Çfarë mund të bëni për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare?

Konsumoni vakte të shëndetshme dhe të balancuara

Një dietë e shëndetshme duhet të përfshijë një shumëllojshmëri të gjerë ushqimesh të papërpunuara dhe të freskëta, shumë fruta dhe perime (të paktën pesë racione çdo ditë), drithëra, fruta arrore dhe ushqime me përmbajtje të ulët të yndyrave të ngopura, sheqer dhe kripë. Tregoni kujdes nga ushqimet e përpunuara, të cilat shpesh përmbajnë nivel të lartë të kripës, dhe mos harroni të pini shumë ujë!

Kryeni ushtrime rregullisht

Nevojiten vetëm 30 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar, pesë ditë në javë, për të përmirësuar dhe ruajtur shëndetin tuaj. Të rriturit (18-65 vjeç) dhe të moshuarit (65+) duhet të synojnë të kenë të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet mesatar, ose të paktën 75 minuta aktivitet fizik me intensitet të lartë, gjatë një jave. Fëmijët dhe adoleshentët duhet të bëjnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar deri në energjik çdo ditë.

Mbani një peshë të shëndetshme trupore

Ulja e rrezikut të mbipeshës dhe obezitetit zakonisht përfshin zvogëlimin e numrit të kalorive të konsumuara nga yndyra dhe sheqeri, duke rritur përqindjen e marrjes ditore të frutave, perimeve, drithërave dhe frutave arrore dhe duke rritur aktivitetin tuaj sportiv. Të paktën 60 minuta ushtrime disa ditë në javë do t’ju ndihmojnë të mbani një peshë të shëndetshme trupore.

Shmangni pirjen e duhanit

Nëse e ndaloni duhanin, rreziku i sëmundjes koronare të zemrës do të përgjysmohet brenda një viti dhe do të kthehet në nivele normale me kalimin e kohës. Shmangni mjediset e mbushura me tym: Ekspozimi ndaj konsumit pasiv të duhanit rrit ndjeshëm rrezikun e sulmit në zemër. Të gjitha format e duhanit janë të dëmshme dhe nuk ka nivel të sigurt të ekspozimit ndaj duhanit. Nëse keni vështirësi të hiqni dorë nga duhani, bisedoni me mjekun tuaj për krijimin e një plani për lënien e duhanit që i përshtatet nevojave tuaja.

Shmangni alkoolin

Nuk ekziston një nivel i sigurt i konsumit të alkoolit dhe efektet e dëmshme të alkoolit tejkalojnë çdo përfitim të mundshëm mbrojtës. Pirja e pakët mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovsakulare. Provat tregojnë se ideale për shëndetin është të mos konsumoni aspak alkool. Edhe ata që pinë në një formë të moderuar vërejnë përfitime shëndetësore kur ndalojnë së piri alkool.

Menaxhoni stresin

Stresi mund të shkaktojë ngushtimin e arterieve, gjë që mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, veçanërisht te gratë.

Merrni medikamentet tuaja sipas përshkrimit të mjekut

Nëse keni një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje të zemrës ose goditje në tru, mund t’ju duhet të merrni ilaçe për të ulur rrezikun. Këto mund të përfshijnë statina për të ulur nivelet e kolesterolit në gjak, aspirinë me dozë të ulët për të parandaluar mpiksjen e gjakut, insulinë për diabetin dhe pilula për të ulur presionin e gjakut. Merrni barnat e përshkruara nga mjeku juaj dhe sigurohuni që t’i përmbaheni orareve dhe dozave.

Njihni shenjat paralajmëruese

Sa më shpejt të kërkohet ndihma, aq më të mëdha janë gjasat për një shërim të plotë.

Për çdo konsultë në lidhje me shëndetin tuaj të zemrës, rezervoni terminin në 00389 2 3091 484

Meshkujt konsiderohen si “gjinia më e fortë”, dhe komenti i tyre më i zakonshëm për shëndetin është: “Nuk kam asgjë, jam shumë mirë”

Nëntori është muaji në të cilin vendoset një theks i veçantë kujdesin për shëndetin e meshkujve dhe kujtojmë faktin se ekzaminimet parandaluese shpëtojnë jetë

Edhe nëse ndiheni mirë dhe nuk keni probleme, përsëri është e nevojshme të vizitoni mjekun të paktën një herë në vit dhe të bëni kontrolle të rregullta që do t’ju ndihmojnë të shmangni problemet në të ardhmen. Për shembull, mënyra e vetme për të ditur nëse keni presion të lartë të gjakut është ta kontrolloni atë rregullisht. Sheqeri i lartë në gjak dhe kolesteroli i lartë gjithashtu mund të mos kenë simptoma në fazat e hershme. Kjo është arsyeja përse është e nevojshme të bëhet analiza e gjakut për të zbuluar këto gjendje.
Në vijim do të gjeni një listë të ekzaminimeve të rregullta që rekomandohen për meshkujt e moshës 18-40 vjeç.

Matja e presionit të gjakut

Kontrolloni presionin e gjakut të paktën një herë në vit. Nëse vlera e presionit të sipërm sistolik është 120 deri në 140 ose vlera e ulët e presionit diastolik është 80 deri në 90 mm Hg, duhet ta kontrolloni/matni më shpesh.
Nëse numri i sipërm është 130 ose më i lartë, apo numri i poshtëm është 80 ose më i lartë, duhet patjetër të planifikoni një konsultë me mjekun tuaj për të zbuluar se si mund të ulni presionin e gjakut.
Nëse keni diabet, sëmundje të zemrës, probleme me veshkat ose kushte të tjera, mund t’ju duhet të kontrolloni presionin e gjakut më shpesh, por gjithsesi të paktën një herë në vit.

Ekzaminimi i kolesterolit dhe parandalimi i sëmundjeve të zemrës

Mosha e rekomanduar në të cilën duhet të filloni të bëni analizat për të kontrolluar praninë e kolesterolit në gjak është 35 vjeç. Kjo vlen për meshkujt pa faktorë rreziku të njohur për sëmundje koronare të zemrës dhe 20 vjeç për meshkujt me faktorë rreziku të njohur për sëmundje koronare të zemrës.
Përsëritni testet më shpesh nga ç’është e nevojshme nëse ndodhin ndryshime në stilin e jetës (përfshirë shtimin në peshë dhe dietën).
Nëse keni diabet, sëmundje të zemrës, probleme me veshkat ose kushte të tjera, duhet të kontrolloheni më shpesh.

Ekzaminimi i diabetit

Nëse presioni juaj i gjakut është 130/80 mm Hg ose më i lartë, mjeku juaj mund të rekomandojë gjithashtu një test të matjes së sheqerit në gjak për diabetin.
Nëse jeni mbipeshë, duhet të kontrolloheni rregullisht duke filluar nga mosha 35 vjeçare.
Nëse keni faktorë të tjerë rreziku për diabetin, si për shembull një i afërm i familjes që ka diabet ose një histori të sëmundjeve të zemrës, mjeku juaj ka të ngjarë t’ju rekomandojë të bëni teste për të zbuluar praninë e diabetit.

Ekzaminimi për sëmundje infektive

Të gjithë të rriturit nga mosha 18 deri në 80 vjeç duhet të testohen për hepatit C një herë në jetën e tyre.
Mjeku juaj do t’ju tregojë se si të parandaloni përhapjen e infeksioneve përmes kontaktit seksual. Këto quhen infeksione seksualisht të transmetueshme.
Në varësi të stilit të jetesës dhe historisë tuaj mjekësore, mund t’ju duhet të testoheni për infeksione të tilla si sifilizi, klamidia, HIV dhe infeksione të tjera.

Ekzaminim fizik

Gjatësia, pesha dhe indeksi i masës trupore (BMI) duhet të vlerësohen në çdo shqyrtim/ekzaminim fizik.
Gjatë vetë ekzaminimit fizik, mjeku juaj mund t’ju pyesë për: depresionin, dietën dhe stërvitjen, konsumimin e alkoolit dhe duhanit, etj.

Ekzaminimi i testikujve

Ndryshimet në testikuj mund të vërehen me vetë-ekzaminim gjatë të cilit mund të përcaktohet ndryshimi. Jo çdo ndryshim në testikuj është kancer, sepse në realitet është shumë i rrallë. Zakonisht, këto ndryshime mund të jenë kiste ose probleme të tjera që duhet të diagnostikohen nga mjeku. Prandaj, përveç vetëkontrollit, është e detyrueshme vizita te mjeku një herë në vit.
Nëse jeni të shqetësuar për rrezikun e zhvillimit të kancerit të testisit, duhet ta diskutoni këtë çështje edhe me mjekun tuaj. Së bashku mund të vendosni nëse vetë-ekzaminimi i rregullt i testikujve është i duhuri për ju ose nëse nevojitet diçka më shumë.

Vetë-ekzaminimi i lëkurës

Lëkura, si organi më i madh i trupit të njeriut, lejon që të gjitha ndryshimet të zbulohen lehtësisht. Mjeku juaj mund të kontrollojë lëkurën tuaj për shenja të kancerit, veçanërisht nëse jeni në rrezik të lartë.
Personat me rrezik të lartë janë ata që kanë pasur kancer të lëkurës më parë, kanë anëtarë të afërm të familjes me kancer të lëkurës ose kanë një sistem të dobët imunitar.

Teste të tjera

Bisedoni me mjekun tuaj për ekzaminimin e kancerit të zorrës së trashë nëse keni një histori familjare të kancerit të zorrës së trashë ose polipeve, ose nëse keni pasur sëmundje inflamatore të zorrëve ose polipe.

Për të reduktuar rrezikun e të gjitha sëmundjeve të lartpërmendura dhe për të nxitur zbulimin e hershëm dhe veprimin parandalues të tyre, si dhe për të reduktuar numrin e vdekjeve, rekomandojmë marrjen e masave të tilla si: të bëni një jetë të shëndetshme dhe sigurisht të vizitoni mjekun urolog një herë në vit. Gjithashtu, shumë e rvndvsishme është të konsumoni ushqim të shëndetshëm, të kryeni ushtrime/aktivitet fizik, të shmangni alkoolin, cigaret dhe situatat stresuese. Sigurisht, ekzaminimet preventive janë vendimtare për të zbuluar ndonjë sëmundje në fazë të hershme përpara se të shfaqen simptomat e para.
Ne kemi përgatitur një ofertë speciale. Kontrollohuni në kohë!
Ekipi ynë i mjekëve me përvojë nga fusha të ndryshme është në dispozicionin tuaj. Rezervoni terminin tuaj në 02/3091-484

  • Ekzaminimi nefrologjik 2 000 denarë.
  • Ekzaminimi kirurgjik abdominal (lidhur me probleme rektale dhe hemorroide) 2000 denarë.
  • Kolonoskopi me anestezi 18 000 denarë.
  • Gastroskopi me anestezi 18 000 denarë.
  • Nëse të dyja bëhen në një veprim 28 000 denarë.
  • Magnet i prostatës 12 000 denarë.
  • Ekzaminimi diabetik në paketë me përcaktimin e glukozës dhe glikohemoglobinës së sheqerit të fshehur 2 500 denarë.
  • Ekzaminimi ORL 2 000 denarë.
  • Tumormarker PSA 600 denarë.
  • Sëmundjet seksualisht të transmetueshme 3 në të njëjtën kohë (Chlamydia trachomatis, Trichomonas vaginalis dhe Neisseria gonorrhoeae) nga urina e parë e mëngjesit (me metodën PCR) 1 800 denarë.
  • Paneli i përgjithshëm për kancerin trashëgues – 94 gjene dhe 284 polimorfizma nga sekuenca NGS – 60 000 denarë.
  • Zbulimi i kancerit në hematuri – 19 000 denarë (përdoret për fshikëzën urinare).

Intervistë: Dr. Vilma Ampova Sokolov – gruaja e vetme intervente kardiologe në vend

Dr. Vilma Ampova Sokolov, kardiologjia intervenuese është një sfidë e madhe, një nga nënspecialitetet më intriguese dhe emocionuese të kardiologjisë. Fillimisht, si vendosët të subspecializonit në kardiologji?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Në Klinikën Zhan Mitrev punoj që nga viti 2002 (kam filluar punën më 1 prill), në atë kohë Filip Vtori/ Filipi i Dytë, në një repart me 6 shtretër intensive, 6 gjysëm intensivë, një sallë dhe 6-9 operacione në ditë, për një mjek të ri që sapo ka dalë nga bankat e shkollës është tronditëse por edhe një sfidë e madhe. Fillova të punoja në kujdesin intensiv dhe vazhdova me edukimin si mjeke e re në të gjitha departamentet. Kur doktor Mitrev më pyeti se për çfarë do të specializohesha, i thashë anestezi ose kardiokirurgji, ndërkohë që shpesh hyja në angiosallën ku kishim më pak pacientë, por interesimi im ishte shumë i madh.

Ka shumë të ngjarë që doktor Mitrev ta ketë vërejtur momentin e interesimit tim për kardiologjinë intervenuese dhe më pas më këshilloi “merr si specializim mjekësinë interne, pastaj mund të subspecializohesh në atë që të intereson më shumë”. Ashtu bëra dhe nuk gabova. U regjistrova për specializim në mjekësinë interne, më pas u subspecializova në fushën e kardiologjisë.
Në atë kohë 22 vjet më parë por edhe sot, bota po punon intensivisht, madje mund të them me agresivitet për trajtimin e sëmundjeve të rënda të zemrës dhe enëve të gjakut me procedura minimale invazive (pa kirurgji). Kardiokirurgjia dhe kardiologjia intervenuese plotësojnë njëra-tjetrën në trajtimin e sëmundjeve të rënda të zemrës dhe enëve të gjakut.

Kështu fillova karrierën time si kardiologe intervenuese. Kushtet në të cilat kam filluar të punoj dhe në të cilat punoj më kanë mundësuar vërtetë të eci përpara, e veçanërisht përkrahja e madhe që doktor Mitrev i jep secilit punonjës për arsimim të mëtejshëm dhe arritje të nivelit maksimal në realizimin profesional.

Si është të jesh grua në kardiologjinë intervenuese, një fushë në të cilën dominojnë meshkujt? Pse ka kaq pak kardiologe intervenuese femra dhe a jeni përballur ndoshta me ndonjë paragjykim në punën tuaj, si nga kolegët, ashtu edhe nga pacientët?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Nuk shoh absolutisht asnjë ndryshim midis burrave dhe grave, sikurse në shumë profesione të tjera. Nuk jam përballur me asnjë paragjykim, as në klinikën tonë, as jashtë saj dhe nuk e mendoj fare, është thjesht profesioni im me të cilin më njohin kolegët dhe pacientët e mi. Kam bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë kolegët që punojnë në kardiologjinë intervenuese në vendin tonë, si dhe shumë kolegë jashtë vendit.

Ndoshta ka më pak femra kardiologe intervenuese për shkak të kushteve në të cilat ne punojmë (ekspozimi ndaj rrezeve X gjatë procedurave), si dhe për shkak të mëmësisë (shtatzënisë), që personalisht nuk e shoh si pengesë në punë, pasi edhe për raste të tilla ekzistojnë rregulla dhe protokolle. Prej 22 vitesh jam marrë shumë seriozisht në fushën e kardiologjisë, është një periudhë e gjatë angazhimi serioz në çdo gjë që bëj. Gjatë gjithë kësaj kohe kam ndihmuar shumë pacientë dhe të afërm e miq të tyre, ndaj nuk mund të bëhet fjalë për paragjykim, të paktën nuk e kam ndjerë kurrë.
Në karrierën time kam bërë shumë ndërhyrje, punoj gjithçka që është kardiologji joinvazive dhe invazive si dhe kardio imazhe dhe jam krenare për gjithçka kam arritur deri tani.

Një nga arsyet pse femrat kardiologe nuk duan të merren me fushën e ndërhyrjes/intervenimit është frika nga ekspozimi ndaj rrezatimit dhe frika për shtatzënitë e ardhshme. A është e justifikuar kjo frikë?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Siç e përmenda, mund të ketë më pak kardiologe intervenuese femra për shkak të kushteve në të cilat punojmë (ekspozimi ndaj rrezeve X gjatë procedurave), si dhe mëmësia (shtatzania). Në Spitalin klinik Zhan Mitrev, kjo frikë është e pajustifikuar.
Disponojmë pajisjet më moderne për diagnostikim, trajtim dhe mbrojtje, si për stafin ashtu edhe për pacientët. I gjithë departamenti i angiografisë është i ndërtuar për të respektuar të gjitha standardet e mundshme për punën dhe mbrojtjen e punonjësve dhe pacientëve. Prandaj punoj pa frikën më të vogël dhe pa asnjë dyshim, si unë, ashtu edhe kolegët e mi.
Unë jam kardiologia e parë intervenuese femër në vend dhe jam krenare për këtë. Më vjen mirë kur dëgjoj se numri i kardiologëve intervenues femra është në rritje.

I inkurajoj dhe i mbështes të gjitha gratë në fushën e mjekësisë që të mos kenë frikë dhe nëse kanë dëshirë të punojnë në profesionin tim ta pranojnë sfidën. Thjesht duhet ta duash atë që bën.
Sot jam realizuar si grua, në aspektin profesional, si nënë dhe si bashkëshorte.

A është e nevojshme një përgatitje e mirë fizike dhe mbajtja e formës, duke pasur parasysh që në punë mbani çdo ditë përparëse plumbi, të cilat janë të rënda dhe mund të shfaqin probleme me shtyllën kurrizore?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: E gjithë kjo është shndërruar në një zakon me vite punë dhe një lloj stërvitjeje/trajnimi i trupit dhe psikës. Ndonjëherë kryhen ndërhyrje që në kuptimin e plotë të fjalës shpëtojnë jetë, dhe si procedura zgjasin shumë, sigurisht që jam e përgatitur fizikisht dhe mendërisht për këtë. Me kalimin e viteve kam mësuar të mbaj qëndrimin dhe pozicionin e duhur të trupit pavarësisht veshjes mbrojtëse prej plumbi, që është vërtet e rëndë, dhe këtu mund të them se që prej 20 vitesh pesha e përparëses prej plumbi ka ardhur duke u zvogëluar (dhe ka pasur një evolucion në atë aspekt) për punë më komode në sallën e angiografisë dhe sigurisht mbrojtje më të mirë.

Puna është kërkuese dhe e lodhshme, me telefonata dhe disponueshmëri 24/7, si arrini ta balanconi atë me angazhimet tuaja personale? A vuan shpesh familja për shkak të profesionit?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Në jetë ju ofrohen shumë shanse për sukses, gjëja më e rëndësishme është t’i njihni/dalloni ato. Kur vendosa të ushtroja profesionin e mjekësisë, dhe më vonë kur fillova të punoja në klinikën Zhan Mitrev, e dija se do të duhej investim dhe përkushtim maksimal, kështu që unë e kam zgjidhur këtë dilemë. Natyrisht që familja deri diku vuan, por unë deri tani kam balancuar mirë dhe i’a dalë. Edhe pse im bir është 14 vjeç, ai është i informuar në mënyrë perfekte për seriozitetin e profesionit tim, si dhe bashkëshorti im, i cili më mbështet 100% në punën që bëj.

Cilat janë procedurat invazive më të zakonshme që kryeni?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Çdo gjë që kryhet në sallën e angiografisë quhet procedurë invazive, qofshin ato diagnostike (koronarografia, karotidografia – imazheria e artereve të qafës dhe të trurit, angiografia periferike – imazheria e arterieve të ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme, aortografia – imazheria e të gjithë aortë, flebografia – imazhi i venave, kateterizimi i zemrës djathtas dhe majtas dhe shumë të tjera) ose procedura invazive të trajtimit (stentimi i arteries së zemrës, stentimi i arterieve të tjera të trupit si arteriet e ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme, arteriet e qafës dhe trurit. , stentimi i aortës dhe së fundmi trajtimi i sëmundjes së aortës (stenozës) me procedurë invazive ose siç e quajmë zëvendësim të valvulës aortale transkateterike (procedura TAVI – trajtimi i valvulës së zemrës pa kirurgji).

Çfarë është procedura TAVI, tek cilët pacientë kryhet dhe cilat janë avantazhet e saj?

Dr. Vilma Ampova Sokolov: Procedura TAVI (Trans catheter Aortic Valve Implantation) është një operacion kompleks i zëvendësimit (implantimit) të valvulës aortale pa kirurgji të hapur në zemër. Ndërhyrje të tilla kryhen te pacientët me shkallë të rëndë të stenozës së aortës, e cila është sëmundje e fituar e zemrës. Zakonisht, pacientët sëmuren në fëmijëri, dhe shkak për këtë janë ethet reumatizmale. Sëmundja zhvillohet më pas gjatë disa viteve dhe përparimi është individual dhe mund të zgjasë deri në 15-20 vjet. Zakonisht, identifikohet si një zhurmë e zemrës që vazhdon të jetë e pranishme gjatë gjithë rrjedhës së sëmundjes.

Me aplikimin e ekokardiografisë përcaktohet shkalla e sëmundjes dhe jepen rekomandime për monitorim apo trajtim të mëtejshëm. Ecuria e sëmundjes së aortës (stenozës) manifestohet te pacientët me simptoma si: lodhje, gulçim, dhimbje gjoksi, marramendje që bëhet më e theksuar gjatë sforcimit dhe ndonjëherë edhe me humbje të vetëdijes.

Gjatë një gjendje të tillë, që është një shkallë e rëndë e sëmundjes dhe janë të pranishme simptomat e lartpërmendura, rekomandohet trajtimi i valvulës së aortës. Megjithatë, për shumicën e pacientëve, zgjedhja e parë për trajtim është procedura kardiokirurgjike. Procedura TAVI rekomandohet te pacientët me rrezik të lartë, të cilët nuk mund ta përballojnë operacionin kirurgjikal, pacientët që janë shumë të moshuar me shumë sëmundje shoqëruese ose operacione të mëparshme në zemër të hapur.

Procedurat TAVI janë gjithmonë të planifikuara mirë paraprakisht. Fillimisht bëhet ekokardiografia, kompjuter në aortë sipas një protokolli kardio për matjen e saktë të dimensioneve të valvulës që do të implantohet, si dhe strategjia për vetë ndërhyrjen. Valvula është individuale, porositet posaçërisht për çdo pacient.

Në spitalin tonë janë kryer gjithsej 49 procedura TAVI.

Vazhdon bashkëpunimi me shkollën e mesme profesionale të mjekësisë në Stumicë

Klinikën tonë e vizituan 32 gjimnazistë të profesionit të infermierisë nga shkolla e mesme Dimitar Vlahov, në Strumicë. Nën drejtimin e mësuesve Alberta Shiriq dhe Elena Shtërkeva, nxënësit e vitit të 3-të bënë një vizitë të plotë nëpër hapësirat dhe departamentet e spitalit tonë për të mësuar rreth proceseve të punës në një objekt spitalor.
Atyre iu demostruan dhe ofruan gjithashtu materiale vizuale spitalore që do të mund t’i përdorin për punë praktike.

Kur, si dhe përse duhet të zgjidhni histeroskopinë?

Histeroskopia – ndërhyrje gjinekologjike – është një procedurë mikroinvazive për zgjidhjen e një numri të madh sëmundjesh gjinekologjike. Duke vizualizuar drejtpërdrejt zonën e mitrës me ndihmën e një kamere, mund të zgjidhim shumë probleme që prekin gratë, të cilat më parë për zgjidhjen e tyre kërkohej kryerja e operacionit klasik.

Gjakderdhja jonormale nga mitra është një simptomë që ekziston tek 40% e grave që paraqiten në ordinancat gjinekologjike. Disa prej tyre trajtohen me terapi hormonale, por tek një pjesë e madhe e tyre është e nevojshme procedura histeroskopike diagnostike dhe terapeutike. Ajo kryhet në mënyrë mikroinvazive me një operacion njëditor dhe një periudhë minimale rikuperimi.
Sot, shumë gra, angazhimet profesionale të të cilave kërkojnë një kthim të shpejtë në punë, janë në kërkim të modaliteteve alternative për të zëvendësuar kirurgjinë klasike dhe kjo e bën histeroskopinë një zgjedhje gjithnjë e më të zakonshme për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Histeroskopia operative është standardi i artë për: heqjen e polipeve në zonën e mitrës, fibroidet që janë të dukshme brenda mitrës, djegien e mukozës së mitrës, të cilën e përdorim tek gratë që kanë mbaruar riprodhimin dhe që kanë perioda të rënda që çojnë në anemi dhe dobësi e përgjithshme, si një alternativë e heqjes së mitrës.

Përveç kësaj, histeroskopia sot aplikohet vrullshëm edhe në trajtimin e pacientëve me infertilitet. Me aplikimin e histeroskopisë zgjidhen problemet që kanë të bëjnë me anomalitë e mitrës, septumin e mitrës duke përfshirë këtu edhe rezeksionin e tij.
Sot, kirurgjia histeroskopike zë një vend të rëndësishëm në praktikën e përditshme gjinekologjike, duke sjellë me vete një përparim të madh në trajtimin e problemeve gjiekologjike tek gratë.

Në klinikën tonë disponojmë teknikat më moderne gjinekologjike të cilat kryen nga mjekët tanë gjinekologë me përvojë shumëvjeçare në punën e tyre. Për rezervimin e terminit telefononi qendrën tonë të kontakteve në 02/3091-484

Diagnostikimi i sindromës “Floppy infant”

Sindroma floppy infant, e njohur edhe si sindroma e kukullës prej lecke, karakterizohet me hipotoni, simptomat e së cilës në fakt manifestojnë sëmundje ose gjendje me origjinë qendrore ose periferike. Në varësi të shkakut të hipotonisë tek foshnjat, shfaqen simptoma dhe shenja të ndryshme. Kështu, çdo dëmtim i rrugës së neuronit motorik do të çojë në ndërprerje të transmetimit të impulsit nervor që rezulton me dobësi të gjymtyrëve dhe humbje të reflekseve të tendinit. Pikërisht nga këtu vjen emri Floppy Infant.

Shqyrtimet klinike janë vendimtare për diagnozën e kësaj sindrome. Është e domosdoshme që këto shqyrtime të bëhen në periudhën menjëherë pas lindjes, sepse në këtë mënyrë do të zbulohen shkaqet e hipotonisë. Pavarësisht nga origjina e shkaqeve, gjendja klinike e foshnjës me këtë sindromë do të manifestohet nga karakteristikat e mëposhtme:

  • “qëndrimi në pozicionin e bretkosës”, d.m.th. pozicionimi i këmbëve si bretkosë,
  • lakueshmëria e qafës gjatë kthimit të kokës, kryesisht mbetja e kokës pas kur e merrni foshnjën në krah (duke e tërhequr drejt vetes);
  • Keni ndjesinë se fëmija ju rrëshqet nga krahët, për shkak se ka qëndrueshmeri të dobët (lëkundje) të trupit.

Kur mund të dyshojnë prindërit se foshnja e tyre mund të ketë këtë sindromë? Dhe kur duhet të kërkojë konsultë neuro-pediatrike?

Prindërit mund të vërejnë anomali madje edhe gjatë shtatzënisë. Një simptomë shumë e zakonshme mund të jetë reduktimi ose mungesa e plotë e lëvizjeve të fetusit. Kjo është shenja parashikuese më e zakonshme tek foshnja e porsalindur me hipotoni ekstreme. Një shenjë e kësaj gjendje është gjithashtu polihidramnios – ose sasia е rritur e lëngut amniotik.

Gjithashtu, nëse ndodh që prindërit të vënë re gjatë ushqyerjes me gji – thithje dhe gëlltitje të vështirë tek i porsalinduri, këto janë gjithmonë shenja shoqëruese të miopative kongjenitale ose atrofisë muskulare kurrizore, por është edhe shenjë e natyrshme e distrofive muskulare kongjenitale. Ndaj edhe në këtë rast duhet të kërkojnë mendim neuro-pediatrik.

Shkaktarët e mundshëm të sindromës “floppy infant” mund të jenë: botulizmi infantil, miastenia gravis neonatale kalimtare, hipermagnesemia ose efekti toksik i aminoglikozideve. Hipotonia është simptoma më e zakonshme shoqëruese e dëmtimit dhe keqformimeve të trurit. Gjatë shqyrtimeve klinike, duhet pasur parasysh edhe mundësia e ekzistencës së sëmundjeve shoqëruese, domethënë një kombinim të më shumë se një shkaku të hipotonisë. Dhe në të gjitha këto raste prindërit duhet të kërkojnë mendim/konsultim.

Trajtimi dhe shërimi i këtyre gjendjeve është individual dhe me variacione të mëdha, sigurisht që varet nga shkaqet e dobësimit të fëmijës. Është e rëndësishme të theksohet se është e domosdoshme të diagnostikohet shkaku themelor, për tu fokusuar më pas ndaj kujdesit dhe terapisë së synuar, pra, për të ofruar trajtim që do të ndihmojë në ruajtjen dhe rritjen e tonit ekzistues të muskujve. Ushqimi adekuat, regjimi i duhur nutritiv janë një segment shumë i rëndësishëm në trajtimin e këtyre gjendjeve.

Dr. Katerina Vasileva-Dimovska – mjeke pediatre me përvojë është në dispozicionin tuaj për konsulta, këshilla dhe diagnozë të saktë. Rezervoni terminin në 02/3091-484.

20 tetori – Dita Botërore e Osteoporozës

Osteoporoza është një sëmundje progresive e kockave e karakterizuar nga një ulje e masës dhe densitetit të kockave që çon në një rrezik të shtuar të frakturës. Në rastin e shfaqjes së osteoporozës, densiteti mineral kockor (BMD) zvogëlohet, mikroarkitektura e kockave përkeqësohet dhe sasia dhe shumëllojshmëria e proteinave në kockë ndryshon.

Me qëllim të ndërgjegjësimit për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, që nga viti 1996, 20 tetori është promovuar si Dita Botërore e Osteoporozës, në këtë ditë nisën aktivitetet kushtuar ndërgjegjësimit global për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e osteoporozës dhe sëmundjeve metabolike të kockave.

Organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtar i Osteoporozës, Dita Botërore e Osteoporozës bashkon fushata me aktivitetet të 90 shoqatave kombëtare të pacientëve me osteoporozë nga e gjithë bota. Fillimisht është promovuar nga Shoqata Kombëtare e Osteoporozës në Mbretërinë e Bashkuar dhe është mbështetur nga Komisioni Evropian. Në klinikën tonë kemi në dispozicion apratin më modern për matjen e densitetit të kockave (DexaScan) me anë të të cilit bëhet përcaktimi i gjendjes së kockave tuaja.

Për rezervimin ekontrollit tuaj me çmim special prej 1500 den telefononi në 02/3091-484.

Të jemi gjithmonë të përgatitur por gjithashtu të shpresojmë që të mos ndodhin kurrë katastrofa natyrore

Jemi krenarë që ekipi ynë mjekësor ishte pjesë e stërvitjes së ndihmës së parë në një situatë emergjente – tërmet, stërvitje e cila u zhvilluar më 18 tetor në disa zona të qytetit të Shkupit. Organizuar nga Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, titulluar “Reagimi humanitar 2023”, gjatë kësaj stervitje është ofruar ndihmë mjekësore për disa orë, koordinuar sipas skenarit të paracaktuar.
Gatishmëria dhe motivimi i të gjithë pjesëmarrësve ishte në nivelin më të lartë për t’iu ofruar ndihmën adekuate dhe mbështetjen e nevojshme qytetarëve tanë në vështirësi.