Stimulimi magnetik funksional (FMS) është një metodë jo invazive dhe pa dhimbje që bazohet në fushë elektromagnetike nën ndikimin e intensitetit të lartë deri në 3T. Është një elektroterapi e zhvilluar rishtazi që përdor teknologji të veçantë të stimulimit magnetik funksional, pra një fushë magnetike pulsuese të krijuar nga pajisja Tesla Care prestige që shkakton kontraktime të thella të muskujve.
Teknologjia FMS përdor vetitë induktive të fushës magnetike për depërtimin e thellë të indeve dhe kështu stimulon muskujt që nuk mund të shënjestrohen nga stimulimi elektrik klasik.
Stimulimi magnetik funksional nuk shkakton dhimbje, mund të funksionojë pa kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën, nuk stimulon nervat në sipërfaqen e lëkurës dhe për këtë arsye është më i përshtatshëm se stimulimi elektrik klasik. Fushat magnetike depërtojnë lehtësisht në rroba, inde dhe kocka dhe mbërrijnë deri tek indet e paarritshme. Trajtimi me FMS rrit fuqinë dhe qëndrueshmërinë e muskujve të legenit (pelvisit).
Sindromi akut dhe kronik i mesit (lumbago dhe shiatiku)
Degjenerim akut dhe kronik i disqeve ndërvertebral (hernie diskale)
Radikulopatia akute dhe kronike
Rehabilitimi i muskujve ose nervave traumatikë
Trajtimi i dhimbjeve akute
Lëndime sportive
Mosmbajtja e urinës (stres inkontinenca)
Mosmbajtja urinare urgjente
Mosmbajtja urinare e përzier
Mosmbajtja fekale
Rigjenerimi i pelvisit (legenit) pas lindjes ose operacionit
Mosmbajtje pas prostatektomisë radikale
Mosfunksionim erektil
Metodat e trajtimit
FMS përdoret në një seri prej 8 deri në 16 trajtime. Trajtimet duhet të kryhen çdo dy deri në tre ditë.
Intensiteti rregullohet individualisht në varësi të shkallës së problemit të pacientit.
Kohëzgjatja e trajtimit është 15-30 minuta (në varësi të indikacionit).
Momentalisht, në Zan Mitrev Diagnostic në Strumicë dhe në Spitalin klinik Zhan Mitrev në Shkup janë në dispozicion tre shërbime FMS:
Stimulimi magnetik funksional (për të gjitha diagnozat muskulo-skeletale dhe neurologjike)
FMS për mosmbajtje urinare
FMS për mosmbajtje fekale
Rekomandimet për trajtimin me FMS mund të jepen nga mjeku urolog ose gjinekolog për mosmbajtje urinare ose mosfunksionim erektil, dhe për diagnozat muskulo-skeletale dhe neurologjike rekomandimi duhet të jepet nga mjeku ortoped ose neurolog.
Për më tepër informacione kontaktoni në 070 257 962 Për rezervimin e terminit kontaktoni në 034 320 302
Përdorimi i fuqisë së shëndetit dixhital për të përmirësuar ndërgjegjësimin, parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kardiovaskulare në nivel global është qëllimi për Ditën e Zemrës së këtij viti.
“Ndërsa bota përpiqet të merret me KOVID-19, ne kurrë nuk kemi qenë më të vetëdijshëm për rëndësinë e shëndetit vetjak dhe të dashurve tanë,” shpehen nga Organizata Botërore e Zemrës.
Sëmundjet kardiovaskulare mbeten vrasësi numër një në botë, duke rezultuar me 18.6 milionë vdekje në vit. Ka shumë shkaqe për këtë, nga pirja e duhanit, diabeti, presioni i lartë i gjakut dhe obeziteti, deri tek ndotja e ajrit. Sigurisht që ka kushte më të rralla siç është sëmundja e Chagas dhe amiloidoza kardiake.
Për 520 milionë njerëz që jetojnë me sëmundje kardiovaskulare, KOVID-19 është një kërcënim i veçantë sepse ata janë ata që janë më të rrezikuar nga zhvillimi i formave të rënda të virusit. Për këtë arsye, shumë persona të frikësuar për tu përfshirë në punë dhe aktivitete normale të jetës janë izoluar nga miqtë dhe të afërmit.
Këtë vit, mesazhi që ata dërgojnë për Ditën Botërore të Zemrës është:
PËRDORNI ZEMRËN PËR T’U LIDHUR
Kriza shëndetësore që po përjetojmë të gjithë ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për të gjetur mënyra të ndryshme dhe inovatore për të lidhur njerëzit me probleme të shëndetit të zemrës, veçanërisht në zonat dhe komunitetet me më pak burime. Bëhet fjalë për të lidhur zemrat tona, për t’u siguruar që ne kujdesemi për ata sa më mirë që mundemi, dhe përdorim fuqinë dixhitale për të lidhur çdo zemër, kudo. Profesionistët mjekësorë janë këtu për ju, telefononi ata kurdo që keni nevojë.
Për herë të njëmbëdhjetë, këtë vit me datë 25 Shtator shënohet Dita Botërore e Farmacistëve, dhe këtë herë theksi është vendosur në besimin që pacientët kanë tek këta punonjës të mjekësisë.
Qëllimi për shënimin e kësaj date është që të arrihet një nivel ndryshe, më i lartë shoqëror në këtë profesion, tek këta punonjës të cilët janë të përfshirë në mënyrë aktive në rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin tonë personal. Kjo ditë ka për qëllim që të rikujtojmë rëndësinë e farmacistëve në sistemin e përgjithshëm shëndetësor.
Farmacistët janë ekspertë të terapisë, nëpërmjet kontrollit përsa i përket kombinimit të duhur të tyre, këshillave për përdorimin dhe ruajtjen e duhur, dhënies së informacioneve të sakta dhe të vërtetuara për ilaçet në mënyrë të kuptueshme për pacientët, këshillave të vazhdueshme përsa i përket imunitetit dhe rëndësisë së tij, veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë, këshillave për marrjen e ilaçeve dhe suplementeve pa recetë, menaxhojnë sëmundjet kronike nëpërmjet këshillave për rëndësinë e marrjes së terapisë dhe ndjekjen e vazhdueshme të gjendjes së pacientëve.
Farmacistët vazhdimisht edukohen dhe përmirësojnë dijet e tyre. Ata i përgatisin, i kontrollojnë, i vërtetojnë dhe i japin ilaçet. Përdorimi i saktë, doza e duhur sipas nevojave të pacientëve, është pikërisht ajo që bën ilaçin të mos shndërrohet në helm, dhe në këtë proces përsëri farmacisti luan rolin kryesor.
Farmacisti është filtri j fundit para përdorimit të ilaçit. Ne dëshirojmë t’iu urojmë këtë ditë të veçantë të gjithë farmacistëve në vendin tonë, me mesazhin që të vazhdojnë të jenë profesionistë të shëndetit, të cilëve pacientët u besojnë shëndetin e tyre dhe shëndetin e të dashurve të tyre.
Osteoporoza ka të bëj me humbjen e dendësisë së kockave, e cila mund të çojë në thyerje (frakturë) të kockave madje edhe gjatë sforcimeve më të vogla dhe aktiviteteve të përditshme. Është një sëmundje metabolike dominuese dhe përbën problem të madh shëndetësor dhe social.
Osteoporoza nuk shfaq simptoma të tjera përveç rënies së dukshme të gjatësisë së pacientit dhe shfaqjes e përkuljes në pjesën shpinës. Zvogëlimi i dendësisë së kockave shpesh mund të shkaktojë thyerje në pjesën e këllkut gjatë rënies tek personat e moshuar, të shoqëruara më pas me fraktura të krahut, si dhe fraktura të kompresimit të rruazave të shtyllës kurrizore, tek të cilat vërehet ulja e lartësisë së trupit vertebral.
Cilat janë shkaqet e shfaqjes së osteoporozës?
– Faktori gjenetik,
– Menopauza e hershme,
– Jeta pasive pa shumë lëvizje,
– Sëmundjet endokrinologjike dhe hematologjike,
– Pesha e ulët e trupit,
– Përdorimi i ilaçeve të caktuara: kortikosteroide, metotreksat,
– Reduktimi apo mungesa e kalciumit në trup,
– Zakonet e këqija të jetesës (alkooli, pirja e duhanit, marrja e lartë e natriumit, kafeina, etj.).
Gratë janë më të prirura ndaj osteoporozës. Përse?
Tek gratë, osteoporoza është më e zakonshme për shkak të çrregullimit apo humbjes së hormoneve (estrogjenit dhe progesteronit) me fillimin e menopauzës. Mungesa e aktivitetit fizik si dhe konstituimi (konstrukti) i kockave i bëjnë ato më të ndjeshme ndaj kësaj sëmundje. Tek burrat, për shkak të madhësisë së vetë kockave dhe llojit të aktivitetit fizik që ata kryejnë, kockat janë më të shëndetshme.
Statistikat mjekësore tregojnë se në frakturat vertebrale raporti ndërmjet grave dhe burrave është 7: 1. Në rastin e thyerjeve të këllkut, statistikat janë gjithashtu në favor të burrave, dmth fraktura e këllçeve tek gratë është dy herë më e pranishme se tek burrat. Ndërsa në lidhje me frakturat e krahut, raporti ndërmjet grave dhe burrave është 5: 1.
Si mund ta dimë nëse kemi osteoporozë?
Osteoporoza zbulohet me anë të aparatit DEXA Scan. Me anë të këtij aparati bëhet matja e dendësisë së masës kockore, dhe kombinohet edhe me teste të tjera laboratorike – shënjues për prishjen e kockave, përqendrimin e kalciumit të jonizuar dhe vitaminës D. Pas zbulimit apo përcaktimit të saktë të diagnozës, osteoporoza mund të trajtohet. Pas marrjes së trajtimit të osteoporozës për një periudhë 1 vjeçare, përsëri duhet të kryhet kontrolli i kockave me anë të DEXA Scan dhe kontrolli i parametrave laboratorikë.
Në klinikën tonë, osteodensitometria (DEXA scan) bëhet nga teknologë të trajnuar dhe rezultatet përpunohen nga ekipi i mjekëve të edukuar dhe trajnuar për kryerjen e osteodensitometrisë, me anë të të cilës mjeku do t’ju japë terapinë dhe trajtimin e duhur.
Nuk kërkohet përgatitje e veçantë për kryerjen e këtij kontrolli. Regjistrimi është i shkurtër, jo invaziv dhe pa dhimbje. Në mënyrë standade bëhet regjistrimi i këllkut të majtë dhe pjesa lumbale e shtyllës kurrizore (nga rruaza e parë në rruazën e katërt lumbale).
Në disa raste, në të cilat kemi të bëjmë me operacion të mëparshëm të shtyllës kurrizore ose kur ka ndryshim të theksuar degjenerativ, bëhet regjistrimi i të dyja këllçeve.
Ky kontroll mund të bëhet edhe tek pacientët të cilët kanë nivele të larta të hormoneve paratiroide në gjak, është e nevojshme të bëhet skanimi i parakrahut, tek pacientët me mbipeshë trupore mbi 150 kg, tek pacientët ku për arsye të caktuara nuk mund të kryhen skanime standarde DEXA (protezë në të dyja këllçet dhe ndryshime të theksuara degjenerative të shtyllës kurrizore).
Pajisja jonë moderne e markës Hologic ka edhe dy mjete ndihmëse që ndihmojnë për të vendosur nëse duhet të filloni me marrjen e terapisë. Kjo është FRAX score, i cili nëpërmjet llogaritjes së faktorëve të rrezikut, bën llogaritjen 10-vjeçare të frakturave të këllçeve dhe frakturave të mëdha osteoporotike. Ndërsa pajisja tjetër ndihmëse është TBS, e cila bazuar në regjistrimin DEXA sca, na njeh me cilësinë e kockave.
Ekzema atopike është një nga sëmundjet më të zakonshme të lëkurës në mbarë botën dhe një nga më të nënvlerësuarat. Ekzema atopike shpesh konsiderohet si “vetëm një gjendje e lëkurës” dhe nevojat e pacientëve nuk adresohen në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Kjo është arsyeja pse komuniteti për ekzemën atopike prej disa viteve më parë është organizuar me aktivitete për të shënuar 14 Shtatorin si “Ditën Botërore të Ekzemës Atopike”, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për sëmundjen dhe të flasë për peshën që mbart mbi pacientët. Por gjithashtu edhe që profesionistët e shëndetësisë të njohin nevojën për kujdes dhe trajtim që pasqyron natyrën shumëdimensionale të sëmundjes.
Një përshkrim i shkurtër për ekzemën atopike
Ekzema atomatike ose dermatiti është më shumë se nevoja për kruajtjen e lëkurës në mënyrë kronike, e shoqëruar me thatësi. Dermatiti atopik ndikon në jetën e përgjithshme të pacientëve. Është një gjendje kronike e kruajtjes e karakterizuar nga lëkura e thatë. Zakonisht fillon në fëmijërinë e hershme dhe shpesh shoqërohet me kushte të tjera atopike, të tilla si astma dhe rinokonjuktiviti alergjik. Dermatiti atopik shfaqet tek rreth 20-30% e fëmijëve dhe 2-10% e personave të rritur. Personat me një histori personale ose familjare të atopisë (tendenca për të zhvilluar një gjendje alergjike) kanë shumë më shumë gjasa të vuajnë nga dermatiti atopik.
Dermatiti atopik tek fëmijët
Dermatiti atopik është një sëmundje shumë e zakonshme tek fëmijët. Ndërmjet 10 dhe 15% e foshnjave të porsalindura në Europën Perëndimore zhvillojnë dermatit atopik pas muajit të parë të jetës. Fatmirësisht, kjo është një sëmundje e shërueshme. Simptomat mund të kontrollohen lehtësisht dhe tek 4 nga 5 fëmijë dermatiti atopik mund të largohet vetvetiu rreth moshës 5 vjeç. Dermatiti atopik zakonisht shkaktohet nga alergjitë. Një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje luan zbulimi i shkakut të dermatitit atopik dhe reduktimi i tij, pra eliminimi i shkaktarëve alergjikë në mënyrë që të minimizohet shfaqja e simptomave.
Ushqimi
Shumë ushqime, veçanërisht qumështi i lopës, mund të shkaktojnë reaksion alergjik që mund të çojë në dermatit atopik. Kjo është arsyeja pse rekomandohet ushqyerja me gji tek foshnjat sa më gjatë të jetë e mundur. Ushqeni foshnjën vetëm me qumësht gjiri për të paktën 6 muaj, dhe më pas mund ti jepni ushqim shtesë me shishe ose ushqime pak më të forta.
Pirja e duhanit
Pirja e duhanit mund të çojë në alergji edhe kur fëmija është në barkun e nënës. Kjo është një nga arsyet pse gratë shtatzëna duhet të lënë duhanin dhe detyrimisht gjatë 12 muajve të parë të jetës duhet të ndalohet pirja e duhanit nga personat e tjerë në prani të foshnjës.
Marimangat e pluhurit të shtëpisë
Marimangat e pluhurit të shtëpisë nuk mund të shihen me sy të lirë, ato janë parazitë mikroskopikë që gjenden më shpesh në qilima, dyshekë dhe lodra prej pelushi. Të gjitha burimet e marimangave të pluhurit të shtëpisë (parazitët) duhet të hiqen nga mjedisi i foshnjës. Për shembull:
Hiqni të gjitha lodrat prej pelushi, si dhe qilimat dhe perdet që mund të mbledhin pluhur në dhomën e foshnjës.
Shpesh pastroni qilimat dhe perdet në dhomat e tjera ku foshnja mund të qëndrojë madje edhe për një kohë të shkurtër.
Ajrosni shtëpinë shpesh, edhe në dimër, për të parandaluar rritjen e marimangave të pluhurit të shtëpisë
Përdorni çarçafë, dyshekë dhe shtrat për foshnjën tuaj kundër marimangave të pluhurit
Përdorni një pudër ose shkumë të veçantë për zhdukjen e këtyre parazitëve
Konsultohuni me mjekun tuaj për këshilla të tjera të dobishme
Кafshët shtëpiake
Kafshët shtëpiake, veçanërisht macet, mund të shkaktojnë reaksione alergjike. Ato duhet të mbahen larg foshnjës dhe, nëse është e nevojshme, ti mbani larg ambientit të brendshëm të shtëpisë.
Predispozicioni gjenetik
Shumica e fëmijëve (por jo të gjithë) që zhvillojnë alergji kanë një predispozitë gjenetike dhe nëse nuk tregohet kujdes dhe nuk trajtohen siç duhet ata mund të kalojnë në një gjendje të ashtuquajtur “atopi”. Kjo predispozitë trashëgohet nga prindërit. Meqënëse predispozita e trashëguar nuk mund të luftohet, bëni kujdes dhe ndiqni rekomandimet e mësipërme, dhe në këtë mënyrë do të jeni në gjendje të parandaloni ose minimizoni simptomat e dermatitit atopik tek fëmija juaj.
Dermatiti atopik dhe astma
Astma dhe dermatiti atopik tek fëmijët zakonisht shkaktohen si pasojë e reaksionit alergjik. Mënyra më e mirë për të parandaluar astmën tek fëmija juaj është parandalimi i dermatitit atopik. Në rast të shfaqjes së tij, është e nevojshme të eliminohen shkaqet e kësaj sëmundjeje në mënyrë që të shmanget shfaqja e simptomave të astmës dhe zhvillimi i saj.
Trajtimi i simptomave të dermatitit atopik
Trajtimi i simptomave të dermatitit atopik tek fëmijët është i thjeshtë dhe mund të jetë shumë efektiv. Që trajtimi të rezultoj i suksesshëm, duhet të ndiqni rreptësisht këshillat e mjekut tuaj çdo ditë.
Mjeku do të rekomandojë aplikimin e një kremi për ta mbajtur lëkurën e fëmijës të butë dhe të lagësht.
Nëse tek lëkura e fëmijës shfaqet skuqje, mjeku mund të përshkruajë pomadë që përmban kortizon, duhet të përdoret për një periudhë të shkurtër kohore dhe në sasi të vogla.
Për shkak se alergjitë ushqimore shpesh çojnë në shfaqje të simptomave të dermatitit atopik, mjeku juaj mund të rekomandojë “eliminimin” e disa ushqimeve të caktuara për të zbuluar se cilat ushqime shkaktojnë reaksione (skuqje) të lëkurës.
Në raste më të rënda, mjeku juaj mund të rekomandojë përdorimin e antihistaminëve oral për të zvogëluar inflamacionin dhe kruajtjen.
Kruajtja mund të shkaktojë plagë duke i lënë vend shfaqjes së infeksionit bakterial për të cilin mjeku mund të përshkruajë antibiotikë në formë pomade.
Uji gjithashtu mund të shkaktojë kruajtje, por foshnja duhet të lahet. Në raste të tilla rekomandohet:
Banjë një herë në ditë maksimum 5 minuta
Uji të jetë i vakët jo më shumë se 35˚ C
Në ujë mund të shtoni vaj vaske (për larjen e foshnjës) ose lëndë antiseptike.
Investimi i vazhdueshëm në zbatimin praktik të njohurive është vendimtar në punën e përditshme të mjekëve tanë. Këtë herë në qendrën tonë për dermatologji estetike u mbajt seminar njëditor për aplikimin e mbushësve të lëkurës. Edukimi ishte i tipit ,,hands-on,, i mbajtur nga edukatoret Dr. Gorana Bjelic dhe Dr. Anxhelka Ilieva të cilat punuan me markën Belotero të Merz Aesthetics. Të gjitha modelet u larguan të kënaqura nga trajtimi i zbukurimit në të cilin mori pjesë aktive edhe dermatologia jonë Dr. Aleksandra Lazarevska.Ky është trajnimi i parë i këtij lloji, dhe të tjerë do të pasojnë në qendrën për dermatologji estetike, e cila është plotësisht e gatshme për ngjarje të këtij lloji.
Shumë familje kanë humbur të dashurit e tyre në të kaluarën. Përballja me vdekjen është një nga sfidat më të mëdha. Kur përballemi me humbjen e një personi të dashur, shfaqen një sërë simptomash dhe më të theksuarat janë trishtimi, zemërimi, frika dhe simptoma psikosomatike, të tilla si pagjumësia, shqetësimi, humbja ose shtimi i oreksit, rrahjet e shpejta të zemrës, presioni i lartë i gjakut, dhimbje koke. Psikologjikisht dhe fizikisht i gjithë trupi ynë reagon. Kjo gjendje prish ekuilibrin natyror të organizmit.
Në asnjë mënyrë nuk duhet ta shmangim pikëllimin. Eshtë një proces i natyrshëm dhe i dobishëm që ka një funksion shërues. Është e rëndësishme që emocionet të dalin prej nesh, sepse emocionet e shtypura nuk largohen, nuk zhduken, ata shpesh dinë të shfaqen në formën e sëmundjeve ose problemeve fizike. Procesi i pikëllimit zakonisht zgjat 2 deri në 3 vjet. Në atë proces ne kalojmë nëpër disa faza të ndryshme, gjendje të cilat është mirë të dimë në mënyrë që të jemi të vetëdijshëm se deri në çfarë mase është normale ajo që po kalojmë.
Faza e parë është tronditja dhe mosbesimi, është mekanizmi mbrojtës i trupit tonë. Kur marrim lajmin se kemi humbur dikë me të cilin kemi qenë të lidhur emocionalisht, ne thjesht e mohojmë atë dhe nuk duam ta pranojmë. Në mënyrë të pavetëdijshme krijojmë një barrierë që na mbron në atë moment të parë nga lajmi i tmerrshëm. Mohimi është normal dhe nuk duhet të luftoni kundër tij.
Pastaj vjen faza e zemërimit. Me kë jemi të zemëruar? Së pari, ne zakonisht zemërohemi me personin që na la dhe themi: “Pse duhej të më braktisje tani?” Ne zemërohemi me Perëndinë, botën, mjekët, zemërohemi me veten. Pyesim veten nëse kemi bërë gjithçka të nevojshme? A duhej dhe a mund të kishim bërë diçka më tepër?
Ne hyjmë në një proces faji sepse mendja kështu përpiqet të gjejë një zgjidhje, por kërkon një zgjidhje në një mënyrë për të gjetur fajtorin, cili është fajtori për atë që ndodhi, kush është përgjegjës. Është e rëndësishme të dini se askush nuk është fajtor. Ky është një zemërim normal dhe është pjesë normale e procesit të pikëllimit dhe kërkon kohë.
Mos luftoni kundër tij, është mëse normale të ndjeni zemërim. Kur të ndiheni të zemëruar mos e shtypni atë ndjenjë, lëreni të dale nga ju, thoni me zë të lartë: “Unë jam aq i/e zemëruar që kjo gjë ndodhi”. Pastaj dhimbja është përsëri e tmerrshme, por bëhet më e lehtë kur e pranojmë dhe respektojmë ndjenjën
Kur nxjerrim atë ngarkesë të fortë energjie përmes zemërimit që na sjell siklet dhe parehati, atëherë hyjmë në fazën tjetër dhe kjo është depresioni ose zhgënjimi.
Në këtë fazë ne jemi të vetëdijshëm se është një humbje e madhe fakti që i dashuri ynë është larguar dhe kjo shfaqet me simptoma që janë shumë të ngjashme me simptomat e depresionit, të cilat janë trishtimi, ngurrimi, apatia, disa persona madje mendojnë ta lëndojnë veten e tyre.
Atëherë është e rëndësishme të mbani mend se jeni akoma gjallë dhe për sa kohë që jeni gjallë keni përgjegjësinë të kujdeseni për jetën tuaj, që do të thotë ta jetoni atë dhe të përjetoni gjithçka që ju sjell jeta, qofshin ato momente të bukura apo të hidhura.
Pas zemërimit, valët e dhimbjes do t’ju godasin, por më pas ato do të tërhiqen, duke ardhur gjithnjë e më pak. Kur kjo ndodh ne kalojmë në fazën tjetër, pranimin. Në këtë fazë, është ende e vështirë, ende na mungon ai person, por tani po e pranojmë ngadalë. Shumica e njerëzve mësojnë të përballojnë dhimbjen dhe pikëllimin.
Duke kaluar nëpër të gjitha këto faza, ato fillojnë të mësojnë, gradualisht, me ritmin dhe kohën e tyre për të vazhduar me jetën dhe funksionet e tyre në shoqëri. Në fazën e pranimit ne besojmë se ai person do të jetojë gjithmonë tek ne dhe ne zgjedhim të përqëndrohemi në dashurinë që gjithmonë do të ndiejmë për të.
Këshilla dhe rekomandime
Kur jeni në pikëllim dhe dhimbje të madhe, kur ju duket se jeni të pashpresë, përpiquni të imagjinoni se çfarë këshille do t’ju jepte ai person në atë moment, çfarë do t’ju thoshte. Kjo është një teknikë tepër e fuqishme që mund t’ju ndihmojë.
Jini të vetëdijshëm se do të filloni ta ndjeni jetën tuaj sikur të jetë e pavërtetë dhe sikur nuk arrini t’i shpëtoni dhimbjes. Jini të durueshëm, të butë dhe të dhembshur ndaj vetes, trishtimi nuk do të zhduket për një ose dy muaj, mos vendosni afate dhe kufij, lejoni që procesi i pikëllimit të ndodhë dhe ndiqni rrugën tuaj.
Mbani një jetë sa më të thjeshtë, duhet kohë që një person të rimarrë ekuilibrin dhe të rikuperoj forcën.
Është e rëndësishme të mos jeni vetëm në ato momente, mbështetja e të dashurve është e rëndësishme.
Komunikoni me njerëzit që kanë pësuar një humbje të ngjashme, ata mund të jenë një mbështetje e mirë për ju.
Përpiquni të gjeni kuptim në vuajtjet tuaja, transformoni pikëllimin tuaj dhe bëni diçka që ka kuptim për të dashurin tuaj. Mund të bëni gjëra shumë të vogla në nder të personit tuaj të dashur.
Kujdesuni për veten, pasi kujdesi për veten duhet të jetë fokusi juaj më i madh kur brengoseni për personin tuaj të dashur.
Shprehja me shkrim e asaj që ndjeni mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme në procesin e pikëllimit. Mund të shkruani, ditar, dëgjoni muzikë ose vizatoni.
Këshillohet të mos merrni vendime të rëndësishme gjatë kësaj periudhe, mundohuni ta shtyni atë sepse nuk është koha për të marrë vendime, realisht nuk jeni në gjendje ta shihni situatën në mënyrë të qartë dhe të duhur.
Në një farë mase mund të merrni në dorë kontrollin e pikëllimit duke organizuar ndonjë drekë familjare në nder të personit të dashur, të shikoni fotografitë e tij, të flisni për të, të ripërjetoni momente të caktuara me anë të kujtimeve.
Kur është e vështirë të gjeni shpresë, edukimi në lidhje me pikëllimin mund të ndihmojë të besoni se pikërisht pikëllimi rezulton me shërim të dhimbjes.
Kur duhet të kërkoni ndihmën e psikologut, psikoterapistit? Pse është e rëndësishme dhe çfarë do të përfitoni prej tyre?
Eshtë veçanërisht e rëndësishme të kërkoni ndihmë profesionale nga psikolog, psikoterapist nëse:
Me kalimin e kohës dhimbja dhe pikëllimi për personin e humbur nuk është zvogëluar
Ju vijnë medime të ndryshme në kokë, mendoni në mënyrë vetëshkatërruese, e lëndoni veten ose i shkaktoni dëme vetes.
Ndjeni se nuk mund ta përballoni humbjen vetëm, ka kaluar shumë kohë dhe ju ende ndiheni të izoluar dhe të vetmuar.
Ndoshta takimi juaj i fundit ka përfunduar me një fjalë të keqe ose një keqkuptim, kështu që ju vazhdimisht pyesni veten se si keni vepruar, mund të ndiheni fajtorë për gjërat që keni bërë ose nuk i keni bërë derisa personi ishte gjallë, mbase keni dashur që diçka tjetër t’i thoni dhe ju mundon ajo që nuk keni arritur ti thoni apo të bëni për të.
E gjithë kjo mund të ndalojë procesin e pikëllimit. Ne duhet të dalim nga ai ngërç në mënyrë që energjia të rrjedhë dhe shërimi të fillojë.
Të gjithë në jetë më herët apo më vonë do ta kalojmë atë proces shumë herë. Qëllimi është të dalim me pasojat më të vogla për shëndetin tonë mendor dhe fizik. Ekzistojnë teknika të ndryshme psikoterapeutike që përdoren gjatë seancave për të lehtësuar fillimisht personin nga pesha që ai mbart, dhe pastaj për të qenë në gjendje të vazhdojë funksionalisht me jetën e tij dhe të bëhet më i fortë dhe më i ditur përmes përvojës së tij.
Marija Axhioska, psikologe në Spitalin klinik Zhan Mitrev
Shënimi i Ditës Botërore të Fizioterapistëve filloi në vitin1996 kur u promovua për herë të parë si e tillë nga Organizata Botërore e Fizioterapisë. Në këtë ditë, angazhimi kryesor është për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin që japin fizioterapistët në shoqëri, duke u mundësuar njerëzve të jenë të lëvizshëm, të ndihen mirë dhe të pavarur.
Këtë vit tema që është në fokus është rehabilitimi, KOVIDI “i gjatë” dhe natyrisht roli i fizioterapistëve në trajtimin e personave të prekur nga Kovidi “i gjatë”.
Faktet tregojnë se: 1 nga 10 pacientë që i janë nënshtruar infeksionit të Kovidit do të shfaqin simptoma të të ashtuquajturit KOVID “i gjatë” për një periudhë prej 12 javësh ose më tepër.
Simptomat nuk janë të njejta për të gjithë, dhe për këtë arsye rehabilitimi duhet të jetë i personalizuar duke iu përshtatur nevojave të çdo pacienti.
Fizioterapistët luajnë një rol kyç në ofrimin e rehabilitimit të sigurt dhe efektiv, i cili është thelbësor për shërimin nga kjo sëmundje.