• 0

Klinika Zhan Mitrev nis bashkëpunimin me shkollën për shtatzëna dhe gjidhënie „Bebelogija“, me qëllim që nënave të ardhshme t’u mundësojë edukim shtesë profesional, përgatitje praktike dhe mbështetje gjatë shtatzënisë dhe në prag të lindjes.

Bashkëpunimi do të realizohet me Jasna Apostolski-Nikolov, themeluese e „Bebelogija“, infermiere e diplomuar, konsulente ndërkombëtarisht e certifikuar për gjidhënie (IBCLC) dhe edukatore e certifikuar për përgatitje psikofizike të grave shtatzëna.

Nëpërmjet kësaj iniciative, nënat e ardhshme do të kenë mundësi të marrin pjesë në orë të organizuara për përgatitje psikofizike për lindje, ku do të marrin informacione profesionale, këshilla praktike dhe përgjigje për pyetjet më të shpeshta që lidhen me lindjen, ushqyerjen me gji dhe ditët e para me të foshnjën.

Me prezantimin e këtij programi, vazhdojmë të avancojmë kujdesin për nënën dhe foshnjën, duke vënë theks jo vetëm te kujdesi mjekësor, por edhe te edukimi në kohë, përgatitja dhe ndjenja e sigurisë tek nënat e ardhshme.

Përgatitje për lindjen me më shumë njohuri dhe vetëbesim

Shtatzënia është një periudhë e mbushur me gëzim dhe pritje, por edhe me shumë pyetje, veçanërisht kur afrohet data e lindjes. Si t’i dalloni shenjat e para të lindjes? Kur është momenti i duhur për t’u nisur drejt spitalit? Cilat teknika të frymëmarrjes dhe relaksimit mund t’ju ndihmojnë? Si të përgatiteni për gjidhënie dhe për ditët e para me foshnjën tuaj?

Pikërisht këtyre pyetjeve do t’u përgjigjet programi për përgatitje psikofizike, i hartuar për t’i ndihmuar gratë shtatzëna ta presin lindjen më të informuara, më të përgatitura dhe me më shumë vetëbesim.

Programi u dedikohet grave shtatzëna nga java e 28-të e shtatzënisë dhe është i organizuar në tre module edukative, të cilat përfshijnë aspektet më të rëndësishme të përgatitjes për lindje, procesit të lindjes, ushqyerjes me gji dhe kujdesit për të porsalindurin.

Çfarë përfshin programi?

Moduli 1 – Përgatitja për lindjen dhe ardhjen e foshnjës

Moduli i parë i kushtohet përgatitjes për lindjen dhe njohjes së shenjave që paralajmërojnë fillimin e procesit të lindjes.

Gratë shtatzëna do të marrin informacione praktike se kur duhet të drejtohen në spital, çfarë duhet të marrin me vete, si zhvillohet pranimi në maternitet dhe cilat janë fazat e lindjes.

Gjithashtu, do të diskutohet për përgatitjen e shtëpisë, gjërat e nevojshme për ditët e para me të porsalindurin dhe gjithçka që është e rëndësishme të dihet para ardhjes së foshnjës.

Moduli 2 – Teknikat e frymëmarrjes, relaksimit dhe përgatitjes fizike

Moduli i dytë i kushtohet përgatitjes praktike të trupit për lindje. Nëpërmjet teknikave të frymëmarrjes dhe relaksimit, si dhe ushtrimeve të përshtatshme për muskulaturën e shpinës dhe legenit, gratë shtatzëna do të njihen me mënyrat që mund t’i ndihmojnë të përballojnë më lehtë sfidat fizike gjatë lindjes.

Do të trajtohen edhe tema që lidhen me rolin e partnerit, mundësitë e anestezisë dhe përdorimin e medikamenteve gjatë lindjes, si dhe kujdesin dhe rikuperimin pas lindjes natyrale ose me prerje cezariane.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet praktikave në maternitetin tonë, duke përfshirë kontaktin e hershëm „lëkurë më lëkurë“ (skin-to-skin) dhe vonimin e kapjes së kordonit të kërthizës, kur kushtet mjekësore e lejojnë këtë.

Moduli 3 – Gjidhënia dhe ditët e para me foshnjën

Moduli i tretë i kushtohet fillimit të suksesshëm të gjidhënies, zhvillimit të laktacionit dhe pyetjeve më të shpeshta me të cilat përballen nënat gjatë ditëve të para pas lindjes.

Nënat e ardhshme do të marrin udhëzime profesionale për gjidhënien, ushqyerjen gjatë periudhës së laktacionit, përdorimin e medikamenteve nga nënat që ushqejnë me gji, si dhe për mbështetjen që mund të ofrojë një konsulent ndërkombëtarisht i certifikuar për gjidhënie (IBCLC).

Programi do të përfshijë edhe këshilla praktike për kujdesin ndaj të porsalindurit dhe përshtatjen më të lehtë me dinamikën e re familjare. 

Organizimi i orëve dhe mënyra e pjesëmarrjes

Me qëllim që nënave të ardhshme t’u mundësojmë edukim të vazhdueshëm dhe përgatitje në kohë, çdo muaj do të formohet një grup i ri i grave shtatzëna, me tre module edukative që do të mbahen të shtunave.

Orët do të jenë të dedikuara për gratë shtatzëna që janë në javën e 28-të të shtatzënisë ose më tej dhe do të zhvillohen në grupe që mundësojnë pjesëmarrje interaktive, parashtrimin e pyetjeve dhe shkëmbimin e përvojave.

Të drejtë pjesëmarrjeje në program do të kenë të gjitha gratë shtatzëna që do të zgjedhin paketën e lindjes në Klinikën Zhan Mitrev dhe do të kryejnë një pagesë paraprake prej 12.000 denarësh. Orët për përgatitje psikofizike janë të përfshira në paketën e lindjes dhe për to nuk paguhet tarifë shtesë.

Kujdesi ynë për nënën dhe foshnjën fillon që para lindjes

Në Klinikën Zhan Mitrev besojmë se kujdesi cilësor për nënën dhe foshnjën nuk fillon në sallën e lindjes, por shumë më herët – me informacione në kohë, mbështetje profesionale dhe përgatitje të kujdesshme.

Nëpërmjet bashkëpunimit me „Bebelogija“, vazhdojmë të pasurojmë përvojën e pacienteve tona dhe të krijojmë kushte në të cilat çdo nënë e ardhshme do të ndihet e informuar, e përgatitur dhe e sigurt në prag të lindjes.

Qëllimi ynë është që çdo nënë ta fillojë këtë kapitull të ri të jetës me më shumë njohuri, vetëbesim dhe siguri, duke e ditur se ka mbështetje profesionale në çdo hap.

Мими може да ви помогне во закажувањето на Вашиот термин