• 17

Foramen ovale persistent (PFO) përfaqëson një kanal (valvul) midis atriumit të djathtë dhe atij të majtë të zemrës, i cili normalisht ekziston gjatë zhvillimit fetal, por pas lindjes duhet të mbyllet spontanisht me frymëmarrjen e parë. Te një numër i caktuar individësh, kjo hapje nuk mbyllet plotësisht dhe kjo quhet„foramen ovale persistent“ ose „patent“. PFO është një gjendje relativisht e shpeshtë dhe haset te afërsisht 1 në 4 persona, ose rreth 25% e popullsisë në botë. Shumica e njerëzve me PFO nuk kanë simptoma apo probleme dhe jetojnë pa e ditur fare se e kanë.

Simptomat

Në shumicën e rasteve, PFO nuk shkakton asnjë simptomë. Për këtë arsye, shpesh zbulohet rastësisht gjatë një ekzaminimi ekokardiografik të kryer për një arsye tjetër.

Në raste të rralla, PFO mund të shoqërohet edhe me ulje të saturimit të oksigjenit në gjak, përkatësisht hipoksemi, veçanërisht kur një sasi e konsiderueshme gjaku anashkalon qarkullimin pulmonar.

Lidhja midis PFO-së dhe migrenës me aurë është e dokumentuar dhe është e pranishme te 40% deri në 60% e individëve që vuajnë nga migrena me aurë.

Simptomat e shpeshta

  • Çrregullime të shikimit: drita vezulluese, pika të ndritshme, pika të përkohshme të verbërisë.
  • Ndryshime shqisore: mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash (si „gjilpëra“), e cila zakonisht fillon në njërën dorë dhe përhapet lart përgjatë krahut ose drejt fytyrës.
  • Probleme me të folurin dhe gjuhën: vështirësi në të folur të qartë, të folur i paqartë ose vështirësi në gjetjen e fjalëve të duhura (aurë disfaziqe).
  • Kohëzgjatja: simptomat e aurës zakonisht zhvillohen gradualisht gjatë 5 minutave dhe zgjasin nga 5 deri në 60 minuta, para ose gjatë fazës së dhimbjes së kokës (migrenës).
  • Megjithëse PFO zakonisht është i padëmshëm, te disa persona mund të ketë rëndësi klinike. Një nga komplikimet më të rëndësishme të mundshme është embolia paradoksale. Përmes PFO-së, një mpiksje gjaku mund të kalojë nga ana e djathtë e zemrës në anën e majtë, e cila është drejtpërdrejt e lidhur me trurin, dhe të shkaktojë goditje ishemike në tru.

Diagnostikimi

Metoda kryesore për zbulimin e PFO-së është ekokardiografia (ekzaminimi me ultratinguj i zemrës). Me anë të saj vizualizohen struktura e zemrës dhe lëvizja e gjakut nëpër dhomat e saj.

Përdoret gjithashtu ekokardiografia Doppler, e cila mundëson vlerësimin e drejtimit dhe lëvizjes së gjakut midis atriumeve.

Veçanërisht i rëndësishëm është Doppleri transkranial ose „bubble test“ – testi me solucion fiziologjik dhe mikroflluska. Gjatë këtij ekzaminimi, në venë injektohet solucion fiziologjik steril me flluska të vogla ajri. Normalisht, ato qëndrojnë në anën e djathtë të zemrës dhe filtrohen në mushkëri. Nëse flluskat shfaqen në atriumin e majtë, kjo mund të tregojë praninë e një komunikimi, siç është PFO. Ky është një test plotësisht i padëmshëm dhe i sigurt.

Ekokardiografia transesofageale përdoret për konfirmimin dhe përcaktimin e përmasave të PFO-së.

Për kontrollin e komplikimeve të mundshme nga prania e PFO-së, si embolia që shkakton goditje në tru, kryhet rezonanca magnetike e trurit.

Të gjithë pacientët me migrenë kanë nevojë për rezonancë magnetike të trurit dhe ekzaminim për PFO.

Trajtimi i PFO-së

Është e rëndësishme të theksohet se shumica e personave me PFO nuk kanë nevojë për asnjë trajtim. Në rastet kur PFO zbulohet rastësisht, është asimptomatik dhe nuk shoqërohet me komplikime, nuk rekomandohet mbyllja e tij.

Te pacientët e përzgjedhur me kujdes, veçanërisht te personat me goditje ishemike në tru, pa ndonjë shkak tjetër të përcaktuar për të, mund të merret në konsideratë mbyllja e PFO-së për të ulur rrezikun e goditjejes së përsëritur në tru. Vendimi nuk merret vetëm mbi bazën e faktit se ekziston PFO, por pas një vlerësimi të detajuar nga kardiologu dhe neurologu dhe pas përjashtimit të shkaqeve të tjera të mundshme të goditjes në tru.

Metoda më e zakonshme e trajtimit është mbyllja e PFO-së me kateter. Përmes një ene gjaku venoze, më së shpeshti në zonën e ijës, futet një kateter i hollë, i cili drejtohet drejt zemrës. Përmes kateterit vendoset një pajisje speciale (okluder, në formë çadre) që mbyll në mënyrë të përhershme hapjen (kanalin) midis atriumeve.

Më rrallë aplikohet mbyllja kirurgjikale, zakonisht kur pacienti gjithsesi duhet t’i nënshtrohet një operacioni kardio-kirurgjikal për një arsye tjetër (sëmundje kardiake).

Statistika – qendrat mjekësore që kryejnë mbylljen e PFO-së

Megjithëse përdorimi i kësaj procedure është rritur ndjeshëm vitet e fundit, krahasimi i drejtpërdrejtë midis shteteve është i kufizuar për shkak të regjistrave kombëtarë dhe sistemeve të ndryshme të kodimit.

Mbyllja e PFO-së hemodinamikisht të rëndësishme me protezë okluderi kryhet vetëm në qendra të specializuara.

Një analizë ndërkombëtarisht e krahasueshme e numrit të implantimeve të pajisjeve okludere për PFO përfshin Gjermaninë, Anglinë, Francën dhe Italinë. Në vitin e fundit për të cilin autorët kanë të dhëna plotësisht të krahasueshme, përkatësisht në vitin 2018, në Gjermani janë kryer 4.668 procedura me okluder për PFO, që korrespondon me 5,64 procedura për 100.000 banorë në vit. Në Francë janë kryer 1.962 procedura, përkatësisht 2,94 për 100.000 banorë në vit, ndërsa në Angli janë regjistruar 295 procedura, ose vetëm 0,53 për 100.000 banorë në vit.

Në Klinikën „Zhan Mitrev“, në vitin 2025 janë kryer 77 procedura për mbylljen e PFO-së me protezë okluderi, që në përqindje nënkupton 4,23 procedura për 100.000 banorë në vit. Kjo është në kuadër të standardeve evropiane/botërore për diagnostikim dhe trajtim. Ne jemi qendra kryesore diagnostikuese dhe terapeutike në Maqedoni.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkalla e mbylljes së PFO-së me pajisje okluderi është rritur nga 3,52 procedura për 100.000 banorë në vit në vitin 2013, në 5,32 procedura në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 ka arritur në 6,60 procedura për 100.000 banorë në vit.

Shkalla e suksesit të implantimit të okluderit për PFO është 99%.

Megjithëse në vitet 2024–2025 numri i procedurave me okluder për PFO ka të ngjarë të jetë më i lartë në shumicën e këtyre vendeve, numrat konkretë të ndërhyrjeve të kryera ende nuk janë të disponueshëm.

Edhe pse procedura e mbylljes së PFO-së është relativisht e thjeshtë, ajo nuk mund të kryhet në çdo qendër mjekësore.

Mbyllja transkateterike e PFO-së sot konsiderohet një ndërhyrje relativisht e thjeshtë dhe minimalisht invazive, por siguria dhe suksesi i saj varen nga disa faktorë.

Për kryerjen e suksesshme dhe të sigurt nevojitet një ekip multidisiplinar i mirëtrajnuar dhe i koordinuar, i përbërë nga një kardiolog intervenues, një ekokardiografist me përvojë dhe personel mjekësor të trajnuar në mënyrë adekuate. Veçanërisht e rëndësishme është vlerësimi i saktë para ndërhyrjes, me një vlerësim të detajuar ekokardiografik të PFO-së, anatomisë së septumit ndëratrial dhe përjashtimin e shkaqeve të tjera të mundshme të goditjes në tru dhe migrenës me aurë.

Përveç ekspertizës së ekipit, janë të nevojshme edhe kushte të përshtatshme teknike dhe organizative – një sallë moderne angiografike, pajisje cilësore për ekokardiografi, mundësi për ekokardiografi intrakardiake ose transesofageale kur është e nevojshme, pajisje të përshtatshme për anestezi dhe reanimim, si dhe mundësi për identifikimin dhe trajtimin e shpejtë të komplikimeve të mundshme.

Megjithëse vetë implantimi i okluderit në shumicën e rasteve zgjat relativisht pak dhe kryhet me një përqindje të lartë suksesi teknik, kohëzgjatja e shkurtër dhe thjeshtësia teknike e procedurës nuk nënkuptojnë se ajo është pa rrezik ose se mund të kryhet pa përvojën dhe infrastrukturën e duhur. Komplikimet e mundshme, megjithëse të rralla, kërkojnë një ekip të aftë për t’i identifikuar dhe trajtuar në kohë.

Dr. Vilma Ampova Sokolov

Specialiste ne mjekesine iterne
Subspecialiste kardiologe
Мими може да ви помогне во закажувањето на Вашиот термин