Caktoni kontroll

Schedule a review

00389 2 3091 484

Doza e shëndetit ditor

Kthehu te Doza e shëndetit ditor

25.07.2022

Gjithçka që duhet të dini për vezoret policistike

Sindroma e vezores policistike (PCOS polycystic ovarian syndrome) është një sëmundje hormonale gjinekologjike që shfaqet te gratë në moshën riprodhuese. Gratë me këtë sindromë shpesh kanë cikle menstruale të rralla ose të zgjatura, kanë nivele të larta të hormoneve mashkullore (androgjene) dhe shpesh kanë vezore me një numër të madh kistesh të vogla deri në 10 mm (folikula) që nuk arrijnë të lëshojnë qeliza vezore në mes të ciklit menstrual.

Shkaku i saktë i PCOS është i panjohur. Diagnoza dhe trajtimi i hershëm së bashku me rregullimin (kontrollin) e peshës trupore mund të zvogëlojnë rrezikun e komplikimeve afatgjata si diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës.

Simptomat e PCOS shpesh shfaqen në adoleshencë, por ndonjëherë PCOS zhvillohet më vonë, për shembull, si rezultat i shtimit të konsiderueshëm i peshës trupore.

Simptomat e PCOS mund të ndryshojnë, por më të zakonshmet janë:

  • Menstruacionet e parregullta – Ciklet menstruale të rralla, të parregullta ose të zgjatura janë ndër shenjat më të zakonshme të PCOS.
  • Niveli i lartë i androgjenit – Qime në fytyrë dhe trup (hirsutizëm) dhe nganjëherë akne dhe humbje (rënie) e flokëve e tipit mashkullor.
  • Vezoret policistike – Vezoret mund të jenë të zmadhuara, me një numër të madh të folikulave të paruptura, pra vezoret nuk funksionojnë normalisht. Shenjat dhe simptomat e PCOS janë zakonisht më të rënda nëse jeni mbipeshë.

Shkaqet

Shkaku i saktë i PCOS është i panjohur. Faktorët që janë identifikuar si të aftë për të ndikuar janë:

  • Nivel i lartë i insulinës. Insulina është një hormon që prodhohet në pankreas që lejon qelizat të përdorin sheqer. Nëse qelizat tuaja bëhen rezistente ndaj veprimit të insulinës, atëherë nivelet e sheqerit në gjak rriten dhe trupi juaj prodhon më shumë insulinë. Insulina e tepërt mund të rrisë prodhimin e androgjenit, duke shkaktuar vështirësi me ovulimin.
  • Niveli kronik i ulët i inflamacionit. Ky term përdoret për të përshkruar prodhimin e shënuesve inflamatorë që stimulojnë vezoret policistike për të prodhuar androgjene, të cilat mund të çojnë në probleme të zemrës dhe enëve të gjakut.
  • Trashëgimia. Hulumtimet sugjerojnë se disa gjene mund të lidhen me PCOS.
  • Niveli i lartë i androgjenit. Vezoret prodhojnë nivele të larta të androgjeneve, duke rezultuar në hirsutizëm dhe akne.

Komplikimet

  • Steriliteti
  • Diabeti gestacional ose presioni i lartë i gjakut
  • Aborti ose lindja e parakohshme
  • Sindroma metabolike – një grup kushtesh duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, sheqerin e lartë në gjak dhe nivele jonormale të kolesterolit ose triglicerideve që rrisin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare
  • Diabeti i tipit 2 ose prediabeti
  • Depresioni, ankthi dhe çrregullimet e të ushqyerit
  • Gjakderdhje anormale e mitrës
  • Kanceri i mukozës së mitrës (kanceri endometrial).

Terapia

Terapia fokusohet në problemet dhe nevojat individuale, si infertiliteti, hirsutizmi, aknet ose obeziteti.
Ndryshimet e stilit të jetesës
Humbja e peshës përmes një diete me kalori të ulët të kombinuar me stërvitje/ ushtrime të moderuara. Humbja e peshës gjithashtu mund të rrisë efektivitetin e ilaçeve për PCOS dhe mund të ndihmojë me infertilitetin.

Medikamentet

Rregullimi i ciklit menstrual:

  • Pilula kontraceptive të kombinuara. Pilulat që përmbajnë estrogjen dhe progestinë reduktojnë prodhimin e androgjeneve dhe rregullojnë estrogjenin.
  • Terapia me progestin. Marrja e progestinit për 10 deri në 14 ditë çdo një deri në dy muaj mund të rregullojë ciklin menstrual dhe të mbrojë kundër kancerit endometrial. Trajtimi i infertilitetit, stimuluesit e ovulacionit si Klomifeni, Letrozoli (Femara), Gonadotropina
  • Metformina. Ilaç për diabetin e tipit 2 përmirëson rezistencën ndaj insulinës dhe ul nivelet e insulinës.
  • Anti-androgjenet si Spironolactone (Aldactone). Ky ilaç bllokon efektet e androgjenëve në lëkurë. Spironolactone mund të shkaktojë defekte të lindjes, kështu që kërkohet kontracepsion efektiv gjatë marrjes së këtij ilaçi.

Për të zvogëluar efektet e PCOS, mundohuni të:

  • Mbani nën kontroll peshën trupore. Humbja e peshës mund të ulë nivelet e insulinës dhe androgjenit dhe mund të rivendosë ovulacionin.
  • Kufizoni marrjen e karbohidrateve.
  • Merreni me aktivitet fizik. Ushtrimet ndihmojnë në uljen e niveleve të sheqerit në gjak. Nëse keni PCOS, rritja e aktivitetit tuaj ditor mund të trajtojë dhe madje të parandalojë rezistencën ndaj insulinës.

Dr. Irena Andonova
Specialiste në gjinekologji dhe obstetrikë