokrinologe, gjatë gjithë vitit bën përpjekje për rritjen e ndërgjegjësimit për diabetin, edukimin dhe kujdesin shëndetësor për personat me diabet në vendin tonë. Edukimi i pacientëve me diabet është çelësi për menaxhimin e suksesshëm të gjendjes. Prandaj këtë vit, në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, Dr. Xhuliana Mihajlovska nga spitali klinik “Zhan Mitrev”, me ftesë të kryetarit të Shoqatës së Diabetikëve të Komunës së Manastirit, më 10 nëntor 2023 në Manastir, së bashku realizuan seminarin e parë edukativ për pacientët e sapodiagnostikuar.

Gjatë seminarit, mbështetje dhe këshilla për pacientët nga këndvështrime të ndryshme ndane edhe M-r Farm. Nina Kirkovska (përgjegjëse e farmacisë së insulinës – Depo e barnave në ISHP Zdravstven dom Manastir) dhe psikologia Biljana Solunçevska.
Krahas personave të sapodiagnostikuar me diabet, në seminar morën pjesë edhe persona që kanë kohë që përballen me këtë sëmundje. Nëpërmjet këshillave praktike dhe të menjëhershme, Dr. Xhuliana u mësoi të pranishmëve se si të përballen me sfidat e përditshme të diabetit dhe të përmirësojnë jetën e tyre. Të pranishmit me shumë vëmendje i ndoqën rekomandimet e saja dhe u shprehën të kënaqur me seminarin e zhvilluar dhe mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me Dr. Xhuliana Mihajlovska.

Dushanka Atanasovka, kryetare e Shoqatës së Diabetikëve të Komunës së Manastirit, shprehu falenderimet për bashkëpunimin e deritanishëm dhe përcolli interesimin e personave me diabet nga Komuna e Manastirit, për edukimet e radhës që do t’i realizojë Dr. Xhuliana Mihajlovska, specialiste endokrinologe nga Spitali klinik “Zhan Mitrev”.

Klinika Zhan Mitrev është partner mjekësor i Klubit maqedonas të hendbollit për femra “Gjorçe Petrov”

Klinika Zhan Mitrev është partner mjekësor i Klubit të hendbollit të femrave kampione të Maqedonisë “Gjorçe Petrov”. Me këtë bashkëpunim, klinika më e mirë private do të kujdeset për shëndetin dhe përmirësimin e performancës së hendbollistëve. Për përgatitjen fizike të hendbollistëve, janë në dispozicion teknikat më moderne, pajisjet dhe përvoja shumëvjeçare e ekipit nga Klinika Zhan Mitrev. Për ekzaminimet kontrolluese të hendbollisteve do të kujdeset ekipi i mjekëve specialistë, në krye me Dr. Violeta Nikolov, specialiste gjinekologe.

“Ekipi do të jetë plotësisht nën kujdesin tonë shëndetësor. Shpresoj se do të jenë të kënaqur dhe rezultatet do të jenë të dukshme. Ne kemi metoda të reja të cilat dëshirojmë dhe do t’i përdorim për të monitoruar gjendjen e tyre shëndetësore dhe për të përmirësuar aftësinë e tyre psiko-fizike. Ka shumë sfida dhe suksese përpara këtyre vajzave dhe ne do t’i ndihmojmë në arritjet e tyre”, thotë Dr. Violeta Nikolov nga Klinika Zhan Mitrev.

“Do të kemi përfitime të mëdha nga bashkëpunimi me Klinikën Zhan Mitrev, pa këtë bashkëpunim me institucionin mjekësorë të nivelit të lartë nuk do të ketë rezultat. Ky bashkëpunim do të ndihmojë shumë në përmirësimin e performancës së lojtarëve. Shpresoj që së shpejti t’i shohim rezultatet e para”, thotë Angela Cvetanovska, anëtare e Bordit të Drejtus të klubit.

“Ne kemi nevojë për këtë. Në sportin profesional dhe në hendbollin për femra investohet shumë. Kjo është një sfidë e re. Si trajner do të njoh të gjitha atributet e lojtarëve. Mendimi i mjekëve dhe ekipit mjekësor është i rëndësishëm. Komunikimi mes nesh dhe Klinikës Zhan Mitrev do të jetë në nivel të lartë. Është e nevojshme që lojtarët të kthehen shpejt në terren kur kemi ndeshje të vështira, thotë trajneri i Klubit të hendbollit për femra “Gjorçe Petrov”, Sime Simovski.

Bashkëpunimi ndërmjet Klinikës Zhan Mitrev dhe Klubit maqedonas të hendbollit për femra “Gjorçe Petrov” tashmë është aktiv dhe ka nisur me kryerjen e kontrolleve para ndeshjes kundër klubit belg Eupen, në kuadër të raundit të tretë të Kupës Evropiane të EHF.