
- Uncategorized
-
by Nertila
Rreth një vit e gjysmë më parë, pacientja Afaf Elmradi iu nënshtrua një operacioni kompleks kardiovaskular, i cili kërkonte saktësi të jashtëzakonshme kirurgjikale, përvojë dhe planifikim të kujdesshëm. Operacioni u krye nga Prof. Dr. Zhan Mitrev, duke shënuar fillimin e një etape të rëndësishme në rrugëtimin e saj mjekësor.
U krye rindërtimi i rrënjës së aortës, me zëvendësimin e aortës ascendente me një protezë vaskulare, si dhe ri-implantimi i arterieve koronare të majtë dhe të djathtë në protezë. Bëhet fjalë për një ndërhyrje komplekse kardio-kirurgjikale, e njohur si procedura Tirone David, e cila mundëson rindërtimin e rrënjës së aortës dhe zëvendësimin e pjesës së sëmurë të aortës ascendente, duke ruajtur valvulën natyrore të aortës kur kushtet anatomike e lejojnë këtë.
Këto lloj operacionesh kërkojnë një nivel të lartë profesionalizmi dhe saktësie, veçanërisht për shkak të anatomisë komplekse të rrënjës së aortës dhe nevojës për rilidhjen e arterieve koronare. Megjithatë, rrugëtimi i saj mjekësor nuk përfundoi me ndërhyrjen kardio-kirurgjikale.
Brenda një periudhe prej vetëm dy muajsh, pacientja u përball edhe me dy sfida të rëndësishme ortopedike. Fillimisht, për shkak të një frakture të kyçit të këmbës, ajo iu nënshtrua trajtimit kirurgjikal, ndërsa pak kohë më pas pasoi edhe operacioni për vendosjen e një endoproteze totale në gjurin e majtë.
Të dyja ndërhyrjet ortopedike u kryen nga Dr. Sasho Mladenovski, i cili luajti një rol të rëndësishëm në trajtimin e këtyre dy gjendjeve. Realizimi i të dy operacioneve brenda një periudhe relativisht të shkurtër, pas një ndërhyrjeje të mëparshme komplekse kardio-kirurgjikale, thekson rëndësinë e planifikimit të kujdesshëm dhe të qasjes individuale ndaj çdo pacienti.
Historia e Zj. Elmradi, është një shembull i sfidave me të cilat mund të përballet një pacient gjatë trajtimit dhe i rëndësisë së profesionalizmit, saktësisë kirurgjikale dhe kujdesit të koordinuar mjekësor. Ajo na kujton se mjekësia moderne nuk përbëhet vetëm nga ndërhyrje të veçanta kirurgjikale, por edhe nga koordinimi i kujdesshëm i fazave të ndryshme të trajtimit, me qëllim ruajtjen e shëndetit, rikthimin e funksionalitetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.