
- Ngjarje
-
by Nertila
Me shumë kënaqësi pritëm nxënësit e shkollës së mesme “Dimitar Vlahov” nga Strumica, të cilët vizituan Spitalin Klinik “Zhan Mitrev”.
Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë, punonjës të ardhshëm të shëndetësisë, të cilët janë në vitin e dytë në drejtimin e infermierisë, që nga afër të njihen me punën dhe funksionimin e një institucioni bashkëkohor shëndetësor.
Nxënësit patën mundësinë të shohin nga afër se si duket përditshmëria e profesionistëve shëndetësorë, veçanërisht bashkëpunimi dhe marrëdhënia ndërmjet mjekut dhe infermierit, të njihen me pajisjet dhe teknologjinë moderne mjekësore, si dhe të mësojnë më shumë rreth fushave të ndryshme të shëndetësisë.
Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me personelin mjekësor, nxënësit fituan njohuri të vlefshme praktike dhe patën mundësinë të bëjnë pyetje lidhur me profesionin, përgjegjësitë dhe sfidat me të cilat përballen punonjësit shëndetësorë, me theks të veçantë në infermierinë dhe në mënyrën se si bëhesh një infermier/e vërtetë e përkushtuar, e cila në çdo moment do të jetë “e vëmendshme” ndaj pacientëve.
Takime të tilla janë veçanërisht të rëndësishme për të rinjtë, pasi u mundësojnë që njohuritë teorike të fituara në bankat shkollore t’i lidhin me praktikën dhe të përjetojnë dinamikën dhe përgjegjësinë e profesionit shëndetësor.
Falënderojmë nxënësit dhe mësuesit e Shkollës së Mesme “Dimitar Vlahov” për vizitën, interesimin, kureshtjen dhe entuziazmin e tyre. Shpresojmë që kjo përvojë të jetë një nxitje shtesë për zhvillimin e tyre të mëtejshëm dhe një mundësi për realizimin e qëllimeve të tyre në fushën e shëndetësisë.





