Kishim nderin dhe kënaqësinë për të mirëpritur dhe realizuar në ambientet tona takimin pranveror të Federatës Evropiane të Shoqatave të Infermierisë së Kujdesit Intensiv EfCCNa European Federation of Critical Care Nursing Associations takim i cili u realizua gjatë kësaj fundjave. Këtë herë në takim morën pjesë mbi 30 infermiere dhe anëtarë të bordit të federatës, pjesë e së cilës është edhe infermierja jonë Zaneta Bogoevska Miteva.
I falënderojmë për vizitën dhe komentet e tyre pozitive.
Autor: zmc_piksel_dev
Lidhja ndërmjet diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare
Kjo është një temë që jemi të sigurt se është trajtuar shumë herë, por gjithsesi është mirë të kujtojmë se si duhet të veprojmë nëse ne ose një nga të dashurit tanë përballet me diabetin.
Diabeti është një sëmundje në të cilën niveli i sheqerit në gjak rritet për një periudhë të gjatë kohore. Diabeti, ose i njohur edhe si “sëmundja e sheqerit”, shkakton probleme serioze shëndetësore që në fakt vijnë nga dëmtimi i enëve të vogla dhe të mëdha të gjakut dhe nervave. Si rezultat i këtij procesi, disa nga organet në trup pësojnë demtim, duke përfshirë: zemrën, sytë, veshkat dhe gjithashtu shfaqen probleme me qarkullimin.
Në varësi të moshës kur është shfaqur për herë të parë diabeti dhe shkaqeve që kanë ndikuar në shfaqjen e sëmundjes, dallohen dy lloje të diabetit: diabeti i tipit 1 dhe diabeti i tipit 2.
Diabeti i tipit 1 shfaqet në një moshë më të re dhe kërkon trajtim me insulinë që në fillim. Ndërsa diabeti i tipit 2 është më karakteristik për popullatën e rritur.
Nëse tashmë jeni diagnostikuar me diabet, është e nevojshme të bëni një plan në bashkëpunim me mjekun tuaj se si të përballeni më mirë me sëmundjen.
Si të jetoni me diabet?
- Informohuni për sëmundjen tuaj!
Mblidhni informacion të mjaftueshëm për diabetin dhe komplikimet prej tij, në mënyrë që ta menaxhoni më lehtë.
- Mësoni të dalloni simptomat!
Mësoni të dalloni simptomat që shfaqen tek organet e prekura si rezultat i diabetit dhe të kërkoni në kohë ndihmë mjekësore.
Parametrat që duhet të mësoni ti kontrolloni rregullisht:
- Niveli i HbA1C – hemoglobina e glukozuar. Tregon vlerën mesatare të sheqerit në gjak gjatë dy deri tre muajve të fundit. Vlerat nën 7 tregojnë një rregullim/kontroll të mirë të sheqerit në gjak, i cili duhet të jetë qëllimi juaj.
- Niveli i LDL ose kolesterolit të keq duhet të jetë gjithmonë nën 3.5 mmol/l.
- Kufiri i sipërm i presionit të gjakut duhet të jetë deri në 130/80 mmHg.
- Mbani një regjim higjieno-dietik!
Ndiqni dietën e përshkruar nga mjeku juaj. Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën tuaj trupore brenda kufijve normalë. Ushqimi i rekomanduar:
Frutat, perimet, peshku, bizelet, thjerrëzat, qumështi i skremuar dhe produktet e tij, buka me drithëra të plota, vaji i parafinuar, i presuar ftohtë, kripë dhe sheqer në sasi të kufizuar.
- Praktikoni aktivitet fizik të rregullt!
Kryeni rregullisht ushtrime sipas moshës tuaj dhe sipas rekomandimeve të mjekut tuaj. 30-60 minuta ecje të shpejtë 4-5 herë në javë do të përmirësojnë ndjeshëm gjendjen tuaj.
- Hiqni dorë nga konsumi i duhanit!
Pirja e duhanit në kombinim me diabetin rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
- Merrni rregullisht terapinë e përshkruar! Mos e ndërprisni atë edhe nëse ndiheni mirë!
- Bëni vetëkontroll të këmbëve tuaja çdo ditë, mbani higjienë të mirë dhe vishni këpucë të rehatshme!
- Kërkoni ndihmë mjekësore sa herë që ndjeni ndonjë ndryshim në shëndetin tuaj!
Sinusi pilonidal ose kisti i mbushur nga prania e qimeve të rrënjosura
Ekzistojnë disa terma teknikë më të komplikuar lidhur me këtë gjendje siç janë kisti pilonidal apo fistula sakrokoksigeale, por në fakt gjerësisht njihet nën termin “qime të rrënjosura”.
Kjo gjendje përfaqëson formimin e një kisti ose inflamacioni të kufizuar purulent (absces/qelb) të lokalizuar në palosjen gluteale. Tek disa pacientë mund të shfaqet vetëm një kist, ndërsa tek disa të tjerë zhvillohet një trajektore fistuloze. Në shumicën e rasteve, në sipërfaqen e lëkurës krijohet një hapje përmes së cilës kullohet përmbajtja purulente.
Kjo gjendje u përshkrua për herë të parë nga Hodges në 1880, dhe disa vite më vonë Herbert Mayo e përshkroi të njëjtën gjendje si një “kist të mbushur me qime”.
Ky problem është kryesisht tipik tek meshkujt. Një frekuencë më e lartë e këtij problemi është vërejtur tek ushtarët. Në Luftën e Dytë Botërore, është vërejtur shpesh edhe tek drejtuesit e automjeteve fuoristradë dhe automjeteve të rënda luftarake, prandaj kjo gjendje quhej edhe jeep disease – sëmundja e xhipit.
Epidemiologjia
Incidenca e kësaj sëmundjeje konsiderohet të jetë 26:100,000 njerëz. Në 50 vitet e fundit ka pasur një rritje të numrit të të prekurve, për të cilët si faktor rreziku është evidentuar përdorimi më i madh i mjeteve motorike, si dhe përdorimi i kompjuterit. Një mënyrë jetese e tillë çon në një mënyrë jetese sedentare (të ulur) për të gjithë popullatën.
Përsa i përket përhapjes së këtij problemi, sëmundja është më e pranishme tek meshkujt se tek femrat dhe raporti është 4:1.
Përveç arsyes që ka të bëj me stilin e jetesës, incidenca është më e lartë tek meshkujt për shkak të djersitjes më të madhe dhe pranisë së qimeve në zonën intergluteale. Për sa i përket moshës, kjo sëmundje zakonisht shfaqet tek njerëzit në dekadën e dytë dhe të tretë të jetës.
Etiologjia
Shkaku i saktë që çon në shfaqjen e sinusit pilonidal është ende i panjohur, megjithatë ekzistojnë disa teori që shpjegojnë shfaqjen e tij. Teoritë ndahen kryesisht në dy lloje: rezultat i faktorëve gjenetikë dhe teoria e shfaqjes nën ndikimin e faktorëve të rrezikut.
Teoria e predispozicionit gjenetik tregon se sinusi pilonidal është një anomali e lindur e lëkurës në zonën e sipërme të vitheve, e cila ndoshta ndodh për shkak të një mbetjeje embrionale të notokordeve primitive në lëkurën e kësaj zone. Më vonë në jetë, kjo ndikon në grumbullimin e qelizave të vdekura të lëkurës dhe fibrave të lëkurës, gjë që më pas shkakton shfaqjen e një procesi inflamator që pasohet me formimin e një grumbullimi purulent.
Teoria që tregon shfaqjen e sinusit pilonidal nën ndikimin e faktorëve të rrezikut përfshin:
- Djersitjen e tepërt në zonën gluteale
- Mbipeshën – obezitetin
- Prirjen familjare
- Përkatësinë e gjinisë mashkullore
- Profesionin e lidhur me uljen e zgjatur
- Çarjen e thellë apo lëndimin në zonën intergluteale
- Praninë e qimeve të shumta (të trasha dhe të ashpra)
- Higjienën e dobët në trup
Pamja klinike e sinusit pilonidal
Tek një pjesë e pacientëve, pamja klinike e sinusit pilonidal mund të jetë pa praninë e ndonjë shenje apo simptome. Ndërsa ka nga ata që përjetojnë ndryshime të lëkurës në këtë zonë. Këto ndryshime që ndodhin mund të jenë shumë të dhimbshme, të ndjekura nga një proces inflamator i lëkurës në formën e një kisti nënlëkuror që çahet në periudhën pasuese dhe prej tij derdhet përmbajtje purulente (e qelbëzuar) ose e përgjakshme.
Për shkak të dhimbjes në zonën e shfaqur, pacientët ankohen për vështirësi në ulje dhe pamundësi për të ecur. Pas rupturimit të kistës dhe drenimit të përmbajtjes së tij, ka lehtësim, por është afatshkurtër, sepse pas një periudhe të caktuar përsëritet grumbullimi i përmbajtjes purulente brenda kistit.
Megjithëse sinusi pilonidal është më karakteristik për shfaqjen e tij në zonën e kërbishtit (kryqit), shfaqja e tij është përshkruar gjithashtu edhe në:
- Hapësira ndërmjet gishtave
- Zonën e sqetullës
- Rreth kërthizës
- Në zonën intermamare (midis gjinjve)
- Zonën gjenitale si te meshkujt ashtu edhe te femrat
- Mbetje amputimi (në zonën ku është bërë amputim)
Diagnoza
Diagnoza e sinusit pilonidal vendoset në bazë të anamnezës dhe ekzaminimit klinik të pacientit. Në raste të caktuara, mund të kryhet fistulorrafia – një metodë diagnostike që tregon shtrirjen nënlëkurore të vetë ndryshimit. Gjatë diagnostikimit, meqenëse lëkura në zonën e kërbishtit është në kontakt të ngushtë me rektumin, mund të kërkohet kryerja e ekzaminimit manual dixhital anal.
Përgatitja para operacionit
Në marrëveshje me kirurgun, si për çdo operacion tjetër dhe gjatë trajtimit operativ të sinusit pilonidal, kërkohet përgatitje para operative. Kjo përgatitje përfshin:
• Nëse ka përmbajtje purulente, është e detyrueshme të merret një tampon (bris) për analiza mikrobiologjike dhe antibiogram të paktën 7 ditë para trajtimit operativ të planifikuar.
• Zbrazje të traktit gastrointestinal me ndihmën e laksativëve.
• Përgatitje standarde para operative për kirurgji nën anestezi të përgjithshme.
Trajtimi kirurgjik i sinusit pilonidal
Trajtimi kirurgjik i qimeve të rritura nën lëkurë mund të kryhet nën anestezi lokale. Por për komoditet më të madh të pacientit, rekomandohet operacioni nën anestezi të përgjithshme. Pas tualetit (pastrimit) së fushës operative kërkohet një injeksion i tretësirës metilen blu në kanalet fistuloze. Nëse tretësira metilen blu nuk disponohet, mund të administrohet injeksion me jod povidone. Kjo procedurë ka për qëllim lyerjen/ngjyrosjen e indit të ndryshuar (të përflakur), në mënyrë që të shënohet/dallohet nga indi i shëndetshëm.
Pasi të bëhet dallimi, bëhet heqja kirurgjikale e indit të ndryshuar deri në arritjen e indit të shëndetshëm makroskopik (të dukshëm për syrin). Në këtë mënyrë shmanget mbetja e indit të ndryshuar, pra shmanget përsëritja e sinusit pilonidal. Indi i ndryshuar që është hequr duhet të ekzaminohet nga një patolog për të vendosur një diagnozë përfundimtare patohistologjike.
Trajtimi postoperativ
Pas trajtimit kirurgjik, pacientët qëndrojnë në spital për të paktën një ditë. Në varësi të pamjes klinike dhe gjendjes së plagës postoperative, pacienti mund të ketë nevojë të vazhdojë trajtimin spitalor për disa ditë. Zakonisht, pas operacionit, pacienti qëndron në spital edhe për dy ditë të tjera.
Në periudhën pas operacionit, për të parandaluar dëmtimin mekanik nga qepja kirurgjikale, pacienti duhet të shtrihet në bark për 48 orët e para. Në ditën e parë pas operacionit shmanget marrja e ushqimit, për të shmangur nevojën për zbrazje, e cila mund të çojë në shfaqjen e komplikimeve postoperative. Pacienti këshillohet që gjatë ditës pas kryerjes së vetë operacionit të shmangë lëvizjet/ecjen dhe të ndalohet rreptësisht qëndrimi ulur me këmbë të hapura (në mënyrë të relaksuar). Në ditën e parë pas operacionit bëhet fashimi i plagës për të vlerësuar gjendjen e saj postoperative.
Në periudhën në vijim, pas daljes nga spitali, kirurgu jep udhëzime për trajtim të mëtejshëm në shtëpi për mjekimin e plagës kirurgjikale si dhe këshillave higjienike dhe dietike. Pas trajtimit kirurgjik të sinusit pilonidal, pacienti është i gatshëm t’i kthehet aktivitetit të punës tre javë pas operacionit dhe pas ekzaminimit të detyrueshëm nga vetë kirurgu që ka kryer intervenimin.
Pyetjet më të shpeshta
A ekziston rreziku i kancerit në indin e ndryshuar?
Për sa i përket pamjes klinike dhe vetë karakteristikave klinike, një nga diagnozat diferenciale të sinusit pilonidal është karcinoma skuamoze. Për të vendosur një diagnozë të saktë, kërkohet ekzaminim nga një specialist i cili mund të bëjë dallimin midis sinusit pilonidal dhe karcinomës së qelizave skuamoze bazuar në ekzaminimin klinik.
A ekziston rreziku i përsëritjes së sinusit pilonidal pas trajtimit kirurgjik?
Natyrisht që ekziston mundësia e përsëritjes, prandaj gjatë trajtimit operativ bëhet dallimi i indit gjatë të cilit mund të përcaktohet kufiri i indit të ndryshuar nga ai i shëndetshëm.
A është e mundur të kurohet sinusi pilonidal pa trajtim kirurgjik?
Nëse është një ndryshim fillestar që nuk ka shfaqur kanale nënlëkurore (fistula) dhe është i kufizuar, pa praninë e sekretimit purulent ose të përgjakshëm, duke ndryshuar mënyrën e jetesës, d.m.th. duke ndryshuar zakonet dietike dhe higjienike, është i mundur shërimi pa trajtim kirurgjik. Por në çdo rast kërkohet kryerja e ekzaminimit nga ana e kirurgut plastik.
Në klinikën tonë, në dispozicionin tuaj është Dr. Zhivorad Kocevski, i cili ka përvojë shumëvjeçare në zgjidhjen e suksesshme të këtij problemi. Për të caktuar një takim telefononi në 02/3091-484.
20 vjet nga autotransplantimi i parë i zemrës në Klinikën Zhan Mitrev
Në dy dekadat e fundit në Klinikën Zhan Mitrev janë kryer pesë autotransplantime. Kjo është një ndërhyrje operative revolucionare në trajtimin mjekësor modern të pacientëve me sëmundje të zemës. Gjatë këtij operacioni, zemra e pacientit rindërtohet jashtë kraharorit, dhe është një procedurë e cila konsiderohet jashtëzakonisht specifike dhe e komplikuar për t’u kryer.
“Kam qenë e sëmurë rëndë, më rekomanduan të drejtohesha te doktor Zhan Mitrev, i cili më ka operuar dhe vetëm pas disa ditësh jam ndjerë shumë më mirë. Kanë kaluar tashmë pesë vjet e gjysmë që kur më ka operuar doktor Mitrev dhe sot ndihem shkëlqyeshëm, punoj në kopsht me aq sa mundem dhe nuk kam asnjë problem. Jam mirënjohëse që ma ktheu jetën”, thotë Vera Baloska, një nga pacientet me autotransplant, e cila u operua në vitin 2017.
Autotransplantimi i zemrës, si procedurë, ka të njëjtat faza si transplantimi i zemrës nga një donator tjetër. Ndryshimi është se gjatë autotransplantimit organi i dëmtuar nuk zëvendësohet me një organ të huaj, por bëhet rikonstruktimi i vetë zemrës së pacientit të cilit i bëhet ndërhyrja.
Tek pacientët të cilët kanë nevojë për autotransplant zakonisht atriumi i majtë i zemrës është jashtëzakonisht i zgjeruar që e bën të pamundur kryerjen e operacionit brenda kraharorit, prandaj eshte e nevojshme qe zemra të nxirret nga kraharori, të bëhet sigurimi i qarkullimit ekstrakorporal i gjakut, dhe më pas vijon korrigjimi i nevojshëm kirurgjik për të reduktuar atriumin e majtë (valvulën mitrale) të zemrës së pacientit.
Nëse kjo nuk është e mundur, ajo zëvendësohet me një protezë artificiale.
Më pas zemra e rindërtuar kthehet në kraharor dhe lidhet me enët e gjakut si në rastin e transplantit.
Nga viti 2000 e deri më tani në klinikën tonë janë kryer gjithsej 5 operacione të tilla. Ato janë realizuar nga Dr. Zhan Mitrev dhe ekipi i tij.
Eksperienca e doktor Mitrevit në kryerjen e transplanteve/autotransplanteve të zemrës daton që para 26 vitesh kur ai kreu transplantin e parë të zemrës në Gjermani.
Specialistë nga Klinika Zhan Mitrev do të kryejnë ekzaminime kardiologjike falas për pensionistët nga mbarë Maqedonia
Shëndet për të gjithë!
Specialistë nga Klinika Zhan Mitrev do të kryejnë ekzaminime kardiologjike falas për pensionistët nga mbarë Maqedonia
Ekipi i mjekëve specialistë nga Klinika Zhan Mitrev me “Karvanin e shëndetit” do të kryejë falas ekzaminime specialistike, kardiake dhe internistike për pensionistët nga i gjithë vendi. Realizimi i ekzaminimeve falas është pjesë e Memorandumit për bashkëpunim të nënshkruar ndërmjet Spitalit klinik Zhan Mitrev dhe Unionit të shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë, i cili është nënshkruar sot me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit.
Qëllimi i “Karvanit të shëndetit” dhe ekzaminimeve falas është rritja e mundësive dhe aksesit për ekzaminime specialistike për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të marrin një mendim nga mjeku për gjendjen e tyre shëndetësore. Me këtë karvan, Klinika Zhan Mitrev rrit kujdesin shëndetësor për qytetarët, veçanërisht për kategoritë kritike dhe ata të cilët nuk kanë aspak mundësi për tu konsultuar me mjekun. Me anë të këtyre akzaminimeve do të ofrohet këshillimi dhe edukimi për diagnostikimin korrekt dhe në kohë të sëmundjeve të mundshme, në drejtim të parandalimit të sëmundjeve të zemrës.
Programi dhe mënyra e realizimit të Karvanit të shëndetit është bërë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Sindikatës, të cilët ishin të pranishëm në nënshkrimin e memorandumit, të përbërë nga: znj. Stanka Trajkova Kryetare e Sindikatës së Pensionistëve, Primarius Dr. Stojançe Stefanovski kryetar i Komisionit për shëndetësi dhe politikë sociale të sindikatës, znj. Menka Temelkovska – sekretare e bordit ekzekutiv të Shoqatës së pensionistëve të Maqedonisë dhe z. Vasil Paçemski, redaktor i gazetës Pensioner Plus.
Në emër të klinikës u mirëpritën nga Dr. Emil Stoitsovski, anesteziolog, Dr. Elena Ambarkova Vilarova, drejtore e mjekësisë dhe Dr. Zhan Mitrev.
Ekzaminimet do të përfshijnë anamnezën e pacientit, EKG, ekzaminimin kardiovaskular me ultratinguj dhe kontrollin e terapisë. “Karvani i shëndetit” do të zhvillohet gjatë muajve maj dhe qershor dhe do të vizitojë ato vende dhe qytete ku aksesi për ekzaminimin specialistik është i pamundur.
Me këtë aktivitet, Klinika Zhan Mitrev do të rrisë ndërgjegjësimin e publikut në drejtim të kujdesit për shëndetin kardiovaskular dhe parandalimin në kohë të sëmundjeve të zemrës tek grupet e veçanta të synuara, si dhe do të rrisë mundësinë për identifikimin dhe zvogëlimin në kohë të numrit të personave të sëmurë.
Gjithashtu, me qëndrim të përgjegjshëm shoqëror ndaj qytetarëve të Maqedonisë dhe të drejtën e tyre për qasje në ekzaminime të rregullta specialistike, Klinika Zhan Mitrev e zhvillon karvanin nën moton “Shëndet për të gjithë” që është fokusi vjetor i OBSH-së për të shënuar Ditën Botërore të Shëndetit.
Ekipi i ynë mjekësor pjesë e kongresit më të madh në kardiologjinë intervente në Indi
Dr. Vilma Ampova Sokolov dhe infermierja Sonja Rusevska pjesëmarrës në kongresin më të madh për kardiologjinë intervente
Muajin e kaluar në dy vende në Indi në Gujarat dhe në Chennai, u zhvilluan dy ngjarje të rëndësishme. Fillimisht nga data 14 deri më 15 mars u mbajt akademia për “Teknikat intervenuese komplekse kapitulli 17”, organizuar nga Meril dhe më pas nga data 16 deri më 18 mars vijoi India Live, një nga konferencat më të mëdha për kardiologjinë intervenuese në rajonin Azi-Paqësor. Këtu morën pjesë përfaqësuesit tanë Dr. Vilma Ampova-Sokolov dhe infermierja Sonja Rusevska së bashku me mbi 3000 kardiologë nga e gjithë bota. Përmbajtja edukative, transmetimet e drejtpërdrejta, pjesëmarrja e njohur universitare kombëtare dhe ndërkombëtare dhe integrimi akademik i liderëve të mendimit rajonal ishin pikat e forta të këtij takimi.
Klinika Zhan Mitrev: Proces dhe sulm i organizuar me thirrje për linçim për akuza të pabaza
Seanca e sotme dhe kushtet në të cilat po zhvillohet, tregojnë se ndaj Dr. Zhan Mitrev dhe Klinikës Zhan Mitrev ka një proces të udhëzuar dhe një sulm të organizuar për akuzë të pabazuar. Prania e personave me pankarta ditën e seancës tregon se gjithçka që lidhet me këtë proces është e organizuar dhe po zhvillohet sipas agjendës së dikujt. Organizimi i personave me pankarta që bëjnë thirrje për linçim dhe krijimin e një atmosfere sikur tashmë gjithçka është vendosur, në fakt është shkelja më e ashpër e drejtësisë dhe heqja e të drejtës për të provuar pafajësinë dhe të vërtetën. Kjo nuk është një armë ligjore dhe kështu shtypet e vërteta.
Nëse procesi kundër Dr. Zhan Mitrev dhe Klinikës Zhan Mitrev është i paanshëm, i drejtë dhe pa ndikim, atëherë ku është prezumimi i pafajësisë dhe pse ka një sulm të organizuar.
Prezumimi i pafajësisë duhet respektuar seriozisht dhe pa kompromis në çdo rast, veçanërisht në rastin e doktorit Zhan Mitrev dhe Klinikës, që kryen funksion përgjithësisht të dobishëm për qytetarët dhe ofron kujdes për shëndetin e tyre.
Deri më tani është dëshmuar se i gjithë procesi kryhet me qëllim për të dëmtuar, e jo me qëllim për të vërtetuar fajësinë, sepse ata vetë e dinë se në këtë rast nuk ekziston faj.
Përkundër gjithë kësaj, Klinika Zhan Mitrev dhe Dr. Mitrev vazhdojnë luftën e tyre për drejtësi dhe për të dëshmuar pafajësinë në këtë proces të instrumentuar dhe paralelisht nën ndikimin e të gjitha presioneve, dhe vazhdojnë të punojnë me pacientët e tyre, trajtimin dhe përmbushjen e misionit të tyre humanitar.
Intervistë: Dr. Zhivorad Kocevski – Pacientеt me zmadhim kirurgjik të gjoksit nuk kanë nevojë për sytjena
„Ndryshe nga implantet që përdoreshin në të kaluarën, teknologjia moderne e prodhimit të implanteve lejon jetëgjatësinë e tyre. Implantet që janë përdorur në të kaluarën kanë pasur jetëgjatësi 10 vjet, ndërsa implantet që prodhohen sot kanë një qëndrueshmëri minimale prej 20 vjetësh, por ka dhe prodhues implantesh që ofrojnë një garanci të përjetshme. Kështu, nëse implantet mbajnë të njëjtën formë dhe pozicion si në vitet e para pas operacionit, atëherë nuk është e nevojshme të ndryshohen“ – shpjegon Dr. Zhivorad Kocevski, specialist në kirurgjinë plastike, rikonstuktive dhe estetike.
Një tregues i mjaftueshëm i popullaritetit (famës) së kësaj ndërhyrje është vetë shifra e gati 2 milionë operacioneve estetike të zmadhimit së gjoksit në vit. Për të qenë të saktë, 1,860,000 janë kryer në vitin 2018 sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane për Kirurgjinë Estetike dhe Plastike.
Për disa gra, zmadhimi i gjoksit është një mënyrë për t’u ndjerë më të sigurta, ndërsa për disa të tjera është pjesë e rindërtimit të gjoksit për shkak të kushteve të ndryshme. Si lindi ideja e zhvillimit të kësaj procedure kirurgjikale? Cilat femra janë kandidate për këtë lloj ndërhyrjeje kirurgjikale dhe sa rol luan mosha në marrjen e vendimit?
Me zhvillimin e shoqërisë moderne, në mënyrë për t’u ndjerë më të sigurt, në dy shekujt e fundit njerëzit i kushtojnë më shumë rëndësi pamjes së tyre. Me rritjen e vëmendjes që i kushtohet estetikës – pamjes dhe kënaqësisë që marrin prej saj, njerëzit ndihen më të sigurt në vetvete. Kështu, së bashku me kirurgjinë plastike dhe rikonstruktive, fillon të zhvillohet edhe kirurgjia estetike. Në veçanti, zhvillimi i kirurgjisë rindërtuese dhe estetike i gjirit fillon në shekullin e 19-të.
Përpjekja e parë për zmadhimin e gjoksit u bë nga mjeku austriak Robert Gersuny në vitin 1890, i cili përdori injeksionin e vajit të parafinës. Disa vite më vonë, në vitin 1906, Dr. Tansini bëri përpjekjen e parë për rindërtimin e gjirit tek një paciente femër pas ndërhyrjes së mastektomisë të plotë (haqjes së plotë të gjirit). Kështu fillon një epokë e re në rindërtimin e gjoksit me ndihmën e lëkurës së muskulit që përmban m.Latissimus dorsi.
Në këtë periudhë për të bërë zmadhim kirurgjikal të gjoksit janë bërë shumë eksperimente si përdorimi i indit dhjamor dhe transferimi i tij në zonën e gjoksit, vendosja e sfungjerëve polivinil dhe injektimi i silikonit. Por këto eksperimente rezultuan në shfaqjen e një numri të madh të komplikimeve të padëshiruara intraoperative dhe postoperative, prandaj një pjesë e madhe e popullsisë femërore i shmangën këto procedura.
Në shekullin e 20-të, me zhvillimin e Show biznesit, ndërhyrjet e suksesshme për zmadhimin e gjoksit tek një sërë yjesh në fushën e aktrimit si Marilyn Monroe, Lana Turner dhe Ava Gardner, rikthejnë interesin e grave për zmadhimin e gjoksit. Kështu, në vitin 1961, Dow Corning, pas 9 vitesh kushtuar këtij problemi, arriti të bënte implantin e parë me silikon për zmadhimin e gjoksit. Kjo është arsyeja pse ai u bë pionieri modern në zhvillimin e kësaj procedure estetike. Sot, metoda e tij, përkundër numrit të madh të modifikimeve të vetë implanteve dhe procedurës kirurgjikale, paraqet bazën për zhvillimin e procedurës estetike më të kërkuar në mbarë botën – zmadhimin e gjoksit.
Një tregues i mjaftueshëm i popullaritetit (famës) së kësaj ndërhyrje është vetë shifra e gati 2 milionë operacioneve estetike të zmadhimit së gjoksit në vit. Për të qenë të saktë, 1,860,000 janë kryer në vitin 2018 (sipas të dhënave nga Shoqata Amerikane për Kirurgjinë Estetike dhe Plastike).
Përsa i përket femrave kandidate për këtë lloj ndërhyrjeje kirurgjikale, sipas indikacionit mjekësor, bëhet fjalë për paciente që kanë bërë mastektomi për shkak të kancerit të gjirit, pacientë me gjoks tubular, asimetri të gjirit dhe pacientë me sindromën Poloni (Poland Syndrome). Për sa i përket indikacioneve estetike, ato përfshijnë pacientë të pakënaqur me madhësinë e gjinjve të tyre si dhe praninë e gjoksit ptotik (të varur), veçanërisht pas periudhës së laktacionit.
Në të njëjtën kohë, mosha nuk luan një rol në marrjen e vendimit për zmadhimin e gjoksit. Pacientja duhet të jetë në moshë madhore, domethënë të jetë një person i pjekur emocionalisht dhe psikologjikisht. Grupmosha më e zakonshme që zgjedh zmadhimin kirurgjik të gjirit përfshin gratë midis moshës 25 dhe 35 vjeç, por nuk është e pazakontë që pacientët e një moshe më të madhe të interesohen për trajtimin estetik ose rindërtues të gjinjve të tyre, veçanërisht pacientët në dekadën e katërt ose të pestë tek të cilat është kryer mastektomia e gjirit për shkak të pranisë së kancerit.
Si duket dhe si kryhet operacioni për zmadhimin e gjoksit?
Përdorimi i implanteve është metoda më e zakonshme e zmadhimit kirurgjikal të gjirit. Procedura operative kryhet nën anestezi të përgjithshme. Implanti për zmadhimin e gjirit është një protezë që në varësi të materialit brenda vetë kapsulës mund të jetë: silikon, poliuretan ose një protezë e mbushur me tretësirë të kripur. Në varësi të madhësisë dhe llojit të implanteve që pacienti ka zgjedhur, kirurgu plastik përcakton se cili lloj i prerjes është më i përshtatshëm.
Të gjitha vendimet në lidhje me pozicionin e prerjes dhe vendosjes së implanteve merren nga kirurgu në marrëveshje me pacientin pas një konsultimi të detajuar dhe bazuar në predispozitat fizike të pacientit. Gjatë vetë ndërhyrjes kirurgjikale, implanti vendoset në një xhep të formuar më parë, i cili në varësi të vlerësimit të bërë më parë, implanti mund të vendoset nën indin e gjirit, d.m.th. implantim nënmamare, ose mund të vendoset nën muskulin e gjoksit d.m.th. implantimi subpektoral. Përsa i përket formës së vetë implanteve për zmadhimin e gjirit, madhësia dhe pamja/forma e implanteve – implante të rrumbullakëta ose anatomike – përcaktohet para operacionit në konsultim me pacientin. Ka një shumëllojshmëri të gjerë të implanteve, por në përgjithësi ato janë me përbërje të butë dhe fleksibël.
Pas vendosjes së implanteve, plaga kirurgjikale mbyllet në disa shtresa: shtresa muskulore, shtresa fasciale, shtresa nënlëkurore dhe më pas bëhet qepja e lëkurës. Kjo metodë e mbylljes së plagës kirurgjikale kryhet për të ulur tensionin e vetë plagës kirurgjikale, duke parandaluar kështu formimin e plagëve të shtrira/tërhequra dhe të deformuara.
Një pyetje e shpeshtë nga pacientët është se sa e madhe do të jetë shenja pas operacionit? Megjithëse implanti është me përmasa të mëdha, ai është i butë dhe mjaft fleksibël, dhe kjo lejon që në shumicën e rasteve plaga operative të jetë ndërmjet 5 dhe 6 cm. Kjo është e mjaftueshme për të vendosur implantet, kështu që madhësia e mbresës/shenjës do të lëvizë gjithashtu brenda këtij dimensioni. Pyetja e dytë më e zakonshme në lidhje me zmadhimin kirurgjik të gjirit është, sa zgjat vetë operacioni? Sikurse gjatë çdo operacioni, për të arritur rezultatin më të mirë dhe për të shmangur të gjitha komplikimet e mundshme, operacioni zgjat deri në përfundimin e tij. Megjithatë, në shumicën e rasteve, operacioni për zmadhimin e gjirit zgjat nga 90 deri në 120 minuta.
Cilat femra nuk duhet të mendojnë për kryerjen e operacionit për zmadhimin e gjoksit?
Duke qenë se numri më i madh i pacientëve që vijnë për ekzaminim tek kirurgu plastik vijnë për shkak të treguesit estetik, pra nuk janë të kënaqur me madhësinë e gjinjve të tyre, pas kryerjes së zmadhimit të gjirit, pacientët nuk duhet të jenë të kënaqur vetëm me pamjen e re, ata duhet të jenë të shëndetshëm. Kjo do të thotë që gjendja shëndetësore nuk duhet të përkeqësohet pas operacionit.
Prandaj, para së gjithash, është e nevojshme që pacientët t’i nënshtrohen një ekzaminimi të plotë, i cili përfshin ekzaminimin mamografik ose ekografik të gjinjve, grafinë e gjoksit, analizën e plotë të gjakut, ekzaminimin nga mjeku internist dhe anesteziolog dhe jepet konkluzioni nga të dyja palët se pacienti mund të operohet me anestezi të përgjithshme.
Pacientët që nuk duhet të marrin në konsideratë zmadhimin kirurgjik të gjirit janë ata që kanë një ndryshim të dyshimtë të palpueshëm ose me anë të ultrasonografisë ose konstatim të ndryshimit malinj të gjirit, pacientë të cilët kanë të paktën një vit që i janë nënshtruar një intervenimi kirurgjik për të hequr një ndryshim malinj të gjirit. Është e nevojshme që të kalojë të paktën një vit që nga kryerja e procedurës onkologjike, dhe sigurisht kërkohet një opinion onkologjik konsullor (i disa mjekëve) përpara kryerjes së operacionit rikonstruktiv ose estetik të gjirit.
Një kundërindikacion për zmadhimin kirurgjik të gjirit është gjendja e keqe shëndetësore e pacientit, ekzistenca e një sëmundjeje akute ose ekzistenca e një sëmundjeje kronike të patrajtuar. Kundërindikohet gjithashtu në prani të ndryshimeve inflamatore ose infektive në indin e gjirit, siç është për shembull prania e mastitit. Sigurisht, shtatzënia dhe ushqyerja me gji janë kundërindikacione absolute. Një gjendje e shqetësuar mendore si dhe ekzistenca e BDMS (sindroma trupore dismorfofobike) konsiderohen si kundërindikacione.
Cilat janë efektet anësore të zmadhimit së gjoksit, a ka rreziqe gjatë procedurës?
Nëse përjashtohet ekzistenca e një kundërindikacioni për zbatimin e zmadhimit kirurgjik të gjirit, pacienti është në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore dhe mendore, ka bërë një planifikim të saktë paraoperativ dhe nëse vetë operacioni kryhet në kushte kirurgjike sterile, atëherë nuk ka efekte anësore të rëndësishme përsa i përket operacionit për zmadhimin e gjoksit.
Megjithatë, ndërlikimet e mundshme përfshijnë: infeksionin, formimin e një shenje kirurgjikale estetikisht të pakënaqshme, dhimbje, hematoma, gjakderdhje, kontrakturë kapsulare.
Siç e kemi përmendur tashmë, nëse operacioni kryhet në kushte kirurgjike sterile në sallën e operacionit, nëse kryhet profilaksia me antibiotikë, atëherë rreziku i infektimit reduktohet në minimum. Përsa i përket formimit të një shenje kirurgjikale estetikisht të pakënaqshme, kjo parandalohet me anë të përdorimit të instrumenteve më të mira kirurgjikale që përdoren në kirurgjinë plastike në kombinim me teknikën e saktë kirurgjikale dhe qepjet kirurgjikale cilësore. Si çdo operacion, edhe në kirurgjinë estetike sigurisht që ka dhimbje pas operacionit.
Për të siguruar rehati më të madhe për pacientët, gjatë qëndrimit postoperativ në spital, dhimbja trajtohet me anë të analgjezikëve të dhënë me anë të infuzionit. Për rrjedhën e trajtimit të mëtejshëm, veçanërisht në kushtet e shtëpisë, dhimbja zgjidhet duke përdorur analgjezikë oralë. Kur bëhet fjalë për gjakderdhjen, çdo gjakderdhje gjatë operacionit ndalet me ndihmën e elektrokoagulimit. Vetë implanti nuk duhet të vendoset derisa të ndalet e gjithë gjakderdhja e shfaqur.
Edhe pse kirurgjia plastike është një nga operacionet më me finesë, operacioni ende paraqet një traumë për indet. Kështu që në periudhën pas operacionit është e mundur shfaqja e ënjtjes dhe hematomës. Kjo është arsyeja pse është e detyrueshme vendosja e drenimit gjatë operacionit. Drenat jo vetëm parandalojnë krijimin e një hematome, por na tregojnë edhe shkallën e reaksionit indor, pra sekretimin e përmbajtjes së përgjakshme ose seroze, gjë që tregon suksesin e trajtimit operativ.
Trupi i njeriut funksionon si një sistem i përsosur, në disa raste kjo mund të çojë në komplikime të tilla si kontraktura kapsulare. Kontraktura kapsulare është një nga ndërlikimet më serioze që mund të ndodhë pas operacionit për zmadhimin e gjoksit. Në fakt, kontraktura kapsulare është formimi i indit lidhës rreth vetë implantit në formën e një kapsule dhe ndodh sepse sistemi imunitar e njeh implantin si një trup të huaj dhe duke qenë se nuk mund ta heqë atë, përpiqet ta zërë në kurth/ ta bllokojë.
Një mënyrë për të parandaluar këtë fenomen është: vendosja submuskulare e vetë implantit, kontakti minimal i implantit me lëkurën e pacientit, larje e xhepit në të cilin do të vendoset implanti me solucione antibiotike dhe manipulimi minimal të vetë implantit.
Kontraktura kapsulare ndodh me një frekuencë prej 30% të pacientëve tek të cilët është vendosur një implant i mbushur me lëndë fiziologjike ose të ashtuquajtur “solucion i kripur”. Ndodh tek më pak se 4% e pacientëve ku augmentimi është bërë duke përdorur implante silikoni.
Si vijon rikuperimi pas operacionit dhe sa kohë duhet të kalojë për tu kthyer në aktivitetet e përditshme?
Pas zmadhimit kirurgjikal të gjoksit, pacienti duhet të monitorohet në repartin e kujdesit intensiv pas anestezisë për dy orët e para pas operacionit për të ndjekur me sukses gjendjen pas anestezisë së përgjithshme. Pas dy orësh, pacientja zhvendoset në dhomën e saj të spitalit ku monitorohet në intervale 2 deri në 3 orë. Tashmë 8 orë pas zmadhimit kirurgjik të gjoksit, pacientja mund të ngrihet nga shtrati dhe të lëvizë në hapësirën e dhomës së spitalit. Lëvizja në dhomë është nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor të spitalit.
Gjatë 24 orëve të para të operacionit për zmadhimin e gjoksit, është e nevojshme të monitorohet sasia e përmbajtjes së mbledhur përmes drenazheve. Nëse pacientja është në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore, nëse nuk ka rrezik për komplikime, atëherë në 24 orët e ardhshme pas operacionit, pra ditën e parë postoperative pas heqjes së drenazheve, ajo mund të lëshohet për shërim të mëtejshëm në shtëpi. Në kushte shtëpie rekomandohet pushimi, respektimi i detyrueshëm i rekomandimeve të dhëna nga kirurgu si dhe marrja e detyrueshme e terapisë së përshkruar.
Në ditën e pestë pas operacionit pacientја vjen për kontrollin e parë, gjatë të cilit bëhet ekzaminimi i plagës kirurgjikale si dhe i gjoksit, gjithashtu bëhet edhe fashimi i plagëve kirurgjikale. Ditën e dhjetë pas operacionit bëhet kontrolli i radhës kur hiqen qepjet nga plagët operative. Tashmë pas ditës së dhjetë nuk ka nevojë për mbulimin e plagëve me fashë, domethënë pas 10 ditësh plagët janë të mbyllura dhe fillon formimi tashmë i mbresës/shenjës. Në të ardhmen, pacienti mund t’i rikthehet kryerjes së aktiviteteve të përditshme, por pa aktivitet fizik që përfshin ngritjen e peshave të rënda si dhe ngritjen e krahëve mbi nivelin e shpatullave.
Dy javë pas operacionit, në varësi të llojit të punës që bën pacientja, ajo mund të kthehet në punë. Një muaj pas zmadhimit kirurgjik të gjoksit, pacientja mund të fillojë aktivitin fizik gradual si dhe të fillojë të merret me fitnes. Por është e rëndësishme të theksohet se ushtrimet e fitnesit duhet të bëhen pa përdorur peshë shtesë dhe shtangë/gira dore, më pas në është nevoja për kufizime të tjera në kryerjen e aktiviteteve nga jeta e përditshme si dhe aktivitetet profesionale.
Sa vite zgjat zmadhimi i gjoksit, pra sa kohë mund të qëndrojnë në formën e duhur implantet? A duhet të ndryshohen pas një periudhe të caktuar?
Ndryshe nga implantet që përdoreshin në të kaluarën, teknologjia moderne e prodhimit të implanteve lejon jetëgjatësinë e tyre. Implantet që janë përdorur në të kaluarën kanë pasur jetëgjatësi 10 vjet, ndërsa implantet që prodhohen sot kanë një qëndrueshmëri minimale prej 20 vjetësh, por ka dhe prodhues implantesh që ofrojnë një garanci të përjetshme. Kështu, nëse implantet mbajnë të njëjtën formë dhe pozicion si në vitet e para pas operacionit, atëherë nuk është e nevojshme të ndryshohen. Ekziston një ndryshim në jetëgjatësinë midis implanteve të mbushura me tretësirë kripë dhe implanteve të silikonit.
Për shkak të faktit se implantet e mbushura me tretësirë të kripur mund të ndryshojnë formën e tyre, d.m.th mund të shfaqen pabarazi në sipërfaqen e lëkurës në zonën e sipërme të gjoksit, si dhe për shkak të rrezikut më të madh të këputjes së vetë implanteve, rekomandohet heqja e tyre ose zëvendësimi i tyre përsëri pas 10 vjetësh nga implantimi. Kur bëhet fjalë për implantet e silikoni, mendimi i përgjithshëm është se nëse ato kanë ruajtur formën e tyre, nuk kanë pësuar ndryshim në përmbajtjen e tyre, mund të qëndrojnë për 20 vjet. Nëse nuk ka komplikime pas 20 vjetësh, ato mund të mbeten edhe më gjatë.
Në fakt, 20 vjet është një periudhë gjatë së cilës nuk pritet ruptura e vetë implantit. Rreziku i rupturës rritet me 1% çdo vit. Kjo do të thotë se pas 20 vjetësh, rreziku i këputjes së implantit është 20%. Por nëse pacientja bën kontrolle të rregullta vjetore, duke filluar nga viti i parë pas zmadhimit të gjoksit, atëherë gjendja e implanteve mund të monitorohet më me besueshmëri dhe ato nuk do të kenë nevojë për zëvendësim edhe pas 20 vitesh.
Një nga pyetjet që i intereson femrat që po mendojnë për këtë lloj ndërhyrjeje është nëse implantet kërkojnë vendosjen e sytjenave, e cila sigurisht është e detyrueshme në javët e para pas ndërhyrjes, por çfarë më pas?
Në periudhën pas operacionit, veshja e një sytjena kompresive është e detyrueshme. Bëhet pjesë e garderobës në muajin e parë, por mund të jetë e dobishme deri në tre muaj në varësi të llojit të implantit ose në varësi të shtresës në të cilën vendoset vetë implanti. Pas tre muajsh, për shkak se vetë implanti i bën gjinjtë më të fortë, pacientet nuk kanë nevojë fare për sytjena. Por nëse pacienti dëshiron të veshë sytjena, duhet ditur se përdorimi i sytjena me tela metali është i ndaluar.
A mund të ushqej me gji gruaja pas vendosjes së implanteve?
Nëse operacioni i zmadhimit të gjirit kryhet nga një kirurg plastik me përvojë dhe të mirëarsimuar, i cili duke përdorur një teknikë adekuate kirurgjikale e vendos implantin në pozicionin e duhur, atëherë shmanget rreziku i dëmtimit të sistemit kanalor të indit të gjirit. Kjo do të thotë që një grua në periudhën pas lindjes mund të ushqejë me gji pa problem. Nëse pacientja nuk ka ushqyer më parë me gji dhe ka në plan, atëherë ajo nuk duhet të zgjedhë një zmadhim të gjirit që përfshin një prerje kirurgjikale në zonën përreth thithave, sepse ajo qasje kirurgjikale rrit rrezikun e zhvillimit të problemeve gjatë dhënies së gjirit.
Nëse qasja kirurgjikale për zmadhimin e gjirit bëhet përmes një prerjeje kirurgjikale në zonën e palosjes submamare ose në zonën e sqetullës, atëherë nuk ka rrezik për komplikime të lidhura me ushqyerjen me gji. Një nga arsyet që mund të çojë në komplikime në lidhje me ushqyerjen me gji është madhësia e implanteve. Nëse implantet përdoren në përmasa fiziologjike, pra nëse madhësia e implanteve është brenda kufijve të një vlere normale pas matjes së kraharorit dhe gjinjve të pacientes, atëherë nuk ka rrezik për komplikime në lidhje me ushqyerjen me gji.
Por nëse përdoren implante të mëdha që janë më të mëdha se përmasat e rekomanduara nga kirurgu plastik, atëherë vetë implanti çon në komprimim të vetë indit të gjirit, duke rritur rrezikun e komplikimeve gjatë ushqyerjes me gji.
Çfarë do t’u thoshit femrave që janë të pakënaqura me pamjen e gjoksit dhe hezitojnë për zmadhimin kirurgjik të gjoksit?
Nëse pacientët janë të pakënaqur me pamjen e tyre dhe nëse vendosin që duan të zmadhojnë gjoksin, rekomandohet që të jenë të informuar mirë për vetë procedurën operative, por është e nevojshme edhe të informohen mirë për komplikacionet e mundshme të padëshiruara. Kur bëhet fjalë për zmadhimin e gjirit, përpara se të vendosni se ku dhe me kë do të dëshironit ta kryeni vetë operacionin, informohuni mirë për edukimin dhe përvojën e kirurgut.
Nëse pacientja është e pavendosur nëse do të donte të kryente procedurën operative, rekomandohet që ajo të marrë parasysh sa e pakënaqur është me pamjen e saj. Qoftë operacioni i gjoksit, hundës apo ndonjë procedurë tjetër estetike, mënyra më e mirë është të vlerësoni subjektivisht në një shkallë nga 1 deri në 10 se sa e pakënaqur është ajo me pamjen e saj. Nëse pakënaqësia është më e lartë se 7, atëherë vetë operacioni duhet të konsiderohet më seriozisht.
Pyetja e dytë që pacienti duhet t’i bëjë vetes, a do të jetë më e lumtur pas operacionit? Nëse operacioni do ta bëjë vërtet pacientin më të lumtur, do të thotë që pas operacionit vetëbesimi i pacientit do të jetë në një nivel më të lartë, atëherë pacienti nuk duhet të hezitojë në lidhje me vetë procedurën e operacionit. Nëse pacientja beson se procedura e kirurgjisë estetike nuk do të ndryshojë dukshëm pamjen para operacionit dhe nuk do të çojë në rritjen e vetëbesimit, pra nuk do ta bëjë atë më të lumtur, atëherë pacienti nuk duhet të mendojë fare për kirurgjinë estetike sepse pavarësisht nga rezultati përfundimtar, pacienti nuk do të jetë i kënaqur me të.